Kualifikueset e Kupës së Botës 2026 vijuan të martën me nëntë takime në pesë grupe të ndryshme në Evropë (UEFA). Tri pikë siguroi Shqipëria, Franca, Anglia apo edhe Portugalia. Fitorja më e thellë dhe e bujshme ishte ajo e Norvegjisë, me skandinavët që mposhtën 11-1 Moldavinë. Pesë nga golat u shënuan nga Erling Haaland.
Në Grupin D, Azerbajxhani ndali 1-1 Ukrainën. Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Paris, Franca përmbysi 2-1 Islandën. Miqtë kaluan në epërsi me Gudjohnsen pas 21 minutave lojë, ndërsa 'Gjelat' u përgjigjën me të përhershim Mbappe (penallti) dhe Barcola. Pas dy ndeshjeve të para në këtë grup, Franca me 6 pikë mban vendin e parë, ndjekur nga Islanda me tre.
Në Grupin F, Armenia fitoi 2-1 kundër Irlandës. Dueli më interesant u zhvillua në Budapest, me vendasit e Hungarisë që u mundën 2-3 nga Portugalia. Varga shënoi dopietë për vendasit, ndërsa Portugalia u përgjigj me Bernardo Silvën, Cristiano Ronaldon dhe Joao Cancelon. Pas dy ndeshjeve të para, Portugalia me gjashtë pikë mban kreun, ndjekur nga Armenia me tre pikë.
Në Grupin H, Bosnja u mposht 1-2 në shtëpi nga Austria, ndërsa Qipro dhe Rumania barazuan 2-2.
Në Oslo, Norvegjia 'dërmoi' 11-1 Moldavinë për Grupin I. Pesë golat e këtij takimi u shënuan nga Haaland, ndërsa edhe moldavët gjetën rrjetën falë një autogoli. Me 15 pikë të plota pas pesë takimeve, Norvegjia lë pas Italinë dhe Izraelin me nëntë pikë, duke bërë që këta të fundit të garojnë për vendin e dytë pasi nordikët duken shumë para.
Në Grupin K, Shqipëria fitoi 1-0 kundër Letonisë falë golit të Kristjan Asllanit nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 25-të. Në Beograd, Serbia 'u shkërmoq' 0-5 nga Anglia. Kane, Madueke, Konsa, Guehi dhe Rashford shënuan për 'Tre Luanët'. Me 15 pikë të plota pas pesë raundeve, Anglia kryeson grupin, ndjekur nga Shqipëria me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë pas katër ndeshjesh mban vendin e katërt. Më 11 tetor në Beograd luhet Serbi - Shqipëri.
Kupa e Botës 2026 - ndeshjet kualifikuese, e martë 9 shtator:
Grupi D
Azerbajxhan 1-1 Ukrainë
Francë 2-1 Islandë
Grupi F
Armeni 2-1 Irlandë
Hungari 2-3 Portugali
Grupi H
Bosnjë dhe Hercegovinë 1-2 Austri
Qipro 2-2 Rumani
Grupi I
Norvegji 11-1 Moldavi
Grupi K
Shqipëri 1-0 Letoni
Serbi 0-5 Angli
Komente
