Pallati 7-katësh në ndërtim që iu hoq sekuestro

Kronikë

Apeli rrëzon vendimin e Gjykatës së Sarandës, hiqet sekuestro për pallatin 7-katësh! Biznesmeni i dënuar me 2 vite burg për ndërtim pa leje

18 Shkurt, 19:18| Përditesimi: 18 Shkurt, 19:25

  • Share

Një vendim i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka ndryshuar plotësisht rrjedhën e një çështjeje të bujshme në Sarandë, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë. Vendimi i Apelit ka urdhëruar heqjen e sekuestrimit për një pallat 7-katësh të ndërtuar nga biznesmeni 68-vjeçar Pando Papuçi, i cili më herët ishte dënuar për "ndërtim të paligjshëm".

Në prill të 2024-ës, Gjykata e Sarandës, e shpalli fajtor Papuçin për akuzën e "ndërtimit të paligjshëm për qëllime fitimi", bazuar në nenin 199/a/4 të Kodit Penal. Si pasojë, ai u dënua me 2 vite burg, ndërsa kompania e tij “2P-SJ” sh.p.k. u shpall përgjegjëse për të njëjtën vepër penale dhe iu dha dënimi i "mbarimit të personit juridik".

Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të objektit 7-katësh, i cili ndodhet në hyrje të Sarandës dhe ishte ndërtuar nga subjekti "2P-SJ" sh.p.k.

Një detaj i rëndësishëm në këtë çështje është se Prokuroria e Sarandës, kishte kërkuar një masë më të lehtë për Papuçin. Konkretisht, Prokuroria kishte propozuar një dënim prej 5 vitesh burg, i cili pas uljes prej 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të konvertohej në shërbim prove dhe heqjen e sekuestros preventive dhe vijimin e procedurave administrative.. Megjithatë, Gjykata e Sarandës vendosi një dënim më të rëndë, duke e dënuar përfundimisht Papuçin me 2 vite burg efektiv.

Pretendimet e Prokurorisë dhe qëndrimi i Apelit

Një nga çështjet kryesore të debatit gjatë procesit gjyqësor ka qenë vlera juridike e një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Administrative, e cila kishte shtyrë vlefshmërinë e lejes së ndërtimit të Papuçit. Prokuroria e Sarandës, që në fillim të procesit, ka pretenduar se ky vendim nuk duhej zbatuar dhe se ndërtimi ishte i paligjshëm.

Por, Gjykata e Apelit ka rrëzuar këtë argument, duke e cilësuar si një qëndrim që cenon sigurinë juridike. Në vendimin e saj, Apeli thekson se aktet gjyqësore të formës së prerë janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe organet e drejtësisë. Rrjedhimisht, refuzimi për të njohur vendimin e Gjykatës Administrative nga Prokuroria është cilësuar si një shkelje e parimit të sigurisë juridike, gjë që ka ndikuar në rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë.

Gjykata e Apelit vlerëson se:

“Vlerësimi i ndryshëm i prokurorit në raport me vendimin gjyqësor, jo vetëm që është i papranueshëm, por përbën një sjellje të paligjshme e cila, në kushte të caktuara, ndëshkohet edhe nga vetë ligji penal.”

Gjithashtu, Apeli ka qenë i qartë se asnjë prokuror nuk mund të pretendojë që vendimet gjyqësore të mos zbatohen, sepse moszbatimi i tyre sjell ndëshkime nga ligji penal. Ky qëndrim i Apelit thekson rëndësinë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe shmangien e interpretimeve të njëanshme nga organet e akuzës.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?