Policia kufitare e Vlorës dhe e Durrësit u ka shkuar në ndihmë në 3 raste, disa shtetasve që rrezikuan të mbyteshin në det.
-Mesditën e sotme, një shtetase ka telefonuar për të kërkuar ndihmë, pasi anija turistike me të cilën ajo po lundronte bashkë me 27 shtetas të tjerë, kishte pësuar defekt, në zonën e Karaburunit.
Disa minuta më pas, 2 shtetas finlandez kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi në zonën e quajtur “Shpella e Piratëve”, kishin humbur kontrollin e mjetit lundrues kanoe, për shkak të dallgëve, dhe e kishin të pamundur kthimin në breg.
Menjëherë, dy skuadra të Policisë Kufitare Vlorë janë nisur bashkë me mjetet lundruese të Policisë Kufitare, në vendet ku kishin ngelur në det dy mjetet lundruese.
Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë Kufitare ka bërë të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen në breg të mjetit lundrues anije turistike me 28 pasagjerë në bord dhe të mjetit lundrues kanoe me të cilin lundronin dy shtetasit finlandezë.
Gjithashtu, në plazhin e Spillesë, shërbimet e Policisë Kufitare Durrës, bashkë me rojën e plazhit, kanë shpëtuar 2 shtetas që rrezikuan të mbyteshin ndërkohë që po laheshin në det. 44-vjeçari dhe djali i tij 9 vjeç u nxorrën në breg dhe iu dha ndihma e parë.