Një draft prej 29 faqesh iu vu ekspertëve në tryezë, në Komisionin anti-korrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, që përbën nismën e re ligjore për parandalimin e konfliktit të interesit për funksionarët e re publikë.
Projektligji i ri, e para nismë konkrete ligjore e komisionit Xhafaj, zëvendëson ligjin e vjetër të vitit 2005, dhe sipas propozuesve forcon integritetin e zyrtarëve dhe institucioneve publike.
“Ky projekt ligj i rëndësishëm, përkon edhe me një rekomandim të BE, është ligj prioritar që duhet të kalojë shteti shqiptar. Asistohemi nga Këshilli i Evropës”, tha Xhafaj.
Drafti është ende në hapat paraprakë, dhe ekspertët kërkuan jo pak rregullime të draftit. Një prej tyre solli në vëmendje se ligji nuk parashikonte adresimin e konfliktit të interesit për kreun e SPAK.
“Pse nuk është vendosur drejtuesi i SPAK”, pyeti Juelda Lamçe, këshilltare Ligjore e Kabinetit në SPAK. “Do të plotësohet, drejtuesi i SPAK, çështje harrese”, sqaroi ekspertja e Komisionit Anti-Korrupsion Migena Leskoviku.
“Ky ligj duhet të sigurojë mbrojtjen e të dhënave personale dhe dinjitetin e zyrtarëve”, tha Besnik Dervishi, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Aldo Merkoci, këshilltar në Ministrinë e Pushtetit vendor tha se ”Kufizimi kaq ekstrem demotivon ata që janë të suksesshëm në jetën e tyre e që duan të japin kontribut ndërsa një tjetër rrezik është që i shtyn zyrtarët “shkelës të ligjit” drejt fshehjes së konfliktit të interesit.”
Pasi të konsultohet me të gjitha grupet e interesit, projekt-ligji do të jetë një nga prioritetet e legjislaturës së re në shtator.
Drafti i projekt-ligjit “Për parandalimin e Konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” përcakton se konflikti i interesit duhet të deklarohet 30 ditë nga data e fillimit të detyrës pranë ILDKPKI.
Ai vendos kufizimet për zyrtarët e lartë, që nga deputeti, Kryeministri, të zgjedhurit vendorë apo njerëzit e drejtësisë, të cilët me marrjen e detyrës nuk mund të jenë drejtues ose anëtarë të organeve drejtuese të organizatave jofitimprurëse, të ushtrojnë̈ veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e tregtarit, shoqërisë tregtare, apo të çdo forme tjetër; të zotërojnë, në mënyrë aktive aksione ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare të çdo forme etj, si dhe përcakton vlerat e gjobave me të cilat zyrtarët do të përballen në rast të shkeljes së këtij ligji.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Partia Demokratike ka reaguar përmes deputetes demokrate Jorida Tabaku për mbledhjen e Komisionit Anti-Korrupsion. Tabaku thotë se kjo mbledhje bëhet në kundërshtim me kushtetutën pasi sesioni parlamentar ka përfunduar, ndërsa thotë se është dëshmi e kapjes nga shumica të këtij komisioni.
Partia Demokratike që prej fillimit nuk ka pranuar t’i bashkohet Komisionit Xhafaj duke e quajtur atë një përpjekje për të thelluar kapjen e drejtësisë nga shumica.
Postimi i plotë i Jorida Tabakut
Antikushtetueshmëria nuk pushon me mbylljen e sesionit parlamentar
Megjithëse sesioni parlamentar ka përfunduar dhe komisionet e përhershme nuk zhvillojnë më aktivitet, shumica ka zgjedhur t’i hapë dyert antikushtetutshmërisë dhe antiligjshmërisë.
Në mënyrë të paprecedent, është thirrur një dëgjesë për dy nisma që prej vitesh mbahen peng nga kjo shumicë: ligji për konfliktin e interesit dhe ai për partitë politike. Dhe kush tjetër përveç Komisionit të mirënjohur të z. Xhafaj do ta merrte përsipër këtë shkelje?
Thirrja e kësaj mbledhjeje vjen në një kohë pushimi institucional, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjin. Shqipëria sot nuk ka një emergjencë ligjore që justifikon thirrjen e komisioneve. Përkundrazi, shumica nuk arriti të sigurojë as 71 votat për miratimin e ligjeve. Por për të mbajtur monopolin politik mbi proceset e integrimit dhe reformave, gjen rrugë të njëanshme dhe procedura jashtë normës demokratike.
Komisioni Xhafaj ka funksionuar që në fillesë si një mjet i kapjes së procesit nga shumica. Ka shkatërruar çdo parim të bashkëpunimit politik, duke përjashtuar opozitën dhe duke kthyer reformat e integrimit në pronë partiake.
Veçanërisht shqetësues është trajtimi që i bëhet ligjit për financimin e partive politike — një ligj kyç për funksionimin demokratik të jetës politike, i cili nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet pa një proces konsultimi të thelluar me të gjitha partitë politike. Ky është një detyrim i hershëm që vjen nga rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë që prej vendimeve të Këshillit të BE-së në mars 2020.
Kjo sjellje është një paralajmërim i qartë për atë që na pret në sesionin e ardhshëm parlamentar: një tentativë për të përdorur integrimin europian si armë kundër opozitës dhe për ta kapur për fyti këtë proces jetik për shqiptarët.
Në asnjë dokument të BE-së nuk është pranuar ndonjëherë që roli i opozitës të zëvendësohet me struktura pseudo-bipartizane. Përkundrazi, për herë të parë në raportet e BE nënvizohet rëndësia e bashkëndarjes së detyrave mes qeverisë dhe opozitës si dëshmi e gjithëpërfshirjes dhe shmangies së patronazhimit nga shumica.
Nëse duam të jemi vërtet pro integrimit dhe jo vetëm në letër, atëherë duhet një angazhim i ndershëm dhe serioz. Jo një përpjekje për të kënaqur egot personale të atyre që kanë humbur legjitimitetin dhe kërkojnë rrugë anësore për të qëndruar në tryezën e pushtetit.
Komente

1x do krijosh 30 gjykata .1hjykata kundër shpifje 2 gjykata kundër vjedhjes 3 gjykata territoriale 4 gjykata kundër ryshfete 5 gjykata sportive 6 gjykata plehrave 6 gjykata kundër emrave dhe pastërti plazhe 7 gjykata ppb 8 gjykata 11femijes 9 gjykata barazia gjinore 10 gjykata kundër trafikimit organe dhe prositucjoni 12 gjykata kundër kopjime 13 gjykata kundër zhurma muzike te larte 14 gjykata kundër sharje 15 gjykata autonomia
Përgjigju