Në progres raportin e BE për vitin 2024 thuhet se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por Brukseli ngre shqetësim për amnistinë penale. Në progres raport thuhet se përfituan 105 të dënuar nga GJKKO.
BE thotë se Shqipëria duhet të abstenojë çdo veprim, përfshirë edhe amnistinë, nëse ka ndikim negativ në luftën e SPAK kundër korrupsionit.
“Në prill të vitit 2024, Shqipëria miratoi një ligj që u jep amnisti rreth 700 të burgosurve dhe ul dënimin e mbi 400 individëve, përfshirë zyrtarë të nivelit të mesëm, nënkryetarë bashkie dhe sekretarë të përgjithshëm të dënuar për korrupsion. Gjithsej 40 persona të dënuar nga gjykatat e SPAK-ut morën falje të plotë dhe 65 personave iu reduktuan dënimet sipas këtij ligji. Gjithashtu, 12 persona nën mandatin e SPAK kanë përfituar nga amnistia për ndjekjen penale dhe çështja e tyre është pushuar. Shqipëria duhet të abstenojë nga çdo veprim, përfshirë legjislacionin e amnistisë, i cili ka një ndikim negativ në luftën e SPAK-ut kundër korrupsionit. Numri i raporteve të sinjalizuesve mbetet i ulët. Gjatë vitit 2023, ILDKPKI ka shqyrtuar 13 denoncime të reja dhe një kërkesë për mbrojtje kundër hakmarrjes, si dhe është vendosur gjobë administrative në 11 raste. Perceptimi tek publiku, ekspertët dhe bizneset është se ka një nivel të lartë korrupsioni në sektorin publik. Ky perceptim ka mbetur relativisht i qëndrueshëm në vitet e fundit”, thuhet në progres raport.
Lajmi kryesor:
Report Tv siguron Progres raportin e BE për Shqipërinë: Mbështesim objektivin e qeverisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në 2027! Përparim në luftën kundër korrupsionit
SI.E./ReportTv.al