Ardian Ismajli është pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij. Mbrojtësi i Kombëtares pritet të largohet nga Empoli pas përfundimit të kontratës në fund të qershorit, duke dalë kështu lojtar i lirë në tregun e verës.
Interesi për qendërmbrojtësin nuk ka munguar. Sipas mediave italiane, Lazio ka hyrë fuqishëm në garë për shërbimet e tij, duke i paraqitur një ofertë zyrtare me kontratë tre vjeçare. Palët janë aktualisht në bisedime dhe futbollisti po vlerëson seriozisht mundësinë për të qëndruar në Serie A, por këtë herë te një klub me më shumë objektiva dhe eksperiencë europiane.
Për Ismajlin interesohen gjithashtu klube turke, si Besiktas dhe Trabzonspor, të cilat kanë zhvilluar kontakte me përfaqësuesit e lojtarit në përpjekje për ta bindur me një projekt të ri jashtë Italisë.
Një transferim te Lazio do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në karrierën e 27-vjeçarit, i cili kërkon të konsolidohet në nivele më të larta përpara sfidave të ardhshme me Kombëtaren. Vendimi përfundimtar pritet të merret në javët në vijim, me Romën që mund të bëhet stacioni i tij i ardhshëm.
Komente
