Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, reagoi sot në lidhje me lënien në fuqi të masave të sigurisë nga Gjykata e Posaçme e Apelit ditën e sotme të kryetarit Ilir Meta, që u la në “arrest me burg”.
Ai e quajti një “vendim të neveritshëm politik” për të izoluar me masë ekstreme Metën. Gjithashtu Blushi i cilësoi njerëzit e drejtësisë si “vegla qorre të Sorosifikuara dhe të diktuara nga SPAK dhe personalisht Rama”.
Vendimi i sotëm është konsideruar edhe si mafioz dhe në shkelje të Kushtetutës, pa prova dhe dokumente.
Reagimi i plotë i Tedi Blushit:
"Partia e Lirisë dënon me ashpërsinë më të madhe vendimin e neveritshëm politik për të izoluar me masë ekstreme Presidentin, Ilir Meta, (Presidentin e partisë së dytë opozitare në vend dhe partisë së tretë prej 20 vitesh), të marrë sot nga vegla qorre Gjykata e Posaçme e Sorosifikuar e Apelit, të diktuar afërmendsh nga SPAK dhe personalisht nga Edi Rama.
Partia e Lirisë e kundërshton me te gjithë forcën dhe në mënyrë të palëkundur këtë vendim mafioz totalisht të pabazuar në ligj, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, krejtësisht të pambështetur në asnjë dokument, fakt dhe prove, në dhunim të plotë parimit të prezumimit të pafajësisë, të një procesi të rregullt ligjor dhe me parimet e shtetit të së drejtës në tërësi.
Për Partinë e Lirisë ky vendim drejtësisë si pushkë qorre në duart e narkoshtetit është plotësisht i mbushur me barutin e një porosie politike për të asgjësuar opozitën e vërtetë, pluralizimin dhe demokracinë, në funksion vetëm të axhendave mafioze personale, politike dhe elektorale të Edi Ramës, në shërbim të mafias ndërkombëtare, që ka ndihmuar për sorosifikimin e sistemit të drejtësisë me qëllim për të ndihmuar instalimin e plotë të Narkoregjimit në Shqipëri.
Ky vendim kryekëput politik, që e thellon sulmin barbar ndaj pluralizmit dhe demokracisë, duke e shndërruar Shqipërinë ndër të paktat vende në botë me të burgosur politikë, është i absolutisht i papranueshëm dhe do të ankimohet pa në të gjitha shkallët e drejtësisë brenda vendit dhe jashtë vendit.
Është e qartë se ky vendim kryekëput politik i sponsorizuar nga Qeveria dhe McGongigalët sorosianë kundër Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta është vijim i hetimit skandaloz ndaj tij të bazuar vetëm në mashtrime, manipulime dhe njëanshmëri ekstreme, që u konkludua me rrëmbimin banditesk, siç e panë të gjithë shqiptarët, nga banditë me maska, që hynë dhunshëm në makinë me armatim të rëndë, që nuk u identifikuan, që nuk dhanë asnjë shkresë apo akt zyrtar, që nuk lejuan kontaktin me avokatin, që nuk e njohin me të drejtat e tij dhe që dhunshëm e futën Presidentin Meta në një makinë private për ta çuar në Drejtorinë e Policisë, ku vetëm pas dy orësh shkuan oficerët e Policisë Gjyqësore.
Është e qartë si drita e diellit se dosja e fëlliqur dhe e sponsorizuar kundër Presidentit Meta nuk ka asnjë fakt penal dhe asnjë provë që e implikon z.Meta qoftë edhe në një fije floku në shkelje të ligjit.
Është gjithashtu e qartë si drita e diellit se Ramaforma apo drejtësia e sorosifikuar nuk funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe të së drejtës, por mbi bazën e urrejtjes, hakmarrjes primitive, urdhrave politikë dhe metodave policeske të një shteti diktatorial.
Presidenti i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta është sot i burgosur politik vetëm për shkak të qëndrimeve të tij shumë të drejta institucionale, politike, patriotike dhe qytetare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, të çështjes së Detit dhe të mbrojtjes së pakompromis të kufijve të Kosovës, të kundërshtimit të “Ballkanit të Hapur”, si dhe për shkak të denoncimit të pakompromis të inkriminimit dhe korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës, Narkoshtetit dhe Drejtësisë së sorosifikuar nga koka tek këmbët.
Sorosifikimi total i sistemit të drejtësisë nga Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare, që ka pjellë vetëm Dumanë dhe Dvoranë, që i ka shndërruar prokurorët dhe gjyqtarët në një instrument paramilitar të shumicës socialiste për vrarë opozitën, pluralizimin politik dhe demokracinë në vend, duke izoluar kundërshtarët politikë të Edi Ramës është sot një alarm kombëtar dhe armiku më i egër i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor për çdo shqiptarë.
Partisë së Lirisë duke shprehur të gjithë mbështetjen e palëkundur dhe solidaritetin e plotë me Presidentin e burgosur politikisht, z.Ilir Meta, nën drejtimin e tij dhe pavarësisht gjendjes juridike, është më e vendosur se kurrë për të intensifikuar shumëfish aktivitetin politik dhe aksionin e saj opozitar, në sulm frontal dhe pa mëshirë kundër Narkoregjimit, brenda institucioneve të kapura dhe në terren.
Desorosifikimi i drejtësisë është emergjencë kombëtare për çlirimin e shtetit dhe rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe barazisë përpara ligjit për çdo qytetar.
Asnjë vendim gjykate, asnjë veprim i mjerë i Narkoregjimit dhe asnjë fuqi tjetër nuk e ndal dot betejën vendosur dhe me çdo çmim e sakrificë, të Partisë së Lirisë dhe qindra mijëra anëtarëve të saj, brenda dhe jashtë vendit, për çmontimin e Narkoshtetit, rikthimin e shtetit ligjor, mbrojtjen e lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të demokracisë e pluralizmit dhe vënien sa më parë në jetë të 5 Prioriteteve tona për 4 milion shqiptarë plus”.
Lajmi kryesor:
Afera CEZ- DIA e lobimi në SHBA, Apeli i GJKKO-së lë në burg Ilir Metën, s'ndryshon masën as për Kryemadhin! Monika: SPAK, 34 fashikuj me falsifikime, heq dorë nga politika! Me Ilirin s'ka më kthim pas
A.Q/ReportTv.al