Karl Bergner, ambasadori gjerman në Tiranë
Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, ishte një nga pjesëmarrësit në Konferencën e Komisioneve të Integrimit për Çështjet Europiane dhe procesin e asociim-stabilizimit për negociatat drejt anëtarësimit në BE.
Ai mbështeti pa rezerva procesin e zgjerimit të BE, duke thënë se ka qenë një prej atyre që kanë shprehur aprovimin për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, teksa theksoi edhe dakordësinë e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë, pas hapave të mëdhenj që ka bërë.
“Shqipëria do jetë e mirëpritur javën e ardhshme në panairin e madh të Turizmit. Por edhe Konferenca e Gjykatës Kushtetuese që pritet të zhvillohet këtu. Janë ngjarje të rëndësishme, ku mund të bëheni pjesë. Plani i Zhvillimit në Ballkanin perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe duhet t’i jepet shumë vëmendje. Dua të përmend edhe rolin e parlamenteve që kanë qëllim të përbashkët, anëtarësimin në BE. Jeni vende në procese të ndryshme. Gjithmonë kam mbështetur integrimin në BE të rajonit dhe Ballkanit Perëndimor, e kjo mbi bazën e meritave”, tha Bergner.
Diplomati i lartë pranoi se procesi i zgjerimit nuk ka ecur ashtu siç duhet për shkak edhe të problematikave apo teknikaliteteve, por ai përgëzoi vendet, përfshi Shqipërinë, për këmbënguljen dhe vijimin e reformave dhe procesit për të shkuar drejt BE-së.
“Anëtarësimi në BE nuk ka ecur ashtu siç ishte parashikuar në Procesin e Berlinit, por kjo po vijon dhe po tregohet vullneti i madh i vendeve. Këto aktivitete tregojnë vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve. Këto janë procese komplekse teknike. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ndaj ka edhe detyrimin për të informuar nëpërmjet Parlamentit, partive politike dhe institucioneve. Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndaj ne jemi këtu për t’ju mbështetur më tej në këtë rrugë dhe proces integrimi”, tha ndër të tjera ambasadori.
Lajmi kryesor:
Negociatat përplasin PS-PD, Tabaku: Jemi pro integrimit, por s'ka transparencë! Spiropali: S’ka plan B përveç integrimit në BE! Hasani: S’jam këtu për fushatë
A.Q/ReportTv.al
