Pas shkarkimit nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranë nga qeveria, Erion Veliaj ka bërë sot ankimin në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo temë ka qenë edhe në fokus të emisionit ‘5 pyetjet nga Bababramo’, në Report Tv, ku avokati Arbër Hoxha tha se Veliaj do fitojë në Kushtetuese. Ai deklaroi se s’mund të ketë zgjedhje në Tiranë, pa dhënë vendimin Gjykata Kushtetuese.
‘Kryetari i bashkisë ka për detyrë që të mos shkojë për ditë në punë, por të mos të mungojë për 3 muaj dhe masa që ai ka e bënë të pamundur që ai të shkojë dhe të paraqitet në punë. Ankimimi në Kushtetuese e pezullon efektin e këshillit të ministrave, nëse GJK do të rrëzojë ankimin ose Veliaj do të tërhiqej, presidenti mund të dekretonte datën e zgjedhjeve. GJK nëse do të ngrihet në lartësinë e situatës unë mendoj se ankimi do pranohet dhe Veliaj do dal i fituar. Shkarkimi i tij ishte vendim politikë dhe jo vendim i ligjshëm’, tha ai.
Kryetarja e Dhomës së Avokatisë, Joana Qeleshi, tha se GJK do ta shqyrtojë në një kohë të shkurtër, pasi ky rast ka nevojë që të merret një vendim.
'Presidenti nuk duhet të bëjë dekretimin deri sa Kushtetuesja të shprehet dhe unë mendoj se GJK do ta shqyrtojë brenda një kohë të shkurtër duke parë edhe rëndësinë e rastit. Ka pasur raste kur kryetarët e bashkisë janë shkarkuar, por asnjëherë kështu. GJK do ta shqyrtojë shpejtë dhe s’do jetë nevoja që të dilet jashtë Kushtetutës nga ana e presidentit. Derisa GJK të shprehet duhet që të pritet vendimi i saj. Ky rast ka nevojë për një vendimmarrje të shpejtë dhe nuk besoj se do të ketë vonesa. Sepse është një konflikt mes pushteti qendror dhe atij lokal dhe duhet që ti jepet një zgjidhje.’, tha ajo.
Gazetari Poli Hoxha, tha se Veliaj mund t’a çojë edhe në Strasburg çështjen e shkarkimit të tij.
‘Nëse Parlamenti është me 140 deputet, dhe nëse mungon një deputet nuk përbënë shumë problem, atëherë kryetari i bashkisë është vet institucioni. Shumë juristë thonë që ti çohet Administratives. Kjo situatë që po krijohet, është bërë një shkelje dhe është në interes të Veliajt, ai ka synim Stasburgun dhe ai merret me procedurat dhe nëse është shkelur procedura dhe ai ka një as nën mëngë’, tha ai.
Avokati Redi Ramaj, e cilësoi propozimin për shkarkimin e Erion Veliajt si jo të drejtë.
Në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’, mbrëmjen e sotme në Report Tv, ai tha se Veliaj kishte të drejtë që të bënte ankimin për shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
‘Rastet kur organi i qeverisjes qendrore, këshilli i ministrave e shkarkon ai ka të drejtë që ta ankimojë. Veliaj është me masë sigurimi dhe ka arsye të fortë pse nuk shkon në bashki dhe jo për arsye tjera. Në këtë aspekt e shoh jo të drejtë shkarkimin e një kryetari bashkie.
Por nëse presidenti dekreton datë për zgjedhje, del hapur kundër Kushtetutës atëherë nuk flasim më për ligje dhe shtet. A mund ta kalojë Kushtetuesja në Gjykatën Administrative, unë them se jo, sepse është çështje që mund ta zgjidh vetëm Kushtetuesja. Dhe unë them se Kushtetuesja duhet që ta shqyrtojë sepse është një rast i veçantë’, tha ai.
Komente
