Politikë

Amnistia, Denaj: Tarifa që do të paguhet e ulët, frymëmarrje bankave për kredi (VIDEO)

2 Mars 2020, 12:20| Përditesimi: 2 Mars 2020, 14:53

  • Share

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave u shpreh se tarifa që do të paguhet për deklarimin e pasurisë në kuadër të amnistisë që do të bëhet, do të jetë e ulët. "Sikundër e ritheksoi edhe Kryeministri Rama në Parlament, kjo nuk është një nismë që zbatohet për herë të parë. Kjo është zbatuar  edhe  në vende të tjera, të cilat ne do t’i marrim në referencë për t’i parë gjatë procesit për të cilin jemi duke punuar. Sigurisht kjo nismë do të përfshijë edhe ekspertë të huaj, do të jetë brenda standardeve ndërkombëtare. Synon të përmirësojë një aspekt tjetër drejt formalizimit të ekonomisë, që tashmë ka nisur me procesin e Fiskalizmit, ka nisur me organizimet e institucioneve, qoftë me ato të Ministrisë së Financave, por edhe me ato të Ministrisë së Brendshme.

Natyrisht ky është një proces që nuk ka nisur tani, jemi duke diskutuar me grupet tona teknike dhe me pas do të jepet si një propozim shumë shpejt edhe për grupet e interesit, por detajet do të mund t’i japim pasi të kemi në dorë një draft. Koha dhe elementë të tjerë gjithashtu do të jenë pjesë e diskutimeve dhe këtij drafti, pasi është pak herët për të folur në këtë stad ku jemi aktualisht. Për qeverinë shqiptare formalizimi i ekonomisë është një prioritet për zhvillimin e saj, po kështu edhe forcimi i të gjitha masave që merren për të përmirësuar edhe barazinë  mes bizneseve.

Nga ana tjetër më lejoni të theksoj se kjo amnisti nuk është për një përfaqësi mazhorance, por për të gjitha bizneset dhe ato nuk kanë ngjyrim politik. Në varësi të të gjitha detajeve teknike, të cilat do të qartësojnë edhe e tej atë që z. Kryeministër ka anonçuar, diferencën mes të dy grupeve, atyre që kanë punuar dhe kanë diferenca mes realitetit dhe pasqyrave fiskale dhe atyre që kanë realizuar qoftë me deklarime ose jo të ardhura, veprimtari që janë të jashtëligjshme. Për ne kjo diferencë është e qartë dhe do të duhet të jetë e markuar mirë, me instrumente të diferencuara dhe në këtë aspekt mendoj se do t’i bëj mirë gjithë procesit  të konsultimit publik. Konsultimi publik   do të përfshijë të gjithë grupet e interesit për të adresuar të plota çështjet, por mbi të gjitha për të marrë një zhvillim ekonomik, i cili do të kërkonte që bizneset tona prej 30 vjetësh të tejkalonin në veçanti deklarimet e pasqyrave financiare, që shpesh nuk janë ato reale. Sektori bankar është ai që e ndjen më shumë. Ju tashmë e dini se që prej janarit 2018 sektori bankar në kredidhënien e tij punon vetëm me pasqyra financiare dhe ka një ngërç mes këtyre pasqyrave dhe gjendjes reale. Ndaj një gjë e tillë besojmë se do t’i japë një frymëmarrje edhe kreditimit. Kjo amnisti nuk ka të bëj me një parti, por kërkon konsensusin e të gjitha palëve dhe sigurisht në këtë proces do të donim që nga të gjithë të shihej në këtë frymë dhe të aprovohej.

Ende nuk mund të japim detaje në lidhur me nivelin e taksimit që do të zbatohet, jemi duke diskutuar për disa shifra. Do të jetë një nivel i ulët dhe që do të mundësonte që për kohën që amnistia do të zbatohet të mund të realizojë deklarimin e aseteve kundrejt realitetit dhe të ketë mundësi të japi një frymëmarrje edhe biznesit drejt formalizimit të tij, sidomos atyre të mesme dhe të mëdha drejt tregjeve të kapitalit. Më duhet të theksoi edhe një herë se ky nuk është instrumenti i vetëm për të formalizuar ekonominë. Që prej vitit të kaluar ne kemi nisur ligjin e Fiskalizimit, i cili nuk ka kthim mbrapa, është miratuar në Parlament, ka një datë fillimi që është 1 Janari 2020, ka një periudhë tranzitore që do të ndihmojë për të gjitha instrumentet e anoncuara te biznesi në mënyrë që të kuptohen sa më drejtë, sikundër ka edhe një fillim në datë 1 Shtator" tha ajo. 


Lajmi kryesor:

Amnistia për pasuritë, Rama: Do ketë taksë! Kategoritë që përjashtohen! 420 euro nëse doni të punoni në rindërtim


  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?