Nga një mbledhje e KAS për Korçën

Politikë

Ankimimet e PD-së për zgjedhjet e 11 majit, pas Kukësit KAS i rrëzon edhe për Korçën, Lezhën e Gjirokastrën

5 Qershor, 15:34| Përditesimi: 5 Qershor, 16:33

  • Share

1748616126_kassssssssssssssssssssssssssssssss.JPG

Nga një mbledhje e KAS për qarkun e Korçës

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve mbyll shqyrtimin e ankimimeve të Partisë Demokratike për tre qarqe të tjera.

Pas Kukësit, demokratët rrëzohen edhe për pretendimet e tyre në qarqet Korçë, Lezhë dhe Gjirokastër.

Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, informon se vendimi është marrë ditën e sotme (5 qershor), teksa KAS i kishte shtyre shqyrtimet nga seancat e kaluara, për grumbullim, dorëzim dhe verifikim të tyre, para se të shprehej me vendim.

PD u rrëzua në pretendimin e saj për pavlefshmëri të rezultatit të tabelave përbmbledhëse të certifikuara nga KQZ për zgjedhjet e 11 majit dhe përsëritjen e tyre. Demokratët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre Marash Logu dhe Franc Nuri, pretenduan parregullsi gjatë fushatës me “asfaltin elektoral”, përdorim të administratës dhe patronazhistëve, mungesën e fletëve të papërdorura në kuri dhe devijim të votës së diasporës.

Por të gjitha këto pretendime u rrëzuan për mungesë provash, pasi nuk u dorëzua asnjë filmim apo dokument që i provonte, teksa gjithashtu verifikimet e disa kutive në qarqe të ndryshme deri tani i kanë dhënë të drejtë KQZ-së.

Në Korçë socialistët fituan 6 mandate kundrejt 4 të PD, kurse në Lezhë demokratët fituan 4 ndaj 3 të mazhorancës dhe në Gjirokastër kjo e fundit mori 3 deputetë, kurse PD vetëm një.

Vendimet e plota të marra sot nga KAS:

"1-Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 42, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Korçë, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. Lënien në fuqi të vendimit 1315/2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Korçë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”. 

2-Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 46, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Lezhë, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. Lënien në fuqi të vendimit 1313/2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Lezhë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”. 

3-Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 40, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Gjirokastër, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. Lënien në fuqi të vendimit 1318/2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Gjirokastër, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”.


Lajmi kryesor:

Dy anëtarët e PD në KAS vendosin rinumërim votash për qarkun e Tiranës, do hapen 1282 kuti! Rrëzohet ankimi i opozitës në 4 qarqe


A.Q/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?