Politikë

Ardit Bido për Report Tv: 83 mandatet e PS s’janë rrezik, u dhanë për integrimin në BE! Problemet në Greqi për shkak të postës

20 Maj, 18:31| Përditesimi: 20 Maj, 19:10

  • Share

Partia Socialiste mori një rezultat të thellë në qarkun e Vlorës, duke i rrëmbyer opozitës edhe një mandat nga lista e sigurt dhe e përfundoi garën e zgjedhjeve të 11 majit me 9 mandate.

Një nga kandidatët më të votuar të listës së hapur për socialistët ishte edhe Ardit Bido. Deputeti i ri i Kuvendit të ardhshëm ishte i ftuar sot në ‘Studio Live’ me një lidhje nga ana e moderatorit Arbër Hitaj.

Bido foli për fushatën zgjedhore, votën e diasporës, akuzat dhe pretendimet e opozitës dhe arsyet e një fitore kaq të thellë në shkallë qarku dhe vendi.

Deputeti tha për Report Tv se mandati i 9-të në Vlorë erdhi nga vota masive e qytetarëve dhe jo vetëm nga diaspora, kurse për kundërshtarët që e kanë “shigjetuar” gjatë fushatës, theksoi se “Humbësi në Himarë do të marrë një humbje më të thellë në zgjedhjet lokale të ardhshme”.

“Në qarkun e Vlorës çdo palë zgjedhje ka pasur prurje nga diaspora vazhdimisht. Fundjavën e zgjedhjeve shumë shqiptarë ktheheshin në atdhe dhe votonin. Mandati i nëntë nuk erdhi vetëm nga diaspora por nga ata që votojnë në qarkun e Vlorës. Pati numër të lartë votuesish në shkallë qarku më 11 maj. Rezultati erdhi edhe si pasojë e punës, takimit me strukturave, si dhe takimet e kryeministrit Edi Rama në Greqi, ku kishte entuziazëm të lartë tek shqiptarët”, u shpreh Bido.

I pyetur për problemet e votës së diasporës në Greqi, ai e pranoi, duke sqaruar se shkak ishte posta, por në fund gjithçka shkoi mirë.

“Në Greqi ka pasur probleme, por që lindën nga posta atje, gabime teknike që çoroditën njerëzit atje. Në fund gjithçka shkoi mirë dhe u shpreh vullneti i tyre, që ishte fitorja e thellë në Vlorë me 9 mandate, që vjen nga puna e bërë në 4 vite nga qeveria dhe frymë e qytetarëve për mandat të ri ndaj PS. Kemi pasur mobilizim të shumë njerëzve në fushatë dhe ishte rezultat spektakolar”, vijoi ai.

Për akuzat e opozitës për vjedhje votash e blerje me banda kriminale nga mazhoranca, Bido tha se janë vetëm pretendime të pabaza:

“Të gjithë votojnë dhe të gjithë kanë influencë, por lidhje me organizata kriminale dhe banda siç pretendohet nga opozita nuk qëndron. Të paktën edhe për fushatën time nuk mund të thotë kush se e bëri filani apo ndërhyri filani. Por pati frymë qytetarë, votë masive të qytetarëve për PS, të cilët vendosën se cilët projekt e program e meritonte. Unë nuk e shoh siç e sheh opozita. Unë e shoh me mendimin se qytetarët u përgjigjën me votë”.

Kurse për akuzat nga segmentet politike në Himarë dhe më tej, të drejtuara atij, deputeti i ardhshëm i parlamentit iu përgjigj me një mesazh të qartë.

“Humbësi në Himarë do të ketë edhe një humbje më të thellë në zgjedhjet lokale. Për të gjithë ata që përpiqen të thonë se Himara ka probleme të stisura, të sajuara dhe që nuk qëndrojnë. Do marrë humbje të thellë sepse qytetarët e Himarës nuk i besojnë këto teza. Unë kam marrë edhe shumë vota të minoritetit në Sarandë, por edhe në të gjitha bashkitë e qarkut dhe diasporë, me votë preferenciale. Jam përfaqësues i të gjithë atyre që më kanë votuar, përfshi edhe 400 banorë të Himarës dhe do jenë më shumë zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Bido.

Por a është një shumice e cilësuar me 83 mandate të mazhorancës socialiste një rrezik?

“Në parim shumica e cilësuar është problematike, por unë besoj se qytetarët shqiptarë dhanë mandat të fortë për PS-në në mënyrë që të realizohet integrimi në BE, që e kemi edhe në horizont”, u shpreh kandidati socialist për Report Tv.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?