I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia, Altin Joka, i cili foli për aneminë, shkaktarët dhe trajtimin.
“Anemia është kthyer në një lloj pandemie, ku 35-40% e grave kanë anemi, ndërsa kjo shifër shkon në 50% tek gratë shtatzëna”, – tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se është vënë re se edhe fëmijët e vegjël kanë probleme me aneminë.
Po cilat janë shkaqet kryesore të anemisë?
“Së pari, është mungesa e tepruar e hekurit; së dyti, zhvillimi i helikobakterit në stomak; së treti, problemet me tiroiden, pa harruar nivelet e mikroflorës, pra disbalancimin e baktereve tona. Më pas vijnë problemet në sistemin limfatik. Ardhja e shpeshtë e menstruacioneve është gjithashtu një element tregues, si edhe mosfunksionimi i mirë i veshkave, problemet e mëlçisë apo sëmundjet autoimune. Një shkak tjetër është përdorimi i lartë i suplementeve, ndaj edhe anemia është rritur së tepërmi, duke u bazuar në statistikat. Mungesa e vitaminës B12 është gjithashtu një element tregues”.
Me rritjen e moshës, elementët e anemisë bëhen më të dukshëm, pa anashkaluar ushqimin apo stilin e jetesës. Nuk duhen harruar edhe problemet e trashëguara, theksoi eksperti i mjekësisë holistike Joka.
Cilat janë sinjalet që jep trupi për të kuptuar që kemi anemi?
Së pari, zbehja e lëkurës, rrahjet e shpeshta të zemrës apo frymëmarrja e vështirësuar, dhimbje koke e përhershme, ndjesia e tingujve të brendshëm, ndryshimi herë pas here i shijes, ndjesia e gjilpërave në trup, gjuha e çarë apo e lënduar, rënia e flokëve apo dëshira për të ngrënë sa më shumë brumëra. Gjithashtu nëse kemi buzët e çara, kjo mund të jetë një tregues i anemisë, ashtu si edhe gjumi i shtuar.
“Mund të takojmë majat e gishtave dhe, pas 2-3 sekondash, nëse i shkëpusim dhe ato mbeten të bardha, probabiliteti i anemisë është i lartë” – theksoi Altini, duke shtuar se për të parë nëse kemi probleme me aneminë, duhet bërë së pari analiza e hemoglobinës dhe kontrolluar nëse ka mungesë të vitaminës B12.
Çfarë sjell anemia e patrajtuar?
Probleme në sistemin kardiovaskular, zgjerim të zemrës, ulje të tensionit, probleme në sistemin nervor dhe në atë gastrointestinal.
Pyetjes së moderatores sesi të trajtojmë aneminë, Joka i përgjigjet duke thënë se më e rëndësishmja është që së pari të largojmë ushqimet që shkaktojnë mospërthithje të hekurit. Duhet të eliminojmë antiacidet, si edhe të shtojmë ushqime me nivele të larta të betakarotenit.
“Rritja e acideve organike është një tjetër element, si edhe shtimi i ushqimeve me vitaminë C dhe acid laktik. Rekomandohet konsumimi i mishit, mëlçive, midhjeve, fasuleve apo frutave të detit. Nëse kombinojmë fasulet me mish, përthithja e hekurit është më e mirë, duke shmangur brumërat. Më shumë problem paraqet përthithja e hekurit sesa sasia që marrim në ditë”, nënvizoi ai.
Në fund të bisedës, Joka tregoi si mund të jetë një ditë ushqimore e një personi që vuan nga anemia.
“Mund të bëjmë një kombinim midis spinaqit, erëzave dhe disa farave, algave deti apo çajrave. Mëngjesi mund të jetë i thjeshtë: domate, pak gjizë fshati, vaj ulliri, erëza dhe vezë. Rekomandohet konsumimi i arrave, sallatave, farave të susamit; duhet të shtojmë midhjet, panxharin e kuq dhe sardelet. Në darkë, rekomandohet të konsumohet çaji i trëndafilit dhe boronicës, apo një kos me fruta dhe arra”.
Komente
