Edhe pas reagimit të Gjykatës Kushtetuese, që sqaroi se takimi me Ambasadorin e BE, Luigin Soreca ishte thjeshtë një takim rutinë, sërish "Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit" nuk tërhiqet, duke kërkuar largimin e kryetares Vitore Tushës nga çështja e Teatrit.
Përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese, "Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit" e konsideron "të vakët" dhe nuk u dha asnjë provë bindëse se takimi me Sorecën nuk do të ndikojë në vendimmarrjen për çështjen e Teatrit. Për këtë ata bëjnë kërkesë për largimin kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.
"Ne çmojmë se ky takim ka ulur ndjeshëm jo vetëm legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese në paanësinë dhe sovranitetin e saj, por edhe ka ulur ndjeshëm besimin e publikut dhe posaçërisht e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit si palë e tretë në këtë gjykim, në një vendim të drejtë dhe bazuar në Kushtetutë, kjo sidomos në raport me pozicionin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese.Cenimi i besimit tonë për një vendim të drejtë dhe të paanshëm, u shtua edhe më shumë nisur nga përgjigja që ne morëm nga Gjykata Kushtetuese, Nr.284/1 Prot., datë 30.06.2021, në raport me kërkesën tonë, përgjigje e cila ishte jo vetëm shumë e vaket dhe e cekët në përmbajtje, por nuk dha asnjë provë bindëse për ne si palë, se ky takim nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë në vendimarrjen e çështjes së Teatrit", thuhet mes të tjerash në reagimin e Aleancës për Teatrin.
Lajmi kryesor:
Akuzat e 'Aleancës për Teatrin' se Vitore Tusha takoi fshehtas Sorecën, Gjykata Kushtetuese konfirmon qëndrimin e BE: Spekulime dhe presion, ishte takim rutinë i planifikuar më parë
//ReportTv.al