Efektivi i forcave “Shqiponja” në Sarandë Lavdosh Metaj 38 vjeç i arrestuar për shpërndarje droge është lënë në arrest në burg.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij është zhvilluar sot në Gjykatën e Sarandës, në orën 13:00. Prokurori i çështjes Lorenc Mërkuri kërkoi si masë sigurie “Arrest me burg”, ndërkohë që dhe gjyqtari Alban Veçani pranoi kërkesën e Prokurorisë.
Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa Metaj nuk ka pranuar veprën për të cilën akuzohet, duke pretenduar se lënda narkotike e gjetur në shtëpinë e tij ishte për përdorim vetiak. Avokati mbrojtës Gjergji Imeraj kërkoi në seancën gjyqësore masën e sigurisë arrest shtepie ose garanci pasurore. Këto kërkesa nuk u pranuan nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë. Avokati mbrojtës, në prononcimin pas përfundimit të seancës gjyqësore u shpreh se vendimi i marrë do të apelohet.
Efektivi u arrestua tre ditë më parë nga Policia e Sarandës, pas një survejimi disa mujor për veprën penale trafikim i lëndëve narkotike. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, bën me dije se gjatë hetimit disa mujor ka rezultuar që efektivi shpërndante drogë në ambiente të populluara argëtimi me muzikë. Gjatë kontrollit, 38-vjeçarit i janë gjetur me vete 11 doza kokainë, ndërsa në shtëpi iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike. Këtë veprimtari të kundraligjshme, sipas SHÇBA efektivi e kryente gjatë kohës së shërbimit dhe jashtë saj.
Në rrjetin social të efektivit vihet re se ai bën një jetë luksoze mes brandeve të veshjeve dhe jetës së luksit. Metaj 38 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Sarandë akuzohet për ‘Prodhim dhe shitje narkotikësh’.