Alibeaj në ish-kampin famëkeq të diktaturës në Tepelenë: Çështja e dekomunistizimit thelbësore

23 Gusht 2022, 11:09| Përditesimi: 23 Gusht 2022, 18:26

  • Share

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Enkejeld Alibeaj ka marrë pjesë sot në ceremoninë përkujtimore në ish-kampin famëkeq të diktaturës komuniste në Tepelenë. Në fjalën e tij Alibeaj tha se çështja e dekomunistizimit është thelbësore në rrugëtimin 30 vjecar të historise politike dhe shoqërore shqiptare.

Alibeja u shpreh se Partia Demokratike, ashtu siç e kemi bërë me dije publikisht edhe më parë, është e angazhuar për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin sipas parimeve të mësipërme, që së bashku me tre iniciativat e depozituara tashmë në Kuvend (hapja e plotë të dosjeve; ndalimi i simboleve komuniste; dhe kujtesa kolektive për kampin e Tepelenës dhe burgun e Spacit), përbëjnë një korpus fillestar me themele për dekomunistizimin, të cilit do t’i qëndrojmë gjer në fund.

Fjala e plotë

Çështja e dekomunistizimit është thelbësore në rrugëtimin 30 vjecar të historise politike dhe shoqërore shqiptare. Për fat të keq ky proces kaq i rëndësishëm  nuk është trajtuar i plotë, në të gjithë dimensionet e tij. Herë pas here segmente të caktuara të dekomunistizimit janë trajtuar edhe me akte apo iniciativa ligjore. Psh le të përmendim shpërblimin e viktimave të komunizmit, genocidin, perpjekjet për hapjen e dosjeve apo dhe tentativat e penguara për lustracionin. Por fakt mbetet që të gjitha këto copëza të rëndësishme janë si te tilla por pa dyshim do të kishin peshë shumë herë më të madhe nëse do të ishin bashkë dhe të harmonizuara. Për fat të keq edhe këto iniciativa pjesore nuk janë cuar deri në fund apo janë penguar apo shmangur nga qëllimi. Jo rrallëherë ka ndodhur që këto nisma të vecanta janë shndërruar në konsum të debatit politik të ditës, duke e humbur vlerën e vërtetë  dhe qëllimin që duhet të kishin: vënien në vend të drejtesisë dhe dinjitetit njerëzor për ata mijëra shqiptarë që u vranë, burgosën, internuan dhe shkatërruar jetën për gati 50 vjet.

Në emër të PD dua të përmend këtu se gjatë këtyre 30 viteve ne kemi ndërmarrë iniciativa të tilla, por këto nisma në mënyrë sistematike janë shuar dhe dekurajuar nga Partia Socialiste si trashëgimtare e Partisë së Punës. Partia Demokratike, që në krijimin e saj e ka pasur mision ndërmarrjen dhe përfundimin e këtij procesi. Edhe vetë historia politike e saj e dëshmon këtë. Nuk kemi bërë aq sa duhet por mjaftueshëm për të nxjerrë mësimet tona se cfarë duhet bërë që dekomunistizimi të jetë proces i plotë, i tillë që të shkëpusë përfundimisht shoqërinë shqiptare nga trashëgimia komuniste, i tillë që të plotësojë edhe kërkesat minimale të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës.

Së pari, procesi i dekomunistizimit nuk mund të jetë i fragmentarizuar dhe posacërisht komponenti i lustracionit nuk mund të jetë i vecuar. Lustracioni duhet të shkojë paralelisht së paku me komponentë të tjerë sic janë deklasifikimi i dosjeve, ndalimi i simboleve të komunizmit dhe ngritja e muzeve dhe memorialeve te kujtesës. Vetëm kështu dekomunistizimi shndërrohet në një proces me impakt në shoqëri.

Së dyti, lustracioni nuk mund të bazohet tek hakmarrja, qoftë kjo personale apo për motive politike. Në këto 30 vjet ka qenë pikërisht konceptimi i tij si mjet hakmarrjeje dhe për këtë arsye, ai ka qenë mjet i njëanshëm, që ka gjetur kundërshtim, keqkuptim, moskuptim apo refuzim nga pjesë të tjera të shoqërisë. Nëse ai konceptohet si një nevojë e gjithë shoqërisë shqiptare, një masë proporcionale me nevojën për dekomunistizim të shoqërisë e bashkë me të, edhe të politikës, për t’u shkëputur nga e djeshmja komuniste dhe kjo si një nevojë e gjithëpranuar, vetëm kështu do të ishte e suksesshme.

Së treti, lustracioni nuk duhet konceptuar si mjet i luftës politike, me të cilin kërkohet asgjësimi i kundërshtarëve politikë. Nëse një iniciativë lustrimi bëhet pjesore, me selektivitet, me porosi për emra të përvecëm, pra duke mos u vlerësuar si fenomen parimor, që abstragon nga emrat e përvecëm, ai nuk është asgjë tjetër vecse një praktikë totalitare komuniste e aplikuar në një sfond në dukje të demokracisë. Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi për fasadat, aq më pak për fasadat që thelbin e kanë të korruptuar.

Së katërti, lustracioni duhet konceptuar dhe zbatuar duke respektuar shtetin e së drejtës. Do të ishte dështim një proces lustracioni me dënime kolektive, pa analizuar masën e fajit individual, pa i dhënë të drejtën e mbrojtjes atyre që iu adresohet, pa i dhënë të drejtën publikut të njihet me dosjet e sigurimit të shtetit dhe më gjerë, e realizuar nga trupa që nuk japin garanci pavarësie, apo që nuk realizohet sipas një procesi publik dhe pa i njohur të drejtën e ankimit në gjykatë. Një proces i tillë me këto mangësi do të ishte dështimi i radhës dhe paaftësi për të tejkaluar të shkuarën komuniste.

Së pesti, procesi i lustrimit duhet të jetë i gjithëpranuar. Ne kemi bindjen se nëse plotësohen kushtet e mësipërme, një proces ligjor lustrimi mund të jetë i gjithëpranuar nga shoqëria dhe politika, e cila ka detyrën që të veprojë sipas nevojave dhe në shërbim të shoqërisë.

Partia Demokratike, ashtu sic e kemi bërë me dije publikisht edhe më parë, është e angazhuar për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin sipas parimeve të mësipërme, që së bashku me tre iniciativat e depozituara tashmë në Kuvend (hapja e plotë të dosjeve; ndalimi i simboleve komuniste; dhe kujtesa kolektive për kampin e Tepelenës dhe burgun e Spacit), përbëjnë një korpus fillestar me themele për dekomunistizimin, të cilit do t’i qëndrojmë gjer në fund. Në ditët në vazhdim do tju njohim dhe me detaje me konkrete të punës sonë në këtë drejtim.


Lajmi kryesor:

Dita evropiane e përkujtimit të viktimave në sistemet totalitare! Alibeaj: Dekomunistizim i plotë! Lustracioni?! Nuk ka kuptim pa hapjen e plotë të dosjeve


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?