Dy partitë e mëdha janë modeli i së shkuarës dhe vijnë në rënien që do i bëjë që të mos arrijnë dot asnjëra 71 mandate deputetësh, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Me SPAK-un pas qafës, ku Berisha madje ka edhe “një gur në qafë”me dosjet penale teksa ka privatizuar PD, bashkë me Ramën do e kenë të vështirë që të fitojnë shumicën, por do përpiqen të sigurojnë me çdo mënyrë dhe mundësi votat për të goditur Prokurorinë e Posaçme, ashtu edhe siç është deklaruar kohët e fundit, duke bashkuar votat në Parlamentin e ardhshëm.
Kështu u shpreh deputeti dhe themeluesi i ‘Djathtas 1912’, Enkelejd Alibeaj, sot në ‘Studio Live’ të moderatorit Arbër Hitaj.
Ligjvënësi kritikoi edhe publikimin e përgjimeve nga dosja e Erion Veliaj, duke u shprehur se është kundër, pasi cenojnë sigurinë fizike dhe hetimore, teksa shtoi se zgjidhjet gjendeshin vetëm brenda dyerve të gjykatave.
Bashkë me të në Report Tv ishte i ftuar edhe gazetari Artur Nura, i cili ndau mendimin se në këto zgjedhje blerja apo shitja e votës me instrumentin shtesë ndërkombëtar të SPAK dhe spotet publike, do të jetë e vështirë. Për opozitën ai tha se “Rama është strateg dhe nuk hiqet nga pushteti duke thënë ‘Rama ik’ apo ‘aman ik”.
“Përgatitjet janë drejt fundit, më 11 fillon edhe fushata elektorale. Programi, organizimi, kandidatët dhe strukturat janë gati. Pak vonë, siç e konstatuat ju edhe për shkak të koalicioneve, por ‘dita e gjykimit’ erdhi. Ka vështirësi në fakt, sidomos ato financiare. Është e qartë, fushatat në Shqipëri janë të shtrenjta. Financat që kërkohen në proceset zgjedhore janë të mëdhaja. Që nga kancelaritë, administrata, raporti me mediat dhe të tjera. Këtë fushate e organizojmë me shpenzimet tona. Sipas Kodit Zgjedhor financime marrin partitë me deputetë në parlament, ne nuk kemi marrë, por s’jemi duke qarë. E shoh si një test, nëse bëhet fushatë në politikë me kosto minimale. Për të mos folur për vështirësitë e tjera, si mungesa e njerëzve në komisionet e qendrave të votimit apo dhe numërimit”, tha Alibeaj.
Por ai shtoi se tani modeli i vjetër i duopolit po shembet dhe ngjarjet e ndodhura këto kohë, me forcimin dhe goditjet e SPAK e kanë lënë të qartë edhe në lëvizjet e binomit Rama-Berisha.
“Ajo që konstatoj është se ka një lloj neverie ndër shqiptarë për partitë e vjetra, që nga PS-ja me një qeverisja e gjatë e keqe dhe tjetra, PD-ja, vëllai siamez i socialistëve. Ka pakënaqësi dhe skandalet ku është përfshirë qeveria. Ka refuzim të shqiptarëve ndaj alternativave të vjetra. Mirëpresin alternativat e reja, që s’kanë probleme me drejtësinë. Me interes dhe pozitive impakti që ka dhënë SPAK-u. Fakti që shumë zyrtarë të qeverisë shkojnë dhe frekuentojnë shpesh SPAK-un, ka dhënë koshiencë tjetër te shqiptarët dhe publiku dhe kanë krijuar konceptin se s’ka më njerëz mbi ligjin. Moment elektoral i rëndësishëm, do jetë epokë politike. E shoh me optimizëm. Nuk i referohem sondazheve, por ka pakënaqësi të madhe ndaj modeleve të vjetra të pazarit dhe marrëveshjeve, por kjo është një garë”, shpjegon deputeti për Report Tv.
Ai ndau mendimin se tashmë PD është “parti private e Berishës”. Megjithatë fundi i duopolit ka mbërritur.
“Historiku i 35 viteve ka qenë duopol, kohë e gjatë. Por duopoli ka nisur të bjerë, e shoh që nga 5 vite më parë te Kodi Zgjedhor. Ka ardhur fundi i duopolit, ose mendësia për të mbajtur qeverisjen vetë dhe për të mos mbajtur përgjegjësi. Kodi i ri elektoral e tregon edhe më mirë se ky sistem po bie. Ndaj zgjodhën listat e mbyllura, teksa ne zgjodhëm listat e hapura. Ata dy i dhanë sinjal shqiptarëve me pazarin që bënë. Ka një pjesë edhe te PD-ja parti personale dhe private e Berishës, që kanë mbështetje për ne partitë e reja, sikurse edhe te PS”, vijon përfaqësuesi i koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’.
Por cili është mendimi i tij për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe paraqitjen e forcës që përfaqëson?
“Unë mendoj se më 11 maj, as Rama dhe as Berisha nuk do e bëjnë dot shumicën e thjeshtë. Nuk do i bëjnë dot 71 mandate. Më 2021 Rama mori 48%, më pak se gjysmën, edhe për shkak të sistemit zgjodhor, por që atëhere shumë ngjarje kanë ndodhur që e kanë goditur qeverinë. Mbështetja ndaj tij ka rënë, edhe pse duket solid. Ka zv.kryeministrin në arrati, zyrtarë e ministra në burg dhe të akuzuar. Efekti SPAK, sepse Dumani erdhi shumë vonë, pas fitores së PS të zgjedhjeve të fundit. Plus hetimi elektoral që do bëjë SPAK, ku qeveria nuk do ketë dot as patronazhistët, këto më bëjnë të besoj se nuk do e kenë shumicën të dy. Rama po bën një sjellje ballkanike në koncept, pra edhe belbëzohet kundër drejtësisë”, nënvizon Alibeaj.
Por ai shtoi se të dyja partitë e mëdha do bëjnë përpjekje që të gjejnë votat për qëllimet dhe marrëveshjet e tyre të ardhshme, siç është goditja e SPAK.
“Janë sinjalet dhe uroj të përgënjeshtrohem. Dy partitë e vjetra janë në siklet të madh dhe të njëjtë. Sepse as njëra dhe as tjetra s’do sigurojnë dot shumicën dhe objektivin maksimal, teksa me një SPAK që i qëndron mbi qafë, do përpiqen me rrugë joinstitucionale ta marrin këtë rezultat. I shoh që kanë një siklet të madh, sidomos Rama, përveç Berishës, ky edhe me ‘gur pas qafe’ (për çështjet penale). I vetmi mendim është se të dy do bashkojnë votat siç bënë me marrëveshjet e para, e nëse e shohin se nuk e realizojnë dot numrin e votave për të goditur SPAK, do përdorin strukturat e tyre, ato kriminale apo me blerje, patronazhistë e të tjera”, thotë deputeti.
Gazetari Artur Nura dha mendimin se ky binom politik edhe mund të çahet nga forcat e reja politike.
“Mund ta çajnë modelin dhe binomin e vjetër, në mënyrë modeste, do kemi dhe zëra e figura të reja. Alibeaj është i vjetër në politikë, edhe pse ka parti të re, ai ka qenë deputet dhe ministër në qeverisjen e PD-së. Por ka edhe parti të reja me figura që nuk kanë qenë pjesë e parlamentit, vijnë me individë si kryetarë që përfaqësojnë partinë. Ajo që vlerësoj, është që këta (Djathtas) hyjnë në sistem dhe garë pa një kryetar, pa një individ në krye, janë kolegjialë. Ka të pakënaqur dhe elektorat gri dhe këto parti duhet të bindë këtë elektorat gri, sepse në rastin e Djathtas 1912 besoj se do marri më shumë vota djathtas”, thotë ai për ‘Studio Live’.
Por bëri edhe një sugjerim ndaj opozitës dhe strategjisë që ndjek, duke nënvizuar se Rama është mjeshtër elektoral dhe në marrëdhënie me publikun, duke nxjerrë senatorët për mbledhje votash në listat e hapura. Ai nënvizon se kryeministri nuk hiqet duke thënë ‘Rama ik”.
“Mua më duket se edhe në sloganin e këtyre, opozitës, duket sikur thonë “aman Rama, Ik!”. Por duket se Rama është strateg dhe mjeshtër i komunikimit publik dhe elektoral, pasi e shohim edhe te listat, ku senatorët, pra figurat e vjetër i ka nxjerrë për vota. Shumë që janë objekt i SPAK nuk janë në listën e mbyllur, edhe ata që janë ndodhen te lista e hapur, në funksion të votës. Këta nuk duhet t’i drejtohen kryeministrit me “aman ik”, por ta heqin dhe aty besoj se shumë gjëra mund të ndodhin, pra mendoj se duhet të hiqet dorë nga slogani “Rama ik!”, përfundon Nura.
Deputeti Enkelejd Alibeaj, njëkohësisht themelues i 'Djathtas 1912' dhe pjesë e koalicionit 'Djathtas për Zhvillim', akuzon PS dhe PD si autorët e ndryshimeve skandaloze në Kodin Elektoral, duke bërë pazare, bashkuar votat dhe mbyllur listat për zgjedhjet e 11 majit.
Ai dha edhe shpjegimet sesi kur kishte qenë në Parlament, por edhe në Komisionin e negociatorëve, ishte shprehur gjithnjë kundër, duke nënvizuar defektet, sikurse edhe për votën e diasporës. Alibeaj shprehet se vota e emigrantëve është tashmë e blerë me lekë, e diktuar, jo e fshehtë dhe me shkelje të hapura të ligjit.
Sipasa tij, në mënyrë që ta kontrollonin vetë dy forcat e mëdha, nuk pranuan as propozimin e tij për votimin elektronik të emigrantëve.
“Vota e diasporës e kam thënë që seancën e fundit të vitit të kaluar kur u votua; ‘është votë me para, e blerë, e diktuar’. I kam thënë edhe Celibashit, dhe ai ka thënë se është zgjedhje e Ramës dhe Berishës, jo e tij. Thuhet votë e fshehtë, por vetëm e fshehtë nuk është. Pra vota e shqiptarëve emigrantë as garantohet, as sigurohet, mund të votohet edhe familjarisht. Por edhe fakti se ligji penal shqiptar për blerjen e votës nuk aplikohet në një vend tjetër. Por nuk më hiqet nga mendja se të gjithë njerëzit e pushtetit u lëshuan për votën e diasporës, për regjistrimet, qofshin edhe ata të PD-së. Kjo është e paligjshme, është e dënueshme. U detyrua KQZ që të bënte ndërhyrje që regjistrimi të bëhej vetëm nga komisioneri i KQZ dhe asnjë tjetër”, tha ai.
Ndërsa rrëfeu edhe kulisat e dikurshme politike mes forcave të mëdha në kurriz të votave dhe shqiptarëve, kurse tani kanë vënë në dispozicion edhe 9,2 mln euro nga taksat e shqiptarëve. Ndaj sipas tij, duhej votimi elektronik, që i jepte fund dyshimeve.
“Personalisht kur kam qenë në komision, kam dhënë si zgjidhje për diasporën, sikurse edhe brenda, votimin elektronik. A e patë sesa po paguhen për votën e diasporës? Janë të paktën 9,2 milionë euro! Diaspora duhet të ketë përfaqësuesit e vetë edhe në listat e deputetëve, ata duhet të jenë të përfaqësuar. Ne kemi zgjedhur të mos shkojmë për fushatë, edhe për shkak të buxhetit. Ne kemi 13 kandidatë që vijnë nga Diaspora. Kandidati i diasporës duhet të jenë atje”, tha themeluesi i ‘Djathtas 1912’ për Report Tv.
Kurse gazetari Artur Nura, tha se është pozitive që bëhen spote ku paralajmërohen qytetarë dhe zyrtarë që të mos blejnë e shesin votën, pasi do ndëshkohen. Ai shtoi se tani ka edhe instrument të shtuar për hetimin e tyre nga Prokuroria e Posaçme dhe task-forca e ngritur, ndaj beson se fenomeni do jetë pak ose aspak i pranishëm.
“Fakti që po bëhen spote, me task-forcën e Prokurorisë dhe instrumentin plus të ndërkombëtarëve, mendoj se do ketë zgjedhje më ‘fair’. Pra i thuhet qytetarëve dhe të gjithëve që kush shet e ble votën, ndëshkohet”, u shpreh gazetari.
Deputeti Enkelejd Alibeaj tha sot në ‘Studio Live’ se amerikanët nuk ikën asnjëherë nga SPAK, kurse Rama dhe Berisha u gëzuan para kohe duke ‘kënduar’, teksa kanë qëllim që ta godasin në mënyra të ndryshme, nëpërmjet bashkimit të votave në parlamentin e ardhshëm.
“Nisën të këndonin si Rama, ashtu dhe Berisha, kur amerikanët ikën nga SPAK. Rama tha “amerikanët ikën dhe PS ishte garancia e vetme”. Pra sipas tij SPAK ishte produkt politik. Çështja është se amerikanët u kthyen, por në fakt s’kanë ikur ndonjëherë, për fat të mirë. Tani institucioni i SPAK duhet të ecë me këmbët e veta. Unë mendoj se si kanë qenë dhe si s’kanë qenë amerikanët, SPAK dha provën më të madhe në optikën time me goditjen që bënë dhe tregoi se është institucion koshient për punën e vetë. SPAK i dha edhe mesazh politikës dhe modelit të vjetër. Megjithëse perfeksioni duhet ta pranojmë është ende larg”, shprehet ai.
Ndërsa për reformimin e mëtejshëm, u shpreh kundër lëvizjeve dhe mënyrave të Berishës dhe Ramës, njëri që ta ribëjë nga e para, dhe tjetri me 'Komisionin Xhafaj'. Alibeaj thotë se ndryshimi duhet të vijë nga vetë brenda sistemit të drejtësisë.
“Mjeti për ta përmirësuar nuk duhet të vijë nga jashtë, e aq më tepër nga politika. Ndaj isha kritik për lëvizjen e Ramës dhe Xhafës për Komisionin Parlamentar, sepse është politik, pushtetet janë të ndara. Nuk përmirësohet kështu SPAK-u. Ka nevojë për përmirësime ligjesh, por duhet të vijë si kërkesë nga sistemi i drejtësisë e politika t’i shërbejë, jo të vijë si zgjidhje nga politika. Jo që institucionet ta bllokojnë SPAK-un, siç ishte raporti i Dumanit për vitin 2024, lidhur me rënien e referimeve nga Policia. Ato duhet të bashkëpunojnë dhe ndihmojnë SPAK”, shprehet deputeti.
Ai nuk jep dakordësi me mënyrën se si po publikohen materialet përgjime nga dosja e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke thënë se cenohet jo vetëm siguria kombëtare dhe fizike, por edhe hetimi. Ai u shpreh në favor të kritikave ndaj institucioneve të drejtësisë dhe se zgjidhjet gjeheshin në sallën e gjyqit dhe jashtë saj.
Alibeaj e sheh standardin e dyfishtë të ndjekur nga SPAK-GJKKO për rastet Berisha që ndodhet i lirë dhe Veliaj që ndodhet i paraburgosur në akuza të njëjta, por nënvizoi se zgjidhja gjendet vetëm në gjykatë. Edhe për publikimin e përgjimeve u shpreh kundër.
“Kritikat duhet të jenë konstruktive, sulmet abuzive nuk janë të mira, përpirësimi duhet të vijë nga brenda. Pra të gjendet brenda sallës së gjyqit zgjidhja, ligjore dhe juridike, si për rastin Veliaj edhe për atë Berisha, ku njëri është jashtë e tjetri brenda. Kodi i Procedurës Penale është marrë nga ai Italian, nuk është diçka e re. Dhe kjo nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, sesi mblidhen provat. Pretendime do ketë dhe duhet të ketë. Mirë do ishte edhe që gazetari në lidhje me publikimin e përgjimeve të Veliajt, të ruhej edhe siguria publike apo edhe të mos cenohej ajo siguri apo hetimi”, nënvizon themeluesi i ‘Djathtas 1912’.
Dyshimet i ngriti edhe gazetari Artur Nura, që ia ngriti si pyetje deputetit standardin e dyfishtë në rastet Berisha-Veliaj.
“Ngre dyshime për standardin e SPAK-GJKKO me rastet Berisha dhe Veliaj. Jemi pro publikimit të dokumenteve si gazetarë, por duhet ndarë na i sjellin apo i gjejmë”, u shpreh ai.
Komente
