Saga e zgjedhjeve të 11 majit, do të përfundojë të mërkurën në KQZ për 4 qarqe. Pasi Kolegji Zgjedhor certifikoi zgjedhjet në Kukës, Gjirokastër, Korçë e Lezhë, Ilirjan Celibashi pritet të shpërndajë mandatet.
Ndërkohë, Kolegji Zgjedhor rrëzoi këtë të martë ankimimet e PD-së për Shkodrën, Dibrën dhe Beratin duke thënë se në zgjedhje nuk ka pavlefshmëri dhe ato nuk përsëriten. Për Vlorën, trupa e gjyqtarëve do të vendosë më 26 Qershor.
Kështu, Kolegji i hap rrugën ndarjes së mandateve nga Ilirjan Celibashi edhe për këto qarqe duke çimentuar përfundimisht rezultatin e 11 majit.
Më e gjatë rruga e shpërndarjes së mandateve, që është hapi i fundit që KQZ të certifikojë zgjedhjet duket për 4 qarqet e tjera ku me kërkesë të PD është vendosur hapja e kutive të votimit.
Për Elbasanin, verifikimi i fletëve të votimit është mbyllur, ndërsa në pallatin e Sportit Fahrie Hoti vijon të numërohet Tirana. Numërimi i më shumë se gjysmës së kutive , po nxjerr në pah gabime të vogla, që nuk ndikojnë te mandatet. Por po prodhon pakënaqësi edhe të kandidatëve. Erion Braçe shkruajti se standardi i vendosur nga KAS për të hequr çdo votë që nuk ka x ose plus brenda kuadratit të bardhë, është turp.
“Janë vota të pastra që KAS po i kthen në të pavlefshme! As ia kam marrë kujt, e as ia kam vjedhur kujt! Është votë ku është shprehur qartë vullneti i votuesit! Nuk di se si e kanë planin, kujt KAS po kërkon t’ia heqë këto vota, pra kujt do t’ia marrë mandatin, por ky është turp”, shkruajti Braçe.
Sqarimin e dha anëtari i KAS, Koli Bele. Pas Tiranës, në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” do të rinumërohen edhe kutitë e Fierit e pjesërisht të Durrësit, të cilat me gjasë ashtu si Tirana do të nxjerrin në pah vetëm gabime njerëzore dhe jo masakrën e pretenduar të demokratëve. Këta të fundit, janë ende në kërkim të saj, pasi këtë të martë kërkoi nga KQZ edhe pamjet e magazinës ku ajo ka grumbulluar kutitë e votimit në prag të zgjedhjeve.
Komente
