Politikë

6 pikat e miratuara në Samit, liderët e BE nga Sllovenia: Unioni i paplotë pa Ballkanin, plan 30 mld euro për rajonin! Rama: BE po humbet fytyrën në sytë e popujve tanë

6 Tetor 2021, 07:49| Përditesimi: 6 Tetor 2021, 22:37

  • Share

Teksa janë shtuar zërat e fortë pro anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, liderë të vendeve të Rajonit dhe krerë të lartë të Unionit janë mbledhur sot në Samitin e Brdos në Slloveni. I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, i cili është nisur atje direkt pas vizitës në Spanjë, ku ishte i pranishëm për marrëveshje me universitetet prestigjioze.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, liderët e BE-së, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Presidenti i Sllovenisë që mban presidencën e radhës të BE, Janez Jansa, dhanë përfundimet e Samitit. 

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e filloi konferencën me theksimin se vlerat themelore, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit janë në ADN -në evropiane, të cilat sipas tij duhet të jenë zgjedhja për qeverinë e Ballkanit Perëndimor.

 “Ka një diskutim të vazhdueshëm midis 27 për kapacitetin tonë për të pranuar të ardhmen e Evropës, ne duhet të punojmë më tej“, tha Michel, duke shtuar se, 'Deklarata e sotme është e dendur dhe thelbësore.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e kishte mesazhin e qartë. Ajo tha se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të zgjidhin problemin e tyre dhe të hapen negociatat me Shkupin e Tiranës.

Von der Leyen tha se Bashkimi Europian ka një plan 30 miliardësh për zhvillimin e rajonit dhe e vuri theksin te një treg i përbashkët rajonal. 

"Plani ekonomik është shumë i rëndësishëm dhe është në qendër të angazhimit tonë në rajon. Kemi një plan të madh, me 30 miliardë euro për rajonin. Duhet një treg i përbashkët rajonal", tha ajo.  

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në samit tha se nuk ka besimin se Bullgaria do të kapërcejë ngërçin, ndërsa shtoi BE-ja duhet të interesohet për Ballkanin Perëndimor sepse po humbet fytyrën në sytë e popujve të 6 vendeve në rajon. Rama tha se shpreson që kjo bllokadë të mos kthehet në një histori pa fund.

Dje, në ditën e parë të Samitit, krerët e lartë të BE dhanë mesazhe të forta duke rikonfirmuar unitetin e Unionit.

"Ne duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin para se të forcojmë unitetin tonë, pasi qasja jonë e përbashkët është ADN-ja e Bashkimit Europian",  deklaroi dje për gazetarët presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Pikat e përbashkëta të mbledhjes së Samitit në Slloveni të udhëheqësve të BE-së dhe shteteve anëtare, në konsultim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor:

1. BE riafirmon mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në perspektivën evropiane, e cila është në interesin tonë të përbashkët strategjik dhe mbetet zgjedhja jonë e përbashkët strategjike. BE rikonfirmon angazhimin e tij për procesin e zgjerimit dhe vendimet e tij të marra mbi të, bazuar në reformat e besueshme nga partnerët, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta. Ne do të intensifikojmë më tej angazhimin tonë të përbashkët për të çuar përpara transformimin politik, ekonomik dhe social të rajonit, duke pranuar përparimin e bërë nga Ballkani Perëndimor. Ne gjithashtu kujtojmë rëndësinë që BE mund të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke siguruar kapacitetin e saj për të integruar anëtarë të rinj.

2. Partnerët e Ballkanit Perëndimor përsërisin përkushtimin e tyre ndaj vlerave dhe parimeve evropiane dhe kryerjes së reformave të nevojshme në interes të njerëzve të tyre. BE përshëndet angazhimin e përsëritur të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për parësinë e demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, dhe për të vazhduar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbështetjen për qeverisje të mirë, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme, dhe ndërtimi i një historiku të qëndrueshëm të mbështetur nga komunikimi publik i qartë dhe i qëndrueshëm. Një shoqëri civile e fuqizuar dhe media e pavarur dhe pluraliste janë përbërës thelbësorë të çdo sistemi demokratik dhe ne mirëpresim dhe mbështesim rolin që ata luajnë në Ballkanin Perëndimor.

3. BE -ja është partneri më i afërt i rajonit, investitori kryesor dhe donatori kryesor. Shkalla dhe sfera e paparë e kësaj mbështetjeje duhet të njihet plotësisht dhe të përcillet nga partnerët në debatin dhe komunikimin e tyre publik.

4. Mbështetja e BE-së do të vazhdojë të lidhet me përparimin e prekshëm në sundimin e ligjit dhe reformat socio-ekonomike, si dhe me respektimin e vlerave, rregullave dhe standardeve evropiane nga partnerët.

5. BE -ja mbështet plotësisht angazhimin e ripohuar të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përfshirë edhe me Shtetet Anëtare të BE -së. Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, mbetet e rëndësishme. Më tej, kërkohen përpjekje vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe të partnerëve dhe çështjet e rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe parimet e vendosura, përfshirë Marrëveshjen për Çështjet e Suksesionit, dhe rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës.

6. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim përparim konkret nga të dy palët në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis tyre, i cili është kritik për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonin dhe për të siguruar që ata të mund të vazhdojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.

 

Ora 22:16
SHBA: BE ta mbajë derën hapur për Ballkanin Perëndimor

Departamenti amerikan i Shtetit vlerësoi zotimin e Bashkimit Evropian për të mbajtur “derën hapur” për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne e mirëpresim deklaratën e BE-së për Ballkanin Perëndimor”, tha zëdhënësi i këtij institucioni, Ned Price, në një postim në Twitter.

“Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia vazhdojnë të demonstrojnë angazhimin e tyre për reforma. Është e rëndësishme që dera e BE-së të mbahet hapur për ta”, tha Price.

Ora 17:45
Këshilli ambasadorëve thirrje BE-së pas samitit në Bordo: Kosovës t'i liberalizohen vizat, Shqipërisë t'i hapen negociatat

Këshilli i ambasadorëve shqiptarë ka mirëpritur Samitin Brdo mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. Mirëpo në një deklaratë, KASH iu bën thirrje vendeve të unionit të liberalizojnë vizat me Kosovën, ashtu siç është bërë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Teksa një thirrje ka pasur edhe për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 “BE është bërë qartësisht partneri më i afërt i rajonit, investitori dhe donatori kryesor, në përputhje me qasjen natyrale dhe strategjike të të ardhmes së Kontinentit.

KASH përshëndet përforcimin e mëtejshëm të kësaj qasjeje me Planin ambicioz të Investimeve Ekonomike dhe Agjendën e re të Inovacionit për Ballkanin Perëndimor, duke trajtuar sfidat aktuale të vendeve dhe popujve tanë, siç janë depresioni ekonomik dhe migrimi.

KASH u bën thirrje qeverive të vendeve të BP-së për një qasje më aktive në zbatimin e reformave të besueshme, veçanërisht në funksion të përmbushjes së angazhimit të tyre që premton për vlerat dhe parimet evropiane.

Duke përshëndetur vendimin për organizimin e Samiteve të rregullta BE-Ballkanin Perëndimor, KASH u bën thirrje shteteve anëtare të BE-së për hapjen e shpejtë të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe heqjen regjimit të vizave me Kosovën, sikundër ka ndodhur me të gjitha vendet e tjera të rajonit”, thuhet në deklaratën e KASH.

Ora 17:23
Holanda 'zbut' qëndrim ndaj Shqipërisë, Rutte kritika Bullgarisë: Nuk jam fare i kënaqur, zhbllokimi i të ndodhë sa më shpejt

Holanda, një prej vendeve më skeptike ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, duket se ka ndryshuar krejtësisht qëndrim, pasi ka kritikuar hapur Bullgarinë për pengesën që po bën ndaj Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se nuk ishte i kënaqur me qëndrimin e mbajtur nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut, një vendim që po pengon gjithashtu edhe negociatat me Shqipërinë.

“Ne duhet të presim për zgjedhjet në Bullgari, por nuk jam i kënaqur me faktin se nisja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut është ende e bllokuar. Unë mendoj se duhet të zhbllokohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne e dimë se do të ndodhë, me shumë shpresë, pas zgjedhjeve në Bullgari. Ne do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta arritur atë ”, tha kryeministri Rutte.

Ora 17:08
Veto e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, ‘përplas’ kryeministrin Rama me presidentin bullgar: Po dëmtoni imazhin e BE

Samiti BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Brdo të Sllovenisë nuk dha asnjë datë për konferencën ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe pse vetë kryeministri Edi Rama ishte shprehur më herët se nuk e priste që një gjë e tillë të ndodhte. Megjithatë mbajtja peng e Shqipërisë për integrimin në BE për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Shkupit, nuk ka kaluar pa debate në samit mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentin bullgar, Rumen Radev.

Vetë presidenti bullgar tha se "fshirja delikate" e identitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut duhet të ndalet para se Bullgaria të heqë veton e saj mbi negociatat e pranimit të Shkupit në BE. Presidenti bullgar foli me tone të ashpra ndaj Maqedonisë së Veriut,  ku tha se Sofja këmbëngul në përgatitjen e një udhërrëfyesi me "garanci me shkrim" që Maqedonia e Veriut nuk do të ushtronte presion ndaj minoritet bullgar atje, që sipas Radev paskan frikë të vetëdeklarohen. Vetëm kur të arrihet kjo Bullgari premton të heq veton e saj për integrimin e Shkupit, dhe rrjedhimisht edhe Tiranës zyrtare, që po trajtohen në grup nga BE për hapjen e negociatave.

"Republika e Maqedonisë së Veriut nuk mund t'i shpëtojë katarsisit të saj. Për sa kohë që ky lloj" procesi i ringjalljes "(në Maqedoninë e Veriut) vazhdon, për sa kohë që bashkatdhetarët tanë i nënshtrohen një fshirjeje delikate të identitetit të tyre derisa të drejtat e tyre themelore të shtypen, dhe ata nuk janë integruar plotësisht në Republikën e Veriut Maqedonia së bashku me pjesët e tjera të popullsisë, nuk ka asnjë mënyrë që ne të themi "po" për fillimin e negociatave. Kjo nuk është as veto as ndalim i procesit; ne nuk duam më shumë sesa ajo që secili nga partnerët tanë evropianë, të respektojmë parimet dhe interesat themelore evropiane të secilit shtet anëtar të BE -së," tha presidenti bullgar.

Pikërisht këtu mësohet se ka ndodhur edhe përplasja me Ramën, i cili gjatë fjalës së tij tha se “nuk ka shpresa që Bullgaria të kalojë ngërçin, dhe se sjella e saj po i merr frymën BE-së”.  Rama tha gjatë fjalës në samit se “Bullgaria po mban peng jo vetëm Shkupin por edhe Tiranën dhe se kjo po dëmton edhe më shumë imazhin e BE.”

Përplasjet mes Ramës dhe Radev i konfirmoi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

“Fola me Macron për një kohë të gjatë, pata një përvojë pozitive. Ata nuk na dhanë datë. Rama pati një diskutim me Radev dhe ishte për personat që kërkojnë nënshtetësi bullgare. Macron mbajti një fjalim pozitiv për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor”, tha Vuçiç në një konferencë për mediat pas mbylljes së punimeve të samitit.

Ora 16:28
Merkel refuzon të caktojë një datë për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE: Asnjë vend s'i ka përmbushur kushtet

Kancelarja gjermane Angela Merkel hodhi poshtë thirrjet për të caktuar një datë për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

"Unë nuk besoj vërtet në caktimin e datave, besoj në përmbushjen e premtimeve tona: Pasi të plotësohen kushtet, pranimi mund të bëhet", u tha Merkel gazetarëve pas samitit të BE -së për Ballkanin në Slloveni.

Sipas Merkel caktimi i një afati do ta vendoste BE-në nën presion, pavarësisht nëse Ballkani Perëndimor i plotësonte kushtet e përcaktuara nga 27 vendet. Në konferencën për shtyp, kancelarja gjermane tha po ashtu, se deri më tani nuk mund të ketë ndonjë pranim, sepse asnjë vend nuk ka plotësuar kushtet.

Ora 16:16
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama: Kam humbur besimin se Bullgaria do kapërcejë ngërçin, deri atëherë mbështesni plotësisht ‘Open Balkan’

Ashtu siç kishte deklaruar më herët se nuk shpresonte që samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo të Sllovenisë  të sillte ndonjë ndryshim për integrimin e  Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama edhe gjatë fjalës së tij në samit tha se e ka humbur besimin se Bullgaria do kapërcejë ngërçin me Maqedoninë e Veriut, që po mban peng edhe Shqipërinë në integrimin në BE.

Teksa e konsideron fjalën ‘zgjerim’ si jehonë të së kaluarës, Rama shprehet se për shqiptarët është e dhimbshme që BE ende nuk mund të mbajë premtime e saj.,

“Shqiptarët janë komuniteti më pro-BE-së përreth për shkak të një të kaluare të veçantë të izolimit të ashpër nga Perëndimi Imperialist dhe Lindja Social-Imperialiste Sovjetike. Pas rënies së komunizmit, ata më në fund mund të zgjedhin lirshëm për herë të parë në historinë e tyre me kë të shoqërohen dhe ata kanë zgjedhur BE -në. Është mjaft e dhimbshme për ta të dëgjojnë nga BE -ja përsëri dhe përsëri se, po, natyrisht, Shqipëria ka bërë detyrat e shtëpisë, por për fat të keq BE -ja që ata adhurojnë nuk është në gjendje të përmbushë premtimet e saj. Me keqardhje them se kam humbur besimin se Bullgaria do të jetë në gjendje të kapërcejë ngërçin së shpejti, sepse ata duken të bllokuar nga zjarri që ndezën për të ngrohur votuesit e tyre me flakë nga e kaluara e lavdishme. Për votuesit e tillë nuk mund të ketë rëndësi që ata kanë marrë peng dy shtete, të cilat sipas të gjitha mendimeve janë të pafajshme dhe të pajtueshme. Por duhet të ketë rëndësi për BE -në që po humb fytyrën para njerëzve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Deri tani mund të shpresoj se ky bllokim i pakuptimtë nuk do të bëhet një ngjarje e përsëritur”, tha Rama.

Edhe pse BE ende nuk është gati të pranojë Ballkanin Perëndimor në gjirin e saj, Rama kërkon mbështetjen e saj për iniciativat ballkanike që nga nisma Open Ballkan deri tek integrimi në rrjetin e tij të arsimit të lartë  që do të ndihmojë të rinjtë dhe rritjen e investimeve ekonomike ne rajon.

“Së pari, BE mund të tregojë se thotë atë që do të thotë dhe do të thotë atë që thotë, duke mbështetur Ballkanin Perëndimor ekonomikisht përmes Planit Ekonomik dhe Investimeve.

Së dyti, BE mund të na ndihmojë të mbështesim të rinjtë tanë duke krijuar mekanizma integrimi në rrjetin e tij të arsimit të lartë për të na ndihmuar të mbajmë më të mirën dhe më të ndritshmin.

 Së treti, BE -ja mund të na ndihmojë duke mbështetur plotësisht nismën tonë për Ballkanin e Hapur, e cila është një përpjekje e bashkërenduar e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për të parandaluar që Procesi vizionar i Berlinit të bëhet një hije e tij dhe të kthehet në një turne vjetor të samiteve nëpër Evropë që përsëriten si ky samit përsërit atë të 18 viteve më parë, pa dhënë rezultate të prekshme. Ballkani i hapur është një përpjekje gjithëpërfshirëse e vërtetë për të realizuar 4 liritë e BE -së gjatë jetës sonë dhe brenda rajonit tonë, pa pritur një jetë tjetër për të parë integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor si një hapësirë ​​e vetme njerëzish, mallrash, kapitalesh dhe shërbimesh.Iniciativa Open Balkan është frymëzuar nga procesi i Berlinit. Të dy nuk kanë nevojë të vihen përballë njëri -tjetrit duke patronizuar qëndrimet dhe deklaratat konfuze. Ballkani i hapur pasqyron një nivel të ri të pjekurisë që vendet tona fituan përmes procesit të Berlinit dhe gjithashtu vullnetin për të zotëruar frymën e tij, duke shmangur ndërkohë mallkimin e një vetoje këtu dhe një vetoje atje nga vende të veçanta që mund të zgjedhin të mos vazhdojnë të njëjtën shpejtësi”, tha Rama.

Fjala e plote e Edi Ramës

Mirëse ju gjetëm!

Ja ku jemi. Të mbledhur 18 vjet pas samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në Selanik; koha që i duhet një bebeje për t'u bërë votues, pjesëtar me të drejta të plota i një bashkësie politike. Nëse i krahasojmë shënimet mes dy samiteve, mund të thuhet pa frikë se koha ka ndalur. Ngjashmëria mes fjalëve të shkruara atëherë dhe atyre sot është mbresëlënëse. Me një përjashtim. 18 vjet më parë fjala "zgjerim" ishte kredoja tingëlluese e të ardhmes. Sot e njëjta fjalë është bërë jehonë e ndrojtur e të shkuarës. Po njësoj, politika e re e zgjerimit duket sikur i bën jehonë politikës së vjetër të kufizimit. Por, "është ajo që është", siç do të thoshte zotëruesi i mëparshëm legjendar i Zyrës Ovale. Dhe unë nuk do të bezdis asnjë këtu me liturgjinë e ankesave që të gjithë ju i dini mirë.

Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të larë hesapet me të kaluarën e qepur këmba-këmbës pas saj, në emër të një të ardhmeje të ndritur europiane, nisën rreth 15 vjet më parë me statusin e vendit kandidat. Vendi shkoi aq larg në ato përpjekje, sa ndërroi edhe emrin. Po prapëseprapë nuk mjaftoi për të nisur as dhe një Konferencë Ndërqeveritare në Zoom me BE-në, drejt një procesi integrimi që mund të marrë edhe 18 vjet të tjera, përpara se sa anëtarësimi i plotë në BE të shfaqet si një fund i lumtur i mundshëm (që i bie në total 33 vjet nga marrja e statusit të vendit kandidat ose, me fjalë të tjera, mosha e Jezu Krishtin të gozhduar në kryq).

Unë i kam ndarë tanimë disa mendime rreth kësaj pune me bashkëqytetarët e mi. Siç ju mund ta kuptoni, kjo nuk është dhe aq e lehtë. Shqiptarët janë bashkësia më pro-europiane rretherrotull Europës, si rrjedhojë e një të kaluare të zymtë izolimi ekstrem nga Imperializmi Amerikan dhe Social-Imperializmi Sovjetik. Pas rënies së komunizmit, ne mundëm më në fund të zgjedhim lirisht për herë të parë në histori, se me kë donim të bashkoheshim. Dhe zgjodhëm njëzëri Bashkimin Europian. Është disi e dhimbshme për shqiptarët të dëgjojnë prej Europës përsëri e përsëri që, po, sigurisht, Shqipëria i ka bërë detyrat e saj, por prapëseprapë të se shohin BE-në që ata aq shumë e adhurojnë, fatkeqësisht mund të mos e mbajë fjalën e dhënë. Është ajo që është.

Ne ishim vendi i fundit që u qëndruam idealeve të komunizmit edhe pasi çdo vend tjetër në Europë i kishte braktisur ato. Mbase do të jemi shteti i fundit që do t'i qëndrojmë idealeve të BE-së edhe kur, kushedi, anëtari i fundit i Unionit do të ketë ndaluar së besuari në to. U kam thënë bashkëqytetarëve të mi që ne duhet të mësohemi me premtimet tuaja të pambajtura, pa e humbur pasionin, vullnetin, horizontin e transformimit të Shqipërisë në një shtet plotësisht funksional, mbi parimet dhe standartet e Bashkimit Europian. Këtë ia kemi borxh fëmijëve tanë, jo Brukselit, jo Berlinit, jo Parisit.

Natyrisht, shumë më e lehtë ta thuash se sa ta bësh. Ja, provojeni për një çast, si udhëheqës të zgjedhur nga njerëzit që jeni të gjithë, se sa kollaj mund të mbijetohet politikisht në rrethanat surreale që ky proces, prej kohësh totalisht i paparashikueshëm, krijon - ku dalja në pritë e Bullgarisë së fundmi, shënon vetëm kthesën më të re kreative në këtë film, jo të vetmen.

Me keqardhje e them që unë e kam humbur besimin se Bullgaria do të jetë në gjendje ta lirojë rrugën shpejt, sepse miqtë tanë bullgarë duken të zënë në kurthin e zjarrit që e ndezën për të ngrohur votuesit me flakët e një të kaluare plot lavdi. Ndoshta atyre votuesve as që u bëhet vonë që kanë marrë peng dy shtete, të cilat sipas të tëra hesapeve janë të pafajshme dhe krejt në rregull me detyrat. Por ama duhet t'i bëhet vonë BE-së, sepse po humbet fytyrën në sytë e popujve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tanimë unë mundem vetëm të shpresoj, që kjo bllokadë pa sens të mos kthehet në një histori pa fund.

Sidoqoftë më duhet megjithatë t'ju pyes:

Sa gjatë duhet të presë ende Shqipëria për ndezjen e dritës jeshile në këtë proces, i cili thuhet se bazohet mbi meritën, por që mesa duket tekefundit vetëm mbi meritën nuk bazohet? Por nuk do ta shtjelloj këtë pikë, sepse ka të ngjarë që tamam si Vladimiri, i cili nuk mund të ndahet nga Estragoni tek "Duke pritur Godonë", as Shqipëria s'mund të ndahet nga Maqedonia e Veriut në këtë version post-faktual të procesit të integrimit europian.

Po si i bëhet për shembull, për ekzistencën e 2 milionë qytetarëve të Kosovës ende të kyçur brenda në vendin e tyre, disa vjet pasi vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave? A nuk është surreale që ata mund të udhëtonin lirisht jashtë vendit të tyre, kur ishin nën një regjim brutal i cili u rrëzua me bombat e SHBA dhe BE, ndërsa sot ata janë të kyçur brenda nga vetë çlirimtarët e tyre?

Meqë ra llafi BE-ja ka liberalizuar vizat për 52 milionë njerëz jashtë hartës së ardhshme të Unionit dhe jo vetëm përpara, po edhe pasi ajo vetë ka deklaruar, publikisht, se Kosova i përmbushi të gjitha kriteret teknike; madje përmbushi edhe një kriter pa lidhje, që iu kërkua shtesë, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. E di e di, është ajo që është.

Gjithësesi sido të shkojë saga e zgjerimit, ka megjithatë hapa konkretë që mund të hidhen për t'i bërë vendet tona pjesë të BE-së, përveçse në emër. Mbase BE-ja nuk e mban dot për shumë kohë premtimin për zgjerimin. Por nëse vendet e Ballkani Perëndimor nuk shkojnë dot në BE, BE-ja mund të vijë në Ballkanin Perëndimor. Dhe mund ta bëjë këtë në rrugën që ajo ka bërë vetë, qysh në krye të herës, duke ndjekur metodën funksionaliste të etërve të saj themelues.

E para, BE-ja duhet të tregojë që thotë atë që mendon dhe mendon atë që thotë, duke e mbështetur Ballkanin Perëndimor përmes Planit Ekonomik të Investimeve. Plani duket vërtetë shumë ambicioz, ndërsa modus operandi i deritanishëm për jetësimin e tij jo dhe aq - mos qoftë e thënë që edhe ky plan të zvarritet si integrimi europian. Një kujtesë këtu: Vendet tona kanë akses në 11 herë më pak fonde europiane për frymë, sesa fqinjët tanë anëtarë të Bashkimit Europian.

E dyta, BE-ja mund ta mbështesë rininë tonë, duke e përfshirë atë në të njëjtët mekanizma integrues në rrjetin e saj të arsimit të lartë, që më të mirët tanë të studiojnë në vendet e tyre. Universitetet tona mund të bëhen pjesë e strukturave dhe programeve të arsimit të lartë europian, të kenë diploma të përbashkëta e të sigurojnë për studentët tanë shtigje studimi të njëjta me ato të studentëve në vendet tuaja, që të rinjtë e vendeve tona të mos e ndjejnë nevojën të ikin patjetër jashtë për studime, po edhe të kenë shumë më tepër shanse pas studimeve në atdheun e tyre.

E treta, BE-ja duhet ta mbështesë plotësisht Ballkanin e Hapur, që është një nismë e dakordësuar mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për të mos lejuar që procesi vizionar i Berlinit të katandiset në hijen e vetvetes, e të kthehet në një tur samitesh të përvitshme nëpër Europë, të cilat përsërisin vetveten, njësoj siç përsërit ky samit atë të 18 viteve më parë, pa sjellë rezutate të reja të prekshme për njerëzit tanë. Ballkani i Hapur është një përpjekje inkluzive krejt gjenuine, për të realizuar në këtë jetë 4 liritë e BE-së në rajonin tonë, pa pritur për një jetë tjetër që të kemi integrimin e rajonit si një hapësirë lirie të plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve e kapitaleve. Nisma e Ballkanit të Hapur është e frymëzuar nga Procesi i Berlinit. Të dyja s'ka pse i kundërvendos askush me njëra-tjetrën përmes qasjesh patronaliste apo deklarimesh konfuze. Ballkani i Hapur reflekton një nivel të ri pjekurie, që vendet e kanë fituar përmes Procesit të Berlinit dhe një vullnet për ta marrë në dorë të ardhmen e përbashkët, pa pritur "takimet me prindër", si edhe duke shmangur frenimin prej një vetoje këtu e të një vetoje atje, nga një vend a një tjetër, që në të drejtën e vet mund të mos e dëshirojë të njëjtën shpejtësi integrimi rajonal.

Ne thjesht duam të punojmë pa u ndalur për të ardhmen, pa qenë të detyruar të varemi nga rruga e vjetër problematike e krijimit të konsensusit mes të gjithëve, për çdo hap që duam të hedhim; kjo rrugë na kthen në një karikaturë të Këshillit Europian. Ballkani i Hapur është një mekanizëm konkret, në dispozicion të çdo vendi që dëshiron ta përdorë dhe i hapur për përmirësime, i cili do të përfitonte nga mbështetja e plotë e BE-së, për të përfshirë kontributin konstruktiv të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

E katërta, BE-ja mund të bëjë gjënë e duhur për ne, duke mos e ndarë Ballkanin Perëndimor nga planet e veta të emergjencave, për përballimin e fatkeqësive të mëdha si pandemia apo për adresimin e krizës së saposhfaqur energjitike, e cila është një sfidë për të gjithë këtu dhe mund të rezultojë në humbjen shkatërrimtare të shumë viteve përpjekje transformuese në rajonin tonë ende vulnerabël. Le të shpresojmë që në këtë rast të ri krize madhore që na prek të gjithëve, qytetarët tanë nuk do të lihen nga BE-ja si peshq pa ujë, ashtu siç ndodhi kur na latë jashtë skemës së shpërndarjes së dozave të para të vaksinave, duke e detyruar rajonin tonë, që në një luftë të mirëfilltë për mbrojtjen e jetës të mbështetet tek të shumëpërfolurit aktorë të tretë, shprehimisht Kina, Rusia apo Turqia nëse e doni edhe me emra.

E fundit, ju mund të na ndihmoni duke i besuar më shumë punës rigoroze, të ndershme dhe ndonjëherë irrituese të vetë Komisionit Europian, i cili garanton vlerësimin më objektiv të mundshëm të përparimit apo të boshllëqeve tona. Por e di që kjo është e tepërt për t’u kërkuar, kështu që po ndalem me kaq, për t’ju falënderuar të gjithëve megjithë zemër, që na ftuat këtu. Në fund të ditës, Bashkimi Europian nuk është më i miri, por më të mirë se Bashkimi Europian nuk ka. Kjo është edhe arsyeja pse ne pajtohemi plotësisht me deklaratën përfundimtare të samitit, edhe pse askush nuk na pyeti për mendimin tonë përgjatë hartimit të saj. Është ajo që është.

Faleminderit që qëndruat me ne sot.

Ora 15:56
Meta: Mesazhet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese! Plani Ekonomik i Investimeve të shfrytëzohet maksimalisht

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thotë se mesazhet e sotme në samitin BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese. Meta thekson se është mirënjohës për mbështetjen politike dhe ndihmën e gjithanshme që BE vazhdon që t'i japë Shqipërisë dhe gjithë Rajonit.

Meta shkruan se bashkëpunimi Rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përqendrohet në zbatimin e zotimeve të ndërmarra. Presidenti shton se bishtnimi ndaj këtyre zotimeve dhe parcelizimi i rajonit kundërprodhojnë më shumë ndasi dhe konflikte artificiale të padobishme, dhe bien ndesh me rrugën europiane të vendeve tona. Në fjalën e tij presidenti nënvizon se Plani Ekonomik i Investimeve duhen shfrytëzuar maksimalisht për të rimëkëmbur ekonominë.

'Mesazhet e sotme të Samitit BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese.

Perspektiva europiane e rajonit jetësohet përmes reformave të besueshme, në themel të të cilave qëndrojnë parimet dhe vlerat europiane të demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit.

Mirënjohës për mbështetjen politike dhe ndihmën e gjithanshme, që Bashkimi Europian vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë, si partner i parë dhe i natyrshëm ekonomik, duke qëndruar plotësisht të linjëzuar në qëllimin e përbashkët strategjik të zgjerimit.

Plani Ekonomik i Investimeve dhe Agjenda e re për Inovacionin duhen shfrytëzuar maksimalisht për të rimëkëmbur ekonominë dhe frenuar shpopullimin e mëtejshëm dramatik të vendit.

Bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përqendrohet në zbatimin e zotimeve të ndërmarra. Bishtnimi ndaj këtyre zotimeve dhe parcelizimi i rajonit kundërprodhojnë më shumë ndasi dhe konflikte artificiale të padobishme, dhe bien ndesh me rrugën europiane të vendeve tona.

Duke përshëndetur Presidencën sllovene të BE dhe të gjitha vendet e tjera anëtare për zhvillimin e këtij Samiti të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ripërsëris rëndësinë, që ka nisja e shpejtë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe liberalizimi sa më parë i vizave me Kosovën, një premtim që kërkon zbatim urgjent.'- shkruan Meta.

Ora 15:22
Presidenti i KE: Ka diskutime nëse Unioni mund të marrë anëtarë të rinj! BE nuk mund të fshehë përçarjet mbi Ballkanin

Megjithëse BE është zotuar t'u japë një ditë anëtarësimin vendeve të Ballkanit, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, tha sot pas Samitit të Brdos se ende po diskutohet mes 27 udhëheqësve të Bashkimit Evropian nëse blloku mund të marrë anëtarë të rinj. Ai theksoi se BE nuk mundi t'i fshehë përçarjet në Union mbi Ballkan, sa i takon çështjes së  zgjerimit.

"Me gjithë sinqeritetin, ka diskutim midis 27 për kapacitetin tonë për të marrë anëtarë të rinj. BE nuk mund të fshehë përçarjet mbi Ballkanin", tha ai.

 

Ora 15:13
Rritja e çmimit të energjisë, Von der Leyen: Do japim disa orientime serioze, së shpejti publikojmë një plan afatgjatë

1633525631_Screenshot1.jpg

Teksa kriza e energjisë ka prekur të gjithë botën, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se po punohet dhe po bëhen përgatitje serioze për të dhënë disa orientime. Gjatë konferencës pas Samitit të Brdos, ajo u shpreh se KE do të dalë shumë shpejt edhe me një plan afatgjatë.

"Sa i përket rritjes së çmimeve të energjisë, do të bëhen përgatitje serioze, në mënyrë që të japim disa orientime. Dhe do të kemi edhe mbështetjen e Komisionit Evropian lidhur me këtë. KE do të publikojë një deklaratë lidhur me këtë çështje, në mënyrë që të kemi të gjithë një informacion të përbashkët. Të punojmë për këtë, që të japim orientimin tonë në një tjetër nivel. Do ishte mirë të gjenim një qasje të përbashkët lidhur me këtë. Do të kemi një deklaratë në ditët në vijim lidhur me këtë çështje, do të shohim edhe veprimin tonë në plan afatgjatë", tha ajo.

Ora 14:50
Von der Leyen: Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të zgjidhin problemin që të hapim negociatat me Shkupin dhe Tiranën

1633524673_BE.jpg

"Uroj që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të zgjidhin problemin e tyre dhe të hapen negociatat me Shkupin e Tiranës". Ky ishte mesazhi kryesores i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nga Sllovenia në samitin që Bashkimi Evropian po zhvillon me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Von Der Leyen përsëriti mesazhin se BE është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor, duhet të bëjë më shumë për integrimin.

"BE nuk është i plotësuar pa Ballkanin Perëndimor, ndaj do të vazhdojmë punën për të avancuar në procesin e zgjerimit të BE. Qëllimi ynë është zgjerimi. Plani ekonomik është shumë i rëndësishëm dhe është në qendër të angazhimit tonë në rajon. Kemi një plan të madh, me 30 miliardë euro për rajonin. Duhet një treg i përbashkët rajonal. Sa i përket reformave, është e qartë se partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po ndërmarrin reforma të rëndësishme, është bërë shumë progres dhe është i dukshëm. Duhet të theksojmë reformat, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, lirisë së medias dhe zhvillimin ekonomik.

Por, edhe BE duhet të bëjë më shumë. Ka treguar mungesa në procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe RMV. Duhet të ecim përpara në këtë proces, ta qartësojmë. Po bëhet një punë intensive nga Komisioni Evropian për çështjet kryesore, që është edhe çështja bilaterale mes RMV dhe Bullgarisë. Shpresoj që ata ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem dhe të ecin përpara. Kemi diskutuar në samit dialogun", tha ajo.

Ora 11:23
VIDEOLAJM/ Rama 'sherr' me kryeministrin holandez në Samitin e Brdos kush do kalojë i pari! 'Kokëfortësia' i çon në pikën e takimit

'Kaloi ti i pari', 'jo, jo, ti i pari', ka qenë ky 'debati' mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij holandez Mark Rutte, ndërsa u takuan sot në Samitin e Brdos në Slloveni.

Të dy kryeministrat kërkonin t'i lironin rrugën njëri-tjetrit për t'u futur para, në shenjë respekti, por kokëfortësia i çoi ata thuajse edhe njëherë në fillim të rrugës ku u takuan, pasi ecën mbrapa duke mos pranuar asnjëri të kalonte i pari. Në fund, ai që u 'dorëzua' ishte kryeministri holandez, ndërsa momenti u shoqërua me të qeshura.

Liderët e Rajonit dhe krerë të lartë të vendeve të BE janë mbledhur sot në Samitin e Brdos në Slloveni, ku fokusi do të jetë perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Në këtë samit 27 shtetet anëtare të BE përfshire dhe skeptikët si Franca e Holanda, pritet të japin një mesazh të qartë pro nisjes zyrtare të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Po ashtu pritet të diskutohen edhe një sërë temash me interes ndërkombëtar si: marrëdhënia me Kinën, situata e pasigurt në Afganistan, marrëdhëniet e trazuara me SHBA-në për shkak të mosmarrëveshjeve me Francën për aleancën AUKUS në Paqësorin Jugor dhe rritja e çmimeve të gazit. 

Ora 10:25
Kurti në Slloveni: Mos liberalizimi i vizave, padrejtësi e madhe e BE ndaj popullit të Kosovës

I pranishëm në Slloveni, ku po merr pjesë në Samitin e Brdos, kryeministri i Kosovës, Albin Kurt u shpreh se BE i ka bërë një padrejtësi të madhe popullit të Kosovës duke mos liberalizuar vizat. Kurti tha se shpreson që ky samit do të bëjë që BE t'i qëndrojë zgjerimit.

“Komisioni Europian për të dytën herë rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe është bërë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve tonë që vuajtën shumë. Ne jemi me shpresë që ky samit do të bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saj dhe ky është zgjerimi. BE duhet të vazhdojë zgjerimin për t’u bërë Europë dhe gjashta e Ballkanit Perëndimor është rajoni që BE-së i mungon të bëhet Europë. Ne jemi në Europë, por BE-ja duhet të bëhet Europë. Avokoj për më pak frikë nga ana e BE-së dhe për më pak zemërim nga ana e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha Kurti.

Ora 09:58
Von der Leyen: Ne ndajmë të njëjtat vlera me ballkanasit, vendi i rajonit është familja europiane

 

Në pritje të nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dha një mesazh të qartë mbështetjeje për procesin e integrimit europian të rajonit.

"Ne duam të dërgojmë një mesazh të vetëm dhe të qartë që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian, ne i duam ata në BE dhe familjen tonë evropiane. Ne ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtat vlera. Ne duam t’ju tregojmë se sa shumë kujdesemi për ta dhe se ne jemi partneri favorit për ta", tha ajo.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 07/10/2021 01:19

    D.m.th. Bullgaria e vendoska veton sepse Maqedonia nuk lejoka minoritetin bullgar <<te deklaroje >> origjinen?! Ja t'a zeme se Maqedonia pranon dhe bullgaret heqin veton,po kush garanton se pas kesaj nuk do te kerkojne te njejten gje dhe per <<minoritetin bullgar>> qe ka mbire si kerpudhat pas shiut ,per interes,ne Shqiperi?

    Përgjigju
  • Eri: 06/10/2021 15:58

    Me hyrjen e Rumanise dhe Bullgarise eehte e pamundur te hyjme. Vetem nese shesim gjysmen e Shqiperise deri ne Shkumbin. Por atehere nuk do kete me Shqiperi.

    Përgjigju
  • Pepja: 06/10/2021 13:31

    "Ne duam të dërgojmë një mesazh të vetëm dhe të qartë që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian, ne i duam ata në BE dhe familjen tonë evropiane. Ne ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtat vlera. Ne duam t’ju tregojmë se sa shumë kujdesemi për ta dhe se ne jemi partneri favorit për ta",!?!?!?!?!?!!?!?!? Kesaj o te keqen vellai i thon si ai muhabeti kur takon ndonje te aferm te larget dhe i thote"Kur kur do dalesh nga shtepia ndonje dite per dreke!!!" Filloni sa me pare aplikimin per te hyre ne SHBA se do ta kemi me te lehte!

    Përgjigju
  • Rradha: 06/10/2021 09:05

    Po nuk hyri Deri 2023 Shqipëria nuk Duhet farë merret me BE lidhet me Kine - Rusi Boll ka pritur ky vend nga 1991-2021 jane 30 vite +3 =33 vite pra dy gjenerata!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?