Shëndeti

Altin Joka: Ja pse keni nivel të ulët të hekurit në organizëm dhe cilat ushqime duhet të konsumoni për të rritur hekurin

29 Janar, 15:44| Përditesimi: 29 Janar, 15:51

  • Share

I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për hekurin në organizëm, sesi ndikon në trupin tonë kur mungon, apo dhe për trajtimin për të normalizuar hekurin në mënyrë natyrale. Sipas studimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, gati 30% e popullsisë në botë vuajnë mungesën e hekurit në organizëm.

”Në një shkrim të New York Post, u pa se kjo shifër është të paktën 60% në vendet e zhvilluara” tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se gratë kanë më problematika me Hekurin, në krahasim me burrat, sidomos gratë gjatë shtatëzanisë apo dhe fëmijët kur ky nivel e kalon rreth 70%.

Dy janë arsyet dhe faktorët kryesor, së pari ne sot po marrim më pak hekur sesa kanë marrë të parët tanë, afërsisht 12-13 miligram hekur në ditë, ndërsa të parët tanë kanë marrë rreth 22-25 miligram hekur në ditë.

”Nga sasia 13 miligram hekur, ne përthithim 4-5 miligram, pra sasia ulet dhe shkaktarët janë të shumtë. Marrja e suplementeve farmaceutike nuk është zgjidhje, pa gjetur shkaktarët kryesor të rënies së hekurit në organizëm. Duhet të kuptojmë se hekuri tretet në stomak, aty nis procesi i tij, personat që konsumojnë nivele të larta të antiacideve kanë probleme me hekurin, disbalancimi i zorrës është një shkaktar tjetër, alegjia ndaj glutenit gjithashtu është faktor, kandita në trupin tonë është një arsye tjetër”, tha Altini.

Problemi me shpretkën është gjithashtu ndikues tek niveli i hekurit, nivelet e larta të menstruacioneve të grave krijojnë ulje të nivelit të hekurit në trup. Sëmundjet e kyçeve, të eshtrave, gjithashtu tregojnë nivel të ulët të hekurit, sikurse dhe gjendra e tiroides e cila nëse nuk funksionon në rregull, ul nivelin e hekurit në trup. Problemet në mëlçi ose veshka gjithashtu krijojnë mospërthithjen e hekurit në organizëm, shtoi Altini.

“Nëse një person përdor, paracetamol në sasi, aspirina, apo ibupofren, niveli i hekurit në trup ulet ndjeshëm. Në një studim ka dalë se pirja e çajit të zi, ul përqindjen e hekurit në organizëm”, shtoi Joka.

Por cilat janë simptomat dhe shenjat e fshehta që tregojnë se kemi mungesë hekuri në organizëm?

“Lodhja trupore, lëkurë e zbehtë, dhimbja e shpeshtë e kokës, aritmia apo takikardia, pjesët e bardha të thonjve në mes tregojnë që kemi nivel të ulët të hekurit, gjithashtu rënia e flokëve mund të jetë një nga arsyet e hekurit të ulët. Është parë se personat që kanë një dëshirë të madhe për të konsumuar pizza, sipas një studimi, kanë mungesë hekuri” tha Altini, duke shtuar se dhe personat që kanë dëshirë të konsumojnë akullin, kanë mungesë hekuri. Humbja e kujtesës apo e përqëndrimit është gjithashtu faktor tregues, dhimbja e brendshme e gjuhës, plasaritja e cepave të buzës, kruarjet e shpeshta janë gjithashtu element tregues. Qeskat e syve të enjtura janë gjithashtu tregues, sikurse zhurma në vesh apo fryrje të duarve apo të këmbëve.

Sipas Altinit, personat që kanë ankth, depresion, mungesë gjumi, rrahje të parregullta të zemrës, kanë mungesë të theksuar të hekurit në organizëm.

Po si mund të rrisim nivelin e hekurit në organizëm në mënyrë natyrale?

“Nëse konsumojmë vitaminë C çdo ditë, një sasi rreth 200 miligram, mund të mbajmë balancën e hekurit në organizëm. Së dyti, niveli i vitaminës A, ushqimet në nivele të larta të acidit malik, konsumimi i frutave si molla, shalqi, dardha, brokoli, konsumimi i ushqimeve të pasura me probiotikë. Konsumi i panxharit gjithashtu ndikon në nivelet e hekurit. Konsumi i farave të susamit dhe vajit ka gjithashtu ndikim pozitiv. Konsumi i hurmave arabe është shumë determinant, sherebela është gjithashtu një nga përthithësit kryesor të hekurit në organizëm”, rekomandon nutricionisti dhe specialisti i mjekësisë holistike.

Altin Joka tha dhe se marrja e suplementeve në sasi të mëdha ngarkon mikrobiomën tonë të zorrës dhe jep efektin e kundërt të dëshiruar. “Disa studime kanë treguar se në momentin që kalojmë një traumë, një shqetësim, apo debat, për rreth 25 minuta niveli i hekurit në trup bie” tha Altini, kjo quhet ‘sekuestrimi i hekurit’, ndaj dhe këshillohet që nëse një ditë më parë ke qenë i stresuar apo ke patur një detat të mos bëhen analiza dhe matje të hekurit.  Në fund të bisedës Altini tha se mungesa e hekurit në trup, mund të ketë dhe faktor genetikisht të trashëguar. 

 

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?