FT/ Shqipëri 1-0 Letoni (Asllani 25' (p))
TIRANË - Shqipëria e futbollit e sheh veten në vendin e dytë të Grupit K kualifikues për Kupën e Botës 2026. Kombëtarja mposhti 1-0 Letoninë në Tiranë falë penalltisë të kthyer në gol nga Kristjan Asllani në minutën e 25-të. Falë humbjes së Serbisë 0-5 kundër Anglisë në Beograd dhe tri pikëve të ekipit kuqezi, Shqipëria e sheh veten në pozitën e dytë paçka se me një ndeshje më shumë të zhvilluar se serbët.
Ndeshja e radhës për ekipin e Sylvinhos është më 11 tetor në Beograd kundër Serbisë, sfidë direkte kjo për fatet e kualifikimit në Botërorin 2026 që do mbahet verën që vjen në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Fitorja e sotme kundër Letonisë ishte e para e Shqipërisë kundër këtij ekipi, në shtatë takime të zhvilluara.
NDESHJA - Në 'Air Albania' kuqezinjtë e nisën përballjen duke dominuar dhe kërkuar golin. Në fillim goditja e Bajramit nuk kishte forcën e duhur për të shkuar në portë. Më pas Laçi tentoi me kokë, por sfera nuk iu bind.
Minuta e 24-t ishte deçizive, kjo pasi një krosim nga Laçi u ndal me dorë në zonë nga mbrojtja mike. Penallti për tanët dhe nga 11 metra Kristjan Asllani nuk gaboi, duke shënuar golin që në fund ishte deçiziv. Në pjesën e dytë kuqezinjtë kishin disa mundësi, por Broja, Bajrami dhe Gjimshiti nuk u treguan të saktë.
Shqipëria ia doli të merrte tri pikët e nevojshme për të mbajtur gjallë "ëndrrën amerikane" që për herë të parë kemi mundësi të shkojmë në finalet e Kupës së Botës, edhe pse në Grupin K kemi për të luajtur edhe tre takime.
Komentet më të rëndësishme:
90+3' Mbyllet 1-0 ndeshja.
90+1' Broja i lë vendin Kumbullës.
90' Tre minuta shtesë.
83' Laçi dhe Manaj dalin nga fusha, në vend të tyre Pajaziti dhe Daku.
67' Arbër Hoxha merr vendin e Nedim Bajramit.
56' Gjimshiti humbet rastin e ndeshjes nga pesë metra largësi. Kapiteni kuqezi s'u beson syve.
49' Shqipëria dominon lojën, Bajrami provon nga jashtë zone, sfera kalon ngjitur me shtyllën.
46' Nis pjesa e dytë. Savalnieks merr vendin e Melniks te Letonia. Sylvinho i beson zgjedhjeve të para.
45+2' Mbyllet 1-0 pjesa e parë.
45' Dy minuta shtesë.
44' Jurkovskis rrezikon prapavijën tonë nga pranë portës. Futbollisti mik godet me kokë dhe për fat topi del jashtë.
37' Portieri mik Ziedvis i pasigurt, nuk e kontrollon topin si duhet dhe për pak shkakton autogol.
31' Asllani nga jashtë zone, topi mbi traun e portës.
30' Manaj rrotullohet bukur nga jashtë zone, e majta shkon ngjitur me shtyllën e majtë pingule.
25' GOOL! Aksion i bukur nga Bajrami, i cili pason në zonë për Laçin. Krosimi i këtij të fundit ndalet me dorë në zonë nga mbrojtësi mik dhe penallti për tanët. Kristjan Asllani me qetësi mposht portierin Ziedvis.
19' Probleme për Kristjan Asllanin, merr ndihmë mjekësore dhe rikthehet në fushë.
9' Hysaj kroson nga e djathta dhe Laçi godet me kokë në zonë, sfera shkon mbi portë.
4' Nedim Bajrami provon nga jashtë zone, topi nuk ka forcën e duhur dhe del jashtë.
1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga miqtë.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Broja, Manaj, N. Bajrami Trajner: Sylvinho
Letonia (5-3-1-1): Zviedris; Jurkovskis, Melniks, Cernomordijs, Balodis, Ciganiks; Varslavans, Vapne, Zelenkovs; Daskevics; Sits Trajner: Paolo Nicolato
Renditja e Grupit K kualifikues
Kristjan Asllani i dha fitoren Kombëtares kundër Letonisë me penalltinë e kthyer në gol. Ai foli edhe për lëndimin pak para golit.
“Emocion i madh se ishte një finale për ne, duheshin tre pikët. Jam i lumtur për skuadrën se vrapuam gjithë ndeshjen. Duheshin tre pikët.
Mora një goditje me taka në gju, mendoja se ishte i kuq. Mora një goditje lart. Punova me stafin mjekësor dhe jam i lumtur. Besoja se mund të mos futesha më, sapo bëra ekografinë, nuk ka asgjë. Jam i lumtur, sonte ishte finale dhe jam i lumtur për skuadrën.
Fola edhe radhën e kaluar për Shehun, një lojtar fantastik. Ai është pak a shumë si unë, ka qejf të mbajë topin, luan mirë më të dy këmbët. Kemi Ramadanin e të tjerë, kemi futbollistë të fortë aty.
Penalltitë? 11 në 11 apo jo? Ta gjuaja ndaj Serbisë? Këto gjërat i zgjedh trajneri, unë kam qejf të gjuaj penalltitë e goditjet e dënimit. Por rëndësi janë 3 pikët. Me Serbinë ishte super, mungonte goli që erdhi sot, duhet të punojmë e bëjmë golin e dytë se në fund kishim probleme. Bëmë mirë dhe për këtë ndeshje është OK”, tha Asllani për TV Klan pas ndeshjes.
Shqipëria fitoi 1-0 kundër Letonisë në 'Air Albania' për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Për tanët dueli u vendos nga penalltia e kthyer në gol nga Kristjan Asllani.
"SofaScore" ka bërë edhe vlerësimet e takimit, teksa me notën 8.3 më të mirët në fushë u vlerësuan Asllani dhe Mitaj. Me notën 6.6 më i dobëti në fushë ishte Armando Broja.
Kombëtarja shqiptare ia doli që të fitonte 1-0 përballë Letonisë në stadiumin “Air Albania”. Në përfundim të këtij dueli, para mediave ka folur mesfushori Qazim Laçi.
“Më duket nga minuta e parë kemi treguar dëshirën për të fituar këtë ndeshje patjetër. Në pjesën e parë kemi krijuar raste, por edhe në të dytën. Si gjithmonë na mungon finalizimi. Kemi folur të gjithë lojtarët dhe me ata që krosojnë, nuk është e lehtë gjithmonë për t’i çarë.
Si me Serbinë ashtu dhe sot, nuk ishte e lehtë. Për fat të keq nuk kemi shënuar shumë, por jemi të kënaqur me performancën tonë. Shpresoj që të vijë goli edhe me Serbinë.
Transferta e Beogradit? Këtë ndeshje duhet ta marrim me mend vetë, na pret një ndeshje e vërtetë. E treguam në stadiumin tonë që nuk e kemi frikë Serbinë. Thjeshtë duhet të punojmë tek finalizimi, pasi çdo aksion do të jetë i rëndësishëm dhe ta mbyllim sa më shpejt”, tha mesfushori dibran.
Shqipëria mposhti Letoninë me shifrat 1-0 mbrëmjen e sotme. Në përfundimin e sfidës, Armando Broja doli në prononcim për mediat.
“Golat? Them se do i shohim shumë shpejt. Asllani është një lojtar shumë i madh dhe them se do të kemi asiste dhe gola bashkë. Unë them se duhet të godasim sa më shumë drejt portës dhe të kemi sa më shumë lojtarë brenda zonës. Për t’i vështirësuar më shumë punën kundërshtarëve në mbrojtje.
E dinim se do ishte një ndeshje e vështirë dhe arritëm të merrnim një rezultat të mirë. Shpresoj gjithashtu edhe për një rezultat të mirë me Serbinë pasi grupin e kemi të mirë.
Kjo ndeshje ishte një hap i mirë për mua sepse luajta 86 minuta dhe kisha shumë kohë pa luajtur. Luajta edhe 45 minuta me Gjibraltarin dhe kjo është një gjë shumë e mirë për mua dhe fizikun tim.”, u shpreh Broja.
Kombëtarja fitoi 1-0 kundër Letonisë në Tiranë dhe pas sfidës foli trajneri ynë, Sylvinho. Ndeshja e radhës për tanët është më 11 tetor kundër Serbisë në Beograd. Me tri pikëshin e sotëm kuqezinjtë ngjiten në pozitën e dytë në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.
“Ishte një ndeshje e vështirë. Letonia është një kundërshtar i vështirë. Luajti pak ditë më parë një ndeshje kundër Serbisë të njëjtë si kundër nesh. Mund të na kishin barazuar në fund. E kemi vënë re Letoninë si skuadër edhe ndaj Anglisë, edhe ndaj Serbisë, në një apo dy raste që mund të kenë janë të rrezikshëm në ajër. Bëmë ndryshime në lidhje me Bajramin, sepse është një lojtar hibrid, që mund të luajë si jashtë zone, ashtu edhe brenda linjave në zonë. Ta hiqja Brojën 10-15 minuta më herët dhe të fusja Kumbullën, atëherë mund të sillja ekipin kundërshtar më pranë zonës. Kështu që thashë ‘jo’. Por në fund e bëra, sepse isha i shqetësuar për rezultatin.
Broja është një lojtar që ka bërë një ndryshim të rëndësishëm. Ndoshta do të ketë mundësinë të luajë më shumë. Sa herë vjen te ne, vjen me pak minutazh. Unë nuk e shoh Brojën si një ‘’9”-sh. Kam luajtur me Thiery Henry, por ai e shfrytëzonte anën e fushës. Ka lojtarë të tjerë si Vinicius dhe Mbappeja. Ai pati disa hapësira në pjesën e dytë dhe ka bërë disa kundërsulme shumë të mira
Humbja e Serbisë 0-5 nga Anglia? Kemi parë Letoni-Serbi, por këtë të fundit jo. Nuk e kam ende në mendje Shqipërinë që do të luajë kundër Serbisë. Tani mundojnë edhe 3 ndeshje për ne. E radhës është shumë e rëndësishme. Jam krenar për të gjithë lojtarët e mi. Jemi stërvitur 10 ditë rresht për këto dy ndeshje. Bajrami bëri një rikthim shumë të mirë sot. Kam folur me të, si dhe me Asanin. Ai po stërvitet shumë mirë”, tha Sylvinho për Supersport.
Elseid Hysaj foli pas fitores 1-0 të Kombëtares kundër Letonisë. Shkodrani ceku edhe humbjen e Serbisë 0-5 nga Anglia.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe duhej fitorja që të vazhdohej ëndrra që kishim në kokë. Jam gëzuar që fituam dhe pse një ndeshje me shumë lodhje mendore e fizike, këto ndeshje duhet t’i mbyllim shumë më shpejt se sa t’i lëmë 1-0.
Broja? Unë e kuptoj Brojën çfarë lojtari është e mundohem ta vë në pozitën më të mirë. Është një djalë me potencial të fortë, por është pak si i mbyllur në veten e tij. Por jam i bindur që herët a vonë do shpërthejë e do të na ndihmojë më shumë.
Nuk mundemi më të luajmë me 1-0, se futbolli ka ndryshuar. Edhe Serbia, edhe ne mund të bënim gol në fund. Me raste duhet të shfrytëzonim e shkonim 2-0, se mund të komplikohej ndeshja në fund. Duhet të punojmë më shumë në fazën sulmuese.
Rekordi i Canës? Kjo është një ëndërr që po e përjetoj se të barazosh një lojtar si Cana është nder i madh për mua e shpresoj ta kaloj e bëj 100. Shpresojmë të fitojmë të radhës, po fituam besoj se do të jetë ndeshja më e bukur e jetës time. Serbia? E morëm vesh, shumë bukur doli", tha Hysaj për TV Klan pas ndeshjes.
Kapiteni Berat Gjimshiti foli pas ndeshjes që Shqipëria fitoi 1-0 kundër Letonisë në Tiranë.
“Sigurisht që jemi të lumtur për tri pikët që fituam këtu në shtëpinë tonë që të mbajmë hapur rrugëtimin për të pasur mundësi të kualifikohemi. Pjesa e parë ishte e mirë, në pjesën e dytë sikur e ulëm pak ritmin, lodhja ishte fakti më i rëndësishëm te skuadra jonë që duhet ta përmirësojmë urgjentisht.
Përsa i përket rastit të golit e kisha edhe të njëjtin rast me Atalantën, shpresoj që të shënoj herën e tretë, por e rëndësishme është fitorja. Unë në atë moment s'duhet të mendoj për ndryshimet e lojtarëve, e mendon trajneri atë, sapo filloi sezoni, nuk jam as unë në nivelin më të lartë.
Çdo kush do të luajë dhe të gjithë janë të lumtur kur fiton Kombëtarja. Në këtë moment vetëm 2 ndeshje që kemi pasur ne tani, nuk jemi 100% duhet të përgatitesh, që të jesh gati duhet të kesh më shumë minuta”, deklaroi ai për “TV Klan”.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas fitores së Shqipërisë ndaj Letonisë në “Air Albania”.
Në një postim në rrjetet sociale, ai ka përshëndetur kuqezinjtë për triumfin, duke shkruar shkurtimisht:
“Shqipet fituan sot”, shkruan kryeministri Rama.
Fitorja e Shqipërisë në Tiranë kundër Letonisë dhe humbja e Serbisë 0-5 në Beograd me Anglinë, ka bërë që Kombëtarja jonë të marrë vendin e dytë në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Ndeshja e radhës për tanët është më 11 tetor kundër Serbisë në Beograd, një finale e vërtetë kjo që do vendos për vendin e dytë në grup. Dueli pritet të jetë më shumë se një ndeshje në fushë, për vetë marrëdhëniet mes dy popujve.
Më pas, më 13 nëntor, Shqipëria do të udhëtojë drejt Andorrës, ku do të kërkojë me patjetër një tjetër fitore për të mbajtur gjallë objektivin. Faza e grupeve do të mbyllet më 16 nëntor, në “Arenën Kombëtare”, ku kuqezinjtë do të presin Anglinë.
Një tifozi të Kombëtares që mbante flamurin e UÇK-së në tribunën VIP të 'Air Albanias', i është kërkuar nga policia që ta largojë. 'Blutë' e kanë 'konfiskuar' flamurin dhe tifozi është rikthyer në vendin e tij.
Përpara ndeshjes Shqipëri - Letoni, disa tifozë miq kanë qenë në Tiranë duke kërkuar një pikë. Ata thonë se Shqipëria është një vend i bukur, teksa duket se e kanë tepëruar me pijen duke mos iu ndarë gazetarit Ernest Koçi gjatë raportimit.
Kombëtarja shqiptare kalon në avantazh kundër Letonisë. Në minutën e 25-të Bajrami zhvillon një aksion të bukur dhe pason në zonë për Laçin. Krosimi i këtij të fundit ndalet me dorë në zonë nga mbrojtësi mik dhe penallti për tanët. Kristjan Asllani me qetësi mposht portierin Ziedvis.
Kombëtarja shqiptare e futbollit vuan një dënim për thirrjet raciste të tifozëve në ndeshjen kundër Serbisë. Këtë të martë 20 përqind e stadiumit është e boshatisur, ndërsa si të mos mjaftonte kjo edhe Tifozat Kuq e Zi e kanë bojkotuar këtë sfidë pas përplasjeve me FSHF-në pasi Shqipëria do bashkorganizoj Euro 2027 për U-21 me Serbinë.
Kombëtarja letoneze ka mbërritur në kohë në stadiumin 'Air Albania', aty ku në orën 20:45 luhet ndeshja Shqipëri - Letoni. Të shoqëruar nga forcat e policisë, ekipi mik tanimë ka dalë në fushë dhe ka parë gjendjen e tapetit të gjelbër ku do zhvillohet sfida.
Janë zbardhur edhe formacionet zyrtare të sfidës mes Shqipërisë dhe Letonisë, e cila merr jetë sot në orën 20:45 në 'Air Albania' dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Bie në sy se Sylvinho luan në sulm me Bajramin dhe Brojën nga krahët, në mbështetje të Manajt. Sërish Jasir Asani në stol. Miqtë luajnë me pesë mbrojtës dhe një lojë të tërhequr duke dashur të na rrezikojnë me goditjet standarte.
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Broja, Manaj, N. Bajrami Trajner: Sylvinho
Letonia (5-3-1-1): Zviedris; Jurkovskis, Melniks, Cernomordijs, Balodis, Ciganiks; Varslavans, Vapne, Zelenkovs; Daskevics; Sits Trajner: Paolo Nicolato
Prej orës 18:00 ka nisur futja e tifozëve në stadiumin 'Air Albania' në Tiranë. Në orën 20:45 Shqipëria pret Letoninë për sfidën e Grupit K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Do jenë 16.500 zemra kuqezi në impiant, me të gjitha biletat që janë shitur.
Stadiumi "Air Albania" në Tiranë duket në kushte perfekte për të pritur duelin mes Shqipërisë dhe Letonisë, sfidë që nis sot në orën 20:45 dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
Air Albania Stadium, Tirana pic.twitter.com/NrYHQL4b17
— News video (@Newsvideo13) September 9, 2025
Sot në orën 20:45 në 'Air Albania' luhet Shqipëri - Letoni. Sipas ‘Transfermarkt’, vlera e të gjithë futbollistëve të Letonisë për këtë takim kap shifrën e 9.15 milionë eurove, më pak se Armando Broja që vlen 12 mln euro në treg, apo Asllanit që vlen 13 mln euro. Në renditjen e UEFA-s, Letonia mban vendin e 137, ndërsa Shqipëria pozitën e 68-të. 26.2 vjeç është mosha mesatare e Letonisë, kundrejt 27 vjeç për tanët. Shqipëria vlen sot 81 mln euro si ekip.
Komente

KOT LODHENI...RENDITJA PERFUNDIMTARE,,,..1-.ANGLIA,,,2-SERBIA,,,3-SHQIPERIA,,,4-LETONIA...
PërgjigjuOre ky Sylvinho mos ka naj % te kartoni i Manaj se ska munsi.Po fut mër bq na nji nga Shpendit që ke sulmus, ti shofim i her se kte me shasi të rame ke 5 vjet që e shofim e veç shëtitje i ka bo trrikes në fushë
PërgjigjuPo ca do fitojne keta me Serbi. Ai kembe thyeri Manaj sben dot gol me penallti jo me me aksion. Fut lojtaret qe nderojn kombtaren si Asani, Bajrami fut nga keta mbeturinat si Manaj qe as ne Lushnje se mbajne ne ekip.