Teksa zgjedhjet parlamentare të 11 Majit po afrojnë, edhe partia e re opozitare e sapokrijuar “Djathtas 1912” ka nisur rrugëtimin e saj politik dhe të vështirë.
Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, themelues i saj, ndau sot në “Frontline” në REPORT TV disa nga strategjitë, mendimet e tij për situatën politike, qëllimet e partisë, votën e diasporës dhe drejtësinë.
Deputeti hodhi dyshime edhe për “Komisionin Xhafaj”, se do të ndërhyjë te Drejtësia e re me artificat ligjore të planifikuara nga mazhoranca, me qëllim që të pengohet misioni i SPAK-ut.
“Komisioni Antikorrupsion e ka një pikë, të gjithë e dinë, nuk është opinioni im, por ajo pikë lejon ndërhyrjen apo për të bërë korrigjime të nevojshme të reformës në drejtësi. Pra edhe te SPAK-u.
Dhe cilat janë objektivat apo shënjestrat e SPAK-ut? Dy janë: Krimi i organizuar dhe politika.
Me sa duket niveli i lartë i krimit të organizuar i lidhur me pushtetin, ka ndërhyrë për të ngritur këtë Komisionin Xhafaj, pasi nuk shohim arsye tjetër”, tha ai ndër të tjera.
Kurse për votën e Diasporës kërkoi ndërhyrjen e SPAK për të hetuar të gjitha shkeljet e partive të mëdha me mitingjet paraelektorale në thyerje të Kodit që po zhvillojnë jashtë vendit. Ai e quajti diasporën edhe si “plaçkë lufte” e dy partive të mëdha.
“Diaspora po shihet si plaçkë lufte mes opozitës dhe mazhorancës. Madje kemi parë se drejtues partish bëjnë takime, postojnë foto gjithandej për këto takime, deri edhe në ambiente ambasadash e konsullatash. Është e ndaluar kjo me Kod Elektoral, SPAK duhet të ketë objekt hetimi këtë. Por kjo është veprimtari antiligjore, çështje patronazhistësh, që të orientojnë dhe diktojnë votën e diasporës. Përshendes deklaratën e Komisionerit Zgjedhor, por pres nga SPAK që të reagojë dhe kjo lëndë të shërbejë si zanafillë për procedim penal. Ne përshëndesim strategjinë e SPAK, madje kemi ngritur strukturë juridike brenda Djathtas 1912 për denoncime dhe kallëzime penale në SPAK për krimet elektorale. I përshëndes për strategjinë që deklaruan, hapësirat dhe rrugët e përcjelljes së informacioneve”, tha Alibeaj.
Kurse për qëllimet e partisë “Djathtas 1912” dhe objektivat për mandatet e deputetëve që kanë pritshmëri të marrin, ai nuk dha shifra, por u shpreh se misioni i vetëm opozitar është që më 11 Maj Edi Rama dhe PS të dalin në pakicë.
“Ai është në pakicë ndër shqiptarët, e ka ndjerë edhe nëpërmjet sondazheve, se ndodhet në pakicë të shqiptarëve. Ai përmend Merkelin, por krahasoni shifrat e Gjermanisë dhe Shqipërisë. Në Shqipëri shenja e parë e kësaj qeverie është largimi i shqiptarëve, shpopullimi, kjo mjafton për ta krahasuar.
Përsa i përket fushatës elektorale të partisë Djathtas 1912 dhe se sa mandate do të marrim, unë shpreh vetëm një qëndrim, ne jemi të interesuar që me punën tonë, programin dhe strategjinë, që Edi Rama të jetë në pakicë më 11 Maj. Na intereson vetëm që Rama dhe partia e tij të dalin në pakicë”, nënvizon deputeti.
Pas 4 ditësh populli i Kosovës do të votojë për parlamentin e ri të vendit dhe si rrjedhojë edhe partinë qeverisëse për 4 vitet e ardhshme.
I ftuar në “FrontLine” me Marsela Karapançon në Report Tv, ish-ambasadori Agim Nesho, tha se Albin Kurti ka gjasë të korrë një fitore të dytë në këto zgjedhje, por theksoi se Prishtinës zyrtare i nevojitet një klasë politikë e bashkuar kur bëhet fjalë për interesin e përgjiithshëm të vendit, parim i cili bie ndesh me vendimet e njëanshme të kryeministrit, në raste kritike të shtetit.
“Kurti është i avancuar dhe të marrë mendohet një shumicë. Është qeveria e parë e cila ka mbaruar mandatin. Jo rastësisht është sulmuar nga përfaqësues të lartë të Amerikës si ambasadori Grenell, një herë e ka rrëzuar nga qeveria dhe u rikthye me votë popullore”,-tha Nesho.
“Ajo që është në interesin e Kosovës, sidomos në kushtet e reja të gjeopolitikës në botë, të ideve pragmatiste që edhe Perëndimi ka për një zgjidhje në Ballkan, Kosovës i duhen qeveri uniteti, nuk i duhen vetëm lidera të vetëm, por duhet bashkim të të gjithë partive politike për të ruajtut atë që është e shenjtë dhe për të konsoliduar republikën e tyre”,- shtoi ai.
"Ndërkombëtarët gjithmonë, ata që kërkojnë pragmatizëm, pak ju intereson se preken interesat e Kosovës, për ata është një vizë lapsi",- theksoi Nesho.