Partia Demokratike ka reaguar përmes deputetes demokrate Jorida Tabaku për mbledhjen e Komisionit Anti-Korrupsion. Tabaku thotë se kjo mbledhje bëhet në kundërshtim me kushtetutën pasi sesioni parlamentar ka përfunduar, ndërsa thotë se është dëshmi e kapjes nga shumica të këtij komisioni.
Partia Demokratike që prej fillimit nuk ka pranuar t’i bashkohet Komisionit Xhafaj duke e quajtur atë një përpjekje për të thelluar kapjen e drejtësisë nga shumica.
Postimi i plotë i Jorida Tabakut
Antikushtetueshmëria nuk pushon me mbylljen e sesionit parlamentar
Megjithëse sesioni parlamentar ka përfunduar dhe komisionet e përhershme nuk zhvillojnë më aktivitet, shumica ka zgjedhur t’i hapë dyert antikushtetutshmërisë dhe antiligjshmërisë.
Në mënyrë të paprecedent, është thirrur një dëgjesë për dy nisma që prej vitesh mbahen peng nga kjo shumicë: ligji për konfliktin e interesit dhe ai për partitë politike. Dhe kush tjetër përveç Komisionit të mirënjohur të z. Xhafaj do ta merrte përsipër këtë shkelje?
Thirrja e kësaj mbledhjeje vjen në një kohë pushimi institucional, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjin. Shqipëria sot nuk ka një emergjencë ligjore që justifikon thirrjen e komisioneve. Përkundrazi, shumica nuk arriti të sigurojë as 71 votat për miratimin e ligjeve. Por për të mbajtur monopolin politik mbi proceset e integrimit dhe reformave, gjen rrugë të njëanshme dhe procedura jashtë normës demokratike.
Komisioni Xhafaj ka funksionuar që në fillesë si një mjet i kapjes së procesit nga shumica. Ka shkatërruar çdo parim të bashkëpunimit politik, duke përjashtuar opozitën dhe duke kthyer reformat e integrimit në pronë partiake.
Veçanërisht shqetësues është trajtimi që i bëhet ligjit për financimin e partive politike — një ligj kyç për funksionimin demokratik të jetës politike, i cili nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet pa një proces konsultimi të thelluar me të gjitha partitë politike. Ky është një detyrim i hershëm që vjen nga rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë që prej vendimeve të Këshillit të BE-së në mars 2020.
Kjo sjellje është një paralajmërim i qartë për atë që na pret në sesionin e ardhshëm parlamentar: një tentativë për të përdorur integrimin europian si armë kundër opozitës dhe për ta kapur për fyti këtë proces jetik për shqiptarët.
Në asnjë dokument të BE-së nuk është pranuar ndonjëherë që roli i opozitës të zëvendësohet me struktura pseudo-bipartizane. Përkundrazi, për herë të parë në raportet e BE nënvizohet rëndësia e bashkëndarjes së detyrave mes qeverisë dhe opozitës si dëshmi e gjithëpërfshirjes dhe shmangies së patronazhimit nga shumica.
Nëse duam të jemi vërtet pro integrimit dhe jo vetëm në letër, atëherë duhet një angazhim i ndershëm dhe serioz. Jo një përpjekje për të kënaqur egot personale të atyre që kanë humbur legjitimitetin dhe kërkojnë rrugë anësore për të qëndruar në tryezën e pushtetit.
Lajmi kryesor:
‘Antikorrupsioni’ diskuton për herë të parë draftin ligjor për konfliktin e interesit, gjoba zyrtarëve në shkelje! Xhafaj: Rekomandim nga BE
SI.E./S.B/ReportTv.al
