Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, në fjalën e tij në Parlament, i është ankuar kryeparlamentarit Niko Peleshi që t’i vendosë në dispozicion rregulloren e re të Kuvendit.
“Kam bërë një kërkesë seancën e kaluar për rregulloren. E keni detyrim të na e vendosni në dispozicion. Neni 78 pika 2 e Kushtetutës i bën të pavlefshme të gjithë mbledhjet pikërisht se ju nuk na i keni vënë në dispozicion... Kjo kërkesë e jona nuk është kërkesë për të shtyrë seancën. Ne vijmë në seancë, ndërkohë që ne nuk dimë çfarë kemi ndryshuar në rregullore. A mund të quhet një seancë e zhvilluar normalisht”?
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi është shprehur se rregullorja e re është shpërndarë, si dhe gjendet online në faqen e Parlamentit. Megjithatë, Peleshi u kërkoi shërbimeve të Kuvendit që të shpërndajnë rregulloren e re nëse ndonjë deputet nuk e ka marrë.
“Padyshim që është e drejta e çdo deputeti të ketë aktet, por rregullorja e re më konfirmojnë nga shërbimet e Kuvendit që ju është shpërndarë të gjithë deputetëve dhe për tepër është dhe në faqen e kuvendit. Të gjithë e kanë marrë”, u shpreh kryeparlamentari Niko Peleshi.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ PD braktis sallën: Ktheni debatin për programin qeverisës! Të rinjtë e PS: Na lini të flasim! Miratohet Kalendari i Punimeve
V.GJ /SI.E./ReportTv.al