Kompania Kurum International ka reaguar pas lajmit të konfirmuar nga Ministria e Mjedisit për Report Tv se rreth 800 ton mbetje që janë nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës janë të kësaj kompanie. Në një deklaratë për mediat, Kurum thotë se në asnjë rast nuk ka transportuar mbetje të rrezikshme dhe se as kjo ngarkesë nuk është nisur nga kompania Kurum.
Kompania thotë se "respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjatë procesit të prodhimit".
Reagimi i plotë i Kurum International
Kurum International, ne lidhje me lajmet e publikuara ne mediat shqiptare mbi sasinë e mbetjeve të rrezikshme të eksportuara me destinacion Tajlandën, dhe aludimet mbi deklaratat e palëve të treta për shoqërinë tonë si eksportues të këtyre sasive të mbetjeve deklaron si me poshtë:
Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkese për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare.
Kurum International, bazuar në lejen mjedisore që zotëron, respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjate procesit të prodhimit, objekt i punës së kompanisë.
Shoqëria, raporton dhe plotëson të gjitha kërkesat ligjore, për raportim periodik, 3-mujor, 6-mujor dhe vjetor, për menaxhimin e mbetjeve industriale që gjenerohen nga procesi teknologjik, dhe sipas rastit ka lidhur kontrata e marrëveshje me shoqëri shqiptare apo të huaja, të licencuara sipas ligjeve në fuqi, për menaxhimin e këtyre mbetjeve.
Të gjitha raportet janë dorëzuar brenda afateve ligjore në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencinë Rajonale të Mjedisit.
Nga ana e organeve përkatëse, jemi kontrolluar dhe vijojmë të kontrollohemi e monitorohemi vazhdimisht dhe periodikisht sipas kërkesave ligjore.
Në çdo rast, aplikohet për leje eksporti në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit sipas legjislacionit ne fuqi dhe Konventën e Bazelit, proces lehtësisht i verifikueshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Lajmi kryesor:
Anijet me mbetje toksike, Ministria e Mjedisit për Report Tv: Lënda u nis nga kompania 'Kurum' pranë Metalurgjikut në Elbasan për në Tajlandë
SI.E./ReportTv.al