KAS zhvilloi sot (29 maj) mbledhjen e radhës për shqyrtimin e ankimimeve të PD-ADSHM, për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në 3 qarqe, pas certifikimit nga ana e KQZ-së të të gjitha tabelave përmbledhëse dhe shpalles së rezultatit përfundimtar: 83 mandate PS, 50 PD-ADSHM dhe 7 për forcat e tjera.
Opozita ka pretendime për parregullsi dhe shkelje të rënda para dhe gjatë procesit, duke kërkuar pavlefshmërinë e rezultateve dhe përsëritjen e zgjedhjeve. Pak ditë më parë u shqyrtua dhe vijon të verifikohet ankimimi për qarkun e Kukësit, kurse sot në rend ditë kanë qenë Berati, Gjirokastra dhe Vlora.
Mbledhja u ndërpre disa herë, pasi u dëgjuan pretendimet e PD-së për qarqet në fjalë dhe mbaroi vetëm orët e vona të pasdites.
Pasi dëgjoi pretendimet për 3 qarqet në rend dite, me numra ankesash 38, 39 dhe 40, KAS ka caktuar seancën e radhës të martën e datës 3 qershor, ora 12:00 për Gjirokastrën dhe në orën 14:00 të po asaj dite për Beratin, pasi edhe KQZ iu la kohë për përgatitjen e materialeve të kërkuara. Kurse për Vlorën, pas ankimimit të bashkangjitur edhe nga Nisma Shqipëria Bëhet për një nga kutitë me nr. 4494/00, KZAZ 85, u vendos hapja e saj në mbledhjen e radhës të shtyrë për të hënënë e 2 qershorit, në orën 15:00.
Diskutimet për Beratin mes përfaqësuesve të PD dhe KQZ
Shqyrtimi i parë u bë për qarkun e Beratit, ku përfaqësuesi i PD-ADSHM, Franc Nuri dorëzoi një autorizim në KAS për përfaqësimin e Partisë Demokratike edhe nga Ivi Kaso, aktualisht i zgjedhur deputet në qarkun Korçë, si drejtues politik i koalicionit. Kaso ka qenë më parë përfaqësues ligjor zgjedhor për PD në KQZ dhe fazën e ankimimeve, teksa sot (29 maj) ka kërkuar rikthimin. Berati përfundoi me rezultatin 5 mandate PS dhe 2 PD.
Nuri më tej renditi pretendimet për qarkun e Beratit, ku theksoi problematikat e “asfaltit elektoral” nga Bashkia Berat, përdorimin e administratës, ndërhyrjen te vota e diasporës nëpërmjet orientimit dhe shkelje të tjera me procesin e numërimit apo votimit.
Nuri gjithashtu akuzoi edhe kandidatët e PS në qarkun e Beratit për përdorimin e patronazhistëve dhe administratës në mitingje. Renditi problematika në Skrapar, Dimal dhe Kuçovë, teksa referoi si prova edhe materiale nga kronika televizive.
“Kemi shumë denoncime përsa i përket qarkut të Beratit. Kemi punësime të paligjshme me qëllime elektorale, kemi legalizime. Gjithashtu edhe problematikat me votën e diasporës, si ndarja e zarfave pa dokument identifikimi, mosdërgimi individual i tyre, por edhe diferenca e rezultatit në diasporë ku është e dukshme, teksa PD bie me 11%, në krahasim me votën brenda vendit dhe PS ka rezultate deri në mbi 90%. Të gjitha rastet i kemi me emra dhe mbiemra. Ka përfshirje edhe të krerëve të Njësive Administrative në të gjitha bashkitë e qarkut. Ka edhe raste me manipulime të numërimit të kutive të votimit. Në disa raste fletët e votimit kanë shenja të veçanta në plotësim, që ka dyshime se janë kryer ng ai njëjti person, pasi në shenjën “x” ka pika të ngjashme, në të paktën 4 kuti të votave të diasporës së Greqisë. Këto duken jorealiste dhe të theksuara, sidomos në të Greqisë. PD ka rënie në 30% te vota e diasporës dhe kjo është e çudithsme, ku opozita ka marrë gati katërfish më pak, PS mbi 12 mijë vota dhe PD 4 mijë vota”, u shpreh Nuri mes të tjerash.
Nuri renditi si një shkelje e Kodit Zgjedhor dhe ligjit elektoral edhe rastin e inagurimit të Urës së Bilçës në Berat nga kryeministri Edi Rama, që e cilësoi elektoral me qëllim votat në zgjedhjet e 11 majit.
"I kemi të gjithë me emra, zyrtarë, drejtorë, administratë, i kemi përfshirë në këtë ankimim dhe i kemi denoncuar, për diasporën rezultatet në krahasim qarqesh kutitë janë identike në numër dhe diferencë votash. Diçka ka ndodhur, kemi bërë krahasimet dhe duhen hetuar nga organet ligjzbatuese nëse ka pasur krim zgjedhor", vijoi Nuri.
Teksa mbylli relatimin e tij ankimues duke lexuar detajet e pretendimeve, Nuri u shpreh para KAS se për këto arsye kërkonte vënien në dispozicion të këtyre provave për të kryer verifikimet e nevojshme nëse konstatohen edhe shkeljet, pasi për të bërë këtë proces duhen marrë të dhënat e plota nga KQZ.
"Ndaj i kërkojmë këto të dhënave, për të bërë kuadrimin apo përputhshmërinë e këtyre të dhënave dhe ne nuk e kemi këtë. Kodi Zgjedhor e parashikon, ndaj edhe i kërkojmë këto prova, sepse i administron KQZ-ja dhe ne e kemi të pamundur. Për këtë qëllim kërkojmë ndërhyrjen e KAS-it, pasi e kemi të domosdoshme për të bërë krahasuar dhe zbuluar nëse ka shkelje. Ne nuk duam hapjen e të gjitha kutive, por kopjet e këtyre të dhënave e jo origjinalin, për efekt të transparencës dhe ankimimit. Ne na duhen këto prova dhe shpresojmë të ekzistojë vullneti i mirë për ta bërë këtë", shpjegoi Nuri.
Kurse përfaqësuesja e KQZ-së, drejtoresha Pavlina Doçaj, u shpreh se relatimi i përfaqësuesit të PD-ADSHM dukej më shumë i bazuar në "thashetheme", pasi nuk janë dhënë detaje mbi këto shkelje dhe dëmin që ato kanë sjellë.
"Përsa i përket rezultatit në Berat, KQZ ka bërë certifikimin mbi bazën e tabelave dhe procesverbaleve mbi numërimin e kryer dhe të miratuar nga grupet. Nuk na u tha këtu se sa ishte dëmi i shkaktuar, rastet konkrete të shkeljeve, masën e këtyre shkeljeve, duhet një provë dhe bazë faktike që këtu nuk na u dha. varianti ynë është se nuk e ka vërtetuar se sa është kjo masë e shkeljes, bazuar mbi nenin 160. ndaj mendoj se ankimimi është i pabazuar dhe prova nuk ka. Janë të marra nga faqe apo denoncime individësh që nuk mund të sjellin pavlefshmërinë e rezultatit në këtë qark apo përsëritjen", tha ajo.
Edhe përfaqësuesja ligjore e PS në KAS, Elena Xhina, rrëzoi pretendimet e përfaqësuesit të PD-së, duke u shprehur se:
"Ankimuesi duhet të bazohet në prova dhe fakte konkrete, që nuk i pamë këtu. Nuk na u dhanë prova për shkeljet e pretenduara. Lajmet në media, portale apo hapësirat e rrjeteve sociale, nuk përbëjnë prova shkencore. Nuk përbëjnë argumente të mbështetura", u shpreh avokatja mes të tjerash.
Pretendimet për Gjirokastrën, PD ankohet edhe për shprehjen 'autikë politikë' të Ramës
Pasi KAS u tërhoq për shqyrtim dhe vendim për Beratin, çështja pas një pushimi kaloi tek ankimimi për Gjirokastrën. Gjatë këtij shqyrtimi grupit ligjor të PD-së iu bashkua edhe deputeti i ri Ivi Kaso.
Nuri lexoi përsëri shkeljet e gjetura gjatë fushatës, procesit të votimit dhe më pas numërimit, deri te vota e diasporës. Në këtë qark doli rezultati 3 mandate për PS dhe 1 për PD.
Një nga provat e pretenduara nga PD ka qenë gjuha e papërshtatshme dhe fyese e përdorur gjatë mitingjeve në Gjirokastër nga kryeministri Edi Rama, ku foli për "autikë politikë". kryesocialisti për këtë frazë ka kërkuar edhe falje publike, edhe pse u shpreh se togfjalëshi ishte i përdorshëm politikisht, por për shkak të familjeve me fëmijë që kanë probleme shëndetësore autizmi, kërkonte falje publike.
Nuri tregoi në telefon edhe disa komunikime për votën e diasporës, ku persona të ndryshëm flasin për "plotësim të zarfeve të votave apo regjistrimit për diasporën" në Itali, Greqi dhe më gjerë.
"Ne kërkojmë që këto vota të konsiderohen të pavlefshme dhe të mos merren parasysh, për çdo qark ku kanë ardhur, si nga Italia, Greqia dhe vendet e tjera", tha Nuri.
KAS vendos të hapë të hënën një nga kutitë e Vlorës, edhe Nisma Shqipëria Bëhet u ankua
Pika e tretë ka qenë ankimimi nr. 40 i PD-ADSHM për qarkun e Vlorës, ku u ngritën të njëjtat pretendime nga përfaqësuesit ligjorë, me shkelje të ngjashme si në dy qarqet e mëparshme, dhe në veçanti për diasporën.
Këtij ankimimi me kërkesë i është bashkangjitur për Vlorën edhe ai i bërë nga ana e koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, pasi pretendohen mospërputhshmëri votash në një prej kutive.
KAS pasi dëgjoi pretendimet, që sipas KQZ-së nuk qëndronin, vendosi ta shtynte mbledhjen për shqyrtimin e materialeve në datën 2 qershor (të hënën), në orën 15:00. Gjithashtu u vendos që në mbledhjen e radhës të hapet edhe “kutia nr. 4494/00, KZAZ 85 Vlorë, pas bashkimit me kërkesën ankimore 43, depozituar nga Shqipëria Bëhet”.
Ankimimi i PD-ADSHM në KAS për qarkun Berat
Komente
