TIRANË- 1282 kutitë e votimi të qarkut Tiranë do të numërohen nga e para, si vota për partitë, ashtu edhe ajo për kandidatët. Rihapja e të gjitha kutive u bë me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, të propozuar nga PD, Ledio Braho dhe Elvi Çefa.
“Në lidhje me kërkesën për këqyrjen e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë, KAS me shumicë votash e rrëzon, por me kërkesë të dy anëtarëve të KAS do bëhet këqyrja e kutive të fletëv të votimit për qarkun Tiranë. Duke qenë ky proces merr kohë, duke qenë se janë 1282 QV, data për fillimin e këtij procesi do të përcaktohet në një moment tjetër ku partitë politike kanë të drejtën të caktojnë vëzhgues ndërkohe që procesi do këqyret nga administrata e KQZ, kështu që kjo seancë pezullohet për momentin”, tha Braho.
Rinumërimi i qarkut më të madh ishte një kërkesë e PD-së, që gjatë shqyrtimit këtë të enjte, nuk u pranua nga të gjithë anëtarët e KAS. Në këtë rast, 2 anëtarët e saj në KAS shfrytëzuan të drejtën që u jep Kodi zgjedhor, për t’i hapur kutitë edhe pa konsensus. PD kërkoi specifikisht edhe rivlerësimin e 16 788 votave të pavlefshme. Mes tyre, PD shpreson të gjejë 1300 vota në favor të saj, që të marrë mandatin e 14, duke ja hequr partisë Mundësia, që në Tiranë ka 2 mandate.
Përveç betejës mes Berishës dhe Agron Shehajt, që do të përballen edhe një herë për votën e partive, do të rinumërohen edhe votat e kandidatëve për të gjitha partitë. Hapja e kutive u jep një shans verifikimi të gjithë atyre që patën një rezultat të ngushtë, nga të gjitha krahët, në garën e brendshme. Kështu, Ilir Alimehmeti shpreson të përmbysë rezultatin dhe të mundë Jorida Tabakun, e cila aktualisht është fituese, me mbi 2400 vota diferencë.
Ky proces do të ringjallë shpresat edhe për disa socialistë, të cilëve Edi Rama u kërkoi të mos ankoheshin për rezultatin. Rreth 500 vota është Xhemal Qefalia larg Ornaldo Rakipit, që aktualisht fitoi mandatin. Akoma edhe më e ngushtë është diferenca mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, e cila e humbi mundësinë me 140 vota.
Vendimi për Tiranën nuk u mor me konsensus, por vetëm me kërkesë të dy anëtarëve demokratë, Elvis Çefa dhe Ledio Braho, pasi neni 138, pika 3 e Kodit Zgjedhor parashikon që “secili anëtar ka të drejtë të kërkojë dhe KQZ-ja është e detyruar të kryejë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara në kuadër të kësaj procedure”.
Ndërkohë, të mërkurën në 11:00 do të hapen 44 kuti të qarkut të Dibrës vetëm për këqyrjen e votave preferenciale mes kandidatëve.
Po sot, me vendim të KAS u rrëzua edhe kërkesa e PD për pavlefshmëri të rezultatit në 4 qarqe, Kukës, Korçë, Lezhë e Gjirokastër.
Nga një mbledhje e KAS për qarkun e Korçës
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve mbyll shqyrtimin e ankimimeve të Partisë Demokratike për tre qarqe të tjera.
Pas Kukësit, demokratët rrëzohen edhe për pretendimet e tyre në qarqet Korçë, Lezhë dhe Gjirokastër.
Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, informon se vendimi është marrë ditën e sotme (5 qershor), teksa KAS i kishte shtyre shqyrtimet nga seancat e kaluara, për grumbullim, dorëzim dhe verifikim të tyre, para se të shprehej me vendim.
PD u rrëzua në pretendimin e saj për pavlefshmëri të rezultatit të tabelave përbmbledhëse të certifikuara nga KQZ për zgjedhjet e 11 majit dhe përsëritjen e tyre. Demokratët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre Marash Logu dhe Franc Nuri, pretenduan parregullsi gjatë fushatës me “asfaltin elektoral”, përdorim të administratës dhe patronazhistëve, mungesën e fletëve të papërdorura në kuri dhe devijim të votës së diasporës.
Por të gjitha këto pretendime u rrëzuan për mungesë provash, pasi nuk u dorëzua asnjë filmim apo dokument që i provonte, teksa gjithashtu verifikimet e disa kutive në qarqe të ndryshme deri tani i kanë dhënë të drejtë KQZ-së.
Në Korçë socialistët fituan 6 mandate kundrejt 4 të PD, kurse në Lezhë demokratët fituan 4 ndaj 3 të mazhorancës dhe në Gjirokastër kjo e fundit mori 3 deputetë, kurse PD vetëm një.
Vendimet e plota të marra sot nga KAS:
"1-Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 42, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Korçë, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. Lënien në fuqi të vendimit 1315/2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Korçë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”.
2-Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 46, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Lezhë, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. Lënien në fuqi të vendimit 1313/2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Lezhë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”.
3-Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 40, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Gjirokastër, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. Lënien në fuqi të vendimit 1318/2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Gjirokastër, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”.
Ditën e mërkurë të javës së ardhshme do të hapen edhe 44 kuti të qarkut të Dibrës, me kërkesë të kandidatit demokrat Xhemal Gjunkshi i cili pretendon se ju vodhën votat.
Hapja e kutive u mundësua në KAS nga dy anëtarë të opozitës, Çefa e Braho.
Gjunkshi nuk mundi të fitojë mandat, me numërimin që u bë më 11 maj.
Ai u rendit i dyti në listën e hapur me gati 100 vota më pak se nga kandidati Përparim Spahiu. Mbetet e paqartë se çfarë synon të arrijë Gjunkshi duke qenë se në qarkun e Dibrës PD mori 2 mandate që i shkuan vetëm listës së mbyllur. Edhe nëse nga rinumërimi ai do të parakalonte kandidatin tjetër Spahiu, kjo nuk i jeo atij asnjë shans që të futet në Kuvend.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, (KAS) ka rrëzuar ditën e sotme ankimimin e PD-së pas kërkesës për pavlefshmëri të rezultatit në qarkun e Kukësit në zgjedhjet e 11 Majit. Rezultati përfundimtar në qarkun e Kukësit doli 2 mandate për demokratët dhe 1 mandat nga socialistët.
Kjo është kërkesa e parë që i rrëzohet PD për pavlefshmëri të zgjedhjeve, ndërsa vijon shqyrtimi dhe për qarqet e tjera .
KAS vendosi rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike-ASHM, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të çuar pavlefshmëri dhe në rivotim në qarkun e Kukësit. Votat nuk do të rinumërohen dhe rezultati mbetet i pandryshuar.
'Detyra jonë si trup nuk ka qenë të përcaktojmë nëse janë të vërteta të gjitha faktet apo jo në seancat e parashtruara. Detyra jonë ka qenë që, midis morisë së fakteve, të identifikonim ato fakte që kanë lidhje me kërkesën për pavlefshmëri zgjedhjesh. Për këtë të fundit, ne duhej të verifikonim nëse provohej vërtetësia e tyre. Pas kësaj, do të verifikonim se sa kanë ndikuar ato në rezultatin e zgjedhjeve. Vendimi ynë nuk duhet të bazohet mbi hipoteza, por mbi prova. Kemi vendosur rrëzimin e kërkesës ankimore numër 37, për subjektin zgjedhor PD-ASHM, për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të datës 11.05.2025 në zonën e Kukësit, si të pambështetur në ligj dhe në prova.'-tha Ilirjan Rusmali
PD paraqiti si prova të vetme për qarkun Kukës vetëm raportin e OSBE-ODIHR dhe një lajm të portlait të familjes Berisha, ku pretendohej se Eduard Shalsi akuzohet se u ka ushtruar presion policëve, por në fakt ajo foto është publikuar nga vetë Eduard Shalsi ditën e dëshmorëve, në nderim të një polici të rënë në krye të detyrës.
Komente

Nese nga kutite e hapura do dalin manipulime dhe tjetersim votash duhet cuar ne koker te burgut numeruesit. Kjo histori kontestimesh duhet te marre fund.
Përgjigju