TIRANË- Maqedonasi Joshko Çervenkovski, për të cilin bashkëpunëtori i drejtësisë Luftar Reçi ka deklaruar se ka qenë montues i minës që i mori jetën biznesmenit Vajdin Lame e Artan Arsit në 2005, rikthehet sërish në SPAK për t’u marrë në pyetje. Një ditë më parë ai u paraqit në seancën ndaj Emiljano Shullazit e Viktor Imerit, teksa ndalimi i tij u bë në Rinas të hënën.
Ai kërkohej nga Prokuroria Posaçme si dhe nga avokatët e të pandehurve të pyetej në cilësinë e dëshmitarit, madje është dërguar edhe letërporosi. Të martën ai nuk u lejua të dëshmonte pasi avokatët e të pandehurit pretenduan se e kanë kërkuar të pyetet me letërporosi duke e cilësuar të dyshimtë rrethanat në të cilat u paraqit në gjykatë.
Pas vendimit për shtyrjen e seancës, Çervenkovski ngjiti shkallët e SPAK për t'u pyetur të martën, teksa ai u rikthye sërish këtë të mërkurë në Prokurori. Kjo e fundit nuk ka një koment mbi rrethanat dhe cilësinë në të cilën e ka pyetur, teksa maqedonasi u largu me një automjet me targa të vendit të tij.
Emri i maqedonasit rezulton të jetë përmendur nga i penduari i drejtësisë Luftar Reçi, që thotë se Çervenkovski kishte montuar bombën me telekomandë që u vendos në ashensorin ku mbeti i vrarë biznesmeni Vajdin Lamaj dhe miku i tij, Artan Arsi në 2005.
Si u vra Vajdin Lame?
Presidenti i Federatës së Boksit Vajdin Lame dhe truproja e tij, Artan Arsi, u vranë më 27.02.2005, rreth orës 24.00 në njërën nga kullat mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”. Dy viktimat janë përballur me një sasi të konsiderueshme eksplozivi posa kanë vënë këmbë në ashensor. Tritoli ishte i pajisur me telekomandë dhe qe vendosur në një nga anët e ashensorit, duke realizuar shpërthimin në katin e pestë të kullës, ku dhe banonte Lame. Presidenti i Federatës së Boksit ka vdekur në vend, ndërsa Arsi gjatë rrugës për në spital.
Si u vra Klodian Saliu?
Klodian Saliu, anëtar i bandës famëkeqe të Durrësit, u vra me 26 shkurt të vitit 2005. Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata u nda në dy të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata u kthyen në rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre. Për këtë SPAK akuzon Lul Berishën dhe bandën e Durrësit se ka vrarë Klodian Saliun më datë 26.02.2005 rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj, Saliu u qëllua me armë zjarri, teksa ishte duke udhëtuar me makinën tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C.