TIRANË- Të martën, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të hapen kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore për 94 qendra në bashkitë Gramsh dhe Peqin. Vendimi edhe këtë herë u mor nga dy anëtarët e KAS që janë propozuar nga PD, dhe ka për qëllim që të krahasohen fletët e votimit që janë në kuti, me materialet zgjedhore.
Kjo pasi PD, ka paraqitur disa video ku pretendohet tren bullgar, apo votim abuziv. Siç ishte rasti i disa fletëve në një lokal, që u pretenduan si fletë reale që kanë dalë jashtë qendrës së votimit, ose rasti tjetër i një qendre votimi vendosur në një dyqan rural, ku një i ri duket që kryen veprime të dyshimta me vulat e votimit në prani të komisionerëve të të gjitha palëve.
Krahasimi i të dhënave mes kutisë së votave dhe kutisë së materialeve zgjedhore mund të provojë nëse ka më shumë vota sesa zgjedhës të paraqitur në qendrën e votimit.
Megjithëkëtë, kjo mbledhje nuk kaloi pa debate, me demokratët që nuk pajtohen me sjelljen e anëtarit të KAS, Ilir Rusmali, i cili edhe pse ka qenë ministër i Berishës, në Komision është propozuar nga Partia Socialiste.
Përfaqësuesi i PD, tha se Rusmali po sillet si një militant, dhe aspiron të bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Logu: Kujton se me këto skema do shkosh në Gjykatën Kushtetuese? S’ke për të shkuar t'a harrosh.
Përplasja nisi për shkak të debateve për votën e disporës.
Logu: Donim një shpjegim. Ka pasur një deklaratë të Celibashit, sipas së cilës janë kursyer rreth 2 mln euro nga kontrata me DHL. Më 12 qershor ka pasur një komunikim tjetër, që KQZ s’do e paguajë DHL kur mungon nën shkrimi, sipas kontratës kostoja për dërgimin dhe marrjen mbrapsht ë një zarfi është 37.5 euro. Nëse KQZ ka bërë vlerësim që do kursejë 2 mln euro, a do të thotë që ka një vlerësim që në të paktën 53 mijë raste mungon nënshkrimi i zgjedhësit.
KQZ: Kursimi ishte në kuadër të procesit të rinumërimit të një numri të madh kutish. KQZ shpjegoi se s’do të kërkojë buxhet shtesë, sepse ka ende buxhet në dispozicion dhe përmendi një rast kursimi, që nuk lidhet me zbatimin e kontratës apo me 52 mijë firma, por me faktin se, diferenca mes buxhetit, fondit limit dhe vlerës së ofertë ofertuese është ajo që është kursyer.
Logu: A mund ta konfirmoni që KQZ është duke bërë vlerësim të dokomentacionit që ka paraqitur DHL për rastet që mungon firma.
KQZ: Do vijojmë me zbatimin e kontratës sipas dispozitave. S’mund të komentoj artikuj
Logu: Nuk është çështje artikujsh.
KQZ: Nuk është objekt seance.
Rusmaili: Pa nervozizëm
Logu: Se ca është objekt seance e përcaktojmë ne që jemi këtej dhe ata që janë andej.
Rusmaili: Nuk e përcaktoni dot
Logu: E përcaktojmë edhe ne. Mos e fik mikrofonin, kujton se nuk flas do pa mikrofon.
Rusmaili: Duhet të vendoset qetësia dhe komunikimi korrekt me njëri tjetrin. Këtë seancë e drejtoj unë dhe fjalën ua jap unë. Nuk jemi në Pazar. Jemi në seancë serioze. Po flet nga vendi pa leje, kjo tregon nervozizëm. Duhet ët qetësohesh dhe mos të krijosh incidente.
Rivlerësimi i votave të Gramshit dhe Peqinit do të bëhet të martën dhe më pas do të nisë maratona e rinumërimit të plotë e qarkut Tiranë, pastaj Fier, e në fund 275 kutitë e qarkut Durrës.
Ka vijuar debati në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve mes përfaqësuesit të PD-së, Marash Logu dhe anëtarëve të komisionit e veçanërisht anëtarin Ilir Rusmali.
Kjo situatë ka dashur edhe ndërhyrjen e anëtarit të opozitës, Ledio Braho, i cili i bëri të qartë Logut se nëse nuk kanë besim te një anëtar i KAS-it, atëherë të mos i sjellin fare çështjet për shqyrtim, sepse nuk kishin besim as tek e gjithë trupa.
Ai i vuri në dukje Logut se kërkesat e tij për përjashtimin e Rusmalit ishin rrëzuar, ishin gjykuar njëherë dhe ishte në të drejtën e tyre nëse donin të vazhdonin me ankimimin.
Logu tha se Rusmali e dinte mirë që PD-ADSHM nuk ka besim tek ai.
“Anëtari i KAS-it e di shumë mirë që nuk e ka besimin nga ana jonë as në proesionalizmin e tij dhe as në drejtimin që i bën kësaj seance. Por jemi të detyruar për sa kohë KAS-i e ka marrë vendimin për të mos u përjashtuar nga kjo seancë”, u shpreh përfaqësuesi ligjor i PD.
Këtu ndërhyri anëtari i PD-së në Komision, Braho:
“Ju keni pretendim për një anëtar të KAS-it për të cilin ne jemi shprehur disa herë dhe ua kemi rrëzuar. Por nëse ju nuk keni besim te ne, më mirë mos u paraqisni fare. Sepse nëse nuk keni besim te një anëtar i trupës, nuk keni besim te trupa fare”.
Komente
