Delvina vijon të jetë në situatë emergjente për shkak të zjarreve. Deputeti i zgjedhur i PS në qarkun e Vlorës, Ardit Bido, ndodhet në terren ku po ndjek situatën në Delvinë.
Në një intervistë për Report Tv, Ardit Bido u shpreh se po shqyrtojnë mundësinë për evakuime të banorëve nga lagje të tjera të qytetit.
Sipas tij, era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve.
Bido theksoi se zjarri ka rrethuar qytetin dhe prioritet për momentin është izolimi i flakëve dhe shpëtimi i jetës së njerëzve.
“Situata është e vështirë, ka zjarre në disa lagje të qytetit. Janë 2 helikopterë që po operojnë, janë 1 zjarrfikëse nga Bashkia Delvinë dhe bashkitë përreth. Shpresoj që të mundet që të qetësohet situata në orët në vijim sepse era është e disfavorshme duke e sjellë zjarrin më afër shtëpive.
Ka pasur evakuime në Kasapaj, po shqyrtojmë nëse është e nevojshme edhe evakuimi në lagjen Murkus. Janë forcat e policisë që shkojnë shtëpi më shtëpi që të evakuojnë qytetarët.
Qytetarët janë bashkëpunues. Delvina ka rreth 4 mijë banorë, një qytet që ka histori dhe trashëgimi të rëndësishme. Dua të falenderoj zjarrfikësit, Bashkinë e Delvinës, kryetarin e Bashkisë që ka qenë në krye të operacionit, ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu që ka qenë në krye të operacionit, Forcat e Armatosura, personelin e spitalit.
Është një rrethim i zjarrit, ka dhe në periferi të fshatrave. Zjarri ka rrethuar në të gjitha anët qytetin, nuk luhet me zjarrin”, deklaroi Ardit Bido.
Lajmi kryesor:
Shqipëria lufton me zjarret! Delvina dhe Gramshi zonat më kritike, situata e qëndrueshme dhe nën kontroll
V.GJ /E.H/ReportTv.al
