Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) kanë bastistur shtëpitë e dy të arrestuarve të dyshuar si spiunë të agjencisë së inteligjencës serbe BIA.
Gjatë kontrollit të kryer, janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, maska gazi ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.
Cilët janë dy të arrestuarit që dyshohen se punuan për Shërbimin Sekret Serb, BIA?
Sipas Express, bëhet fjalë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin.
Bedri Shabani ka punuar si doganier gjatë viteve 90-të, gjatë periudhës së Millosheviçit, kurse Muharrem Qerimi ka punuar si zyrtar i Policisë së Kosovës, deri pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Bashkëpunëtori i hershëm i Shërbimit Sekret Serb (BIA) që nga vitet e ’90-ta, kishte si detyrë të mblidhte informata dhe të trillonte me qëllim të njollosjes së imazhit të Kosovës duke ndërtuar narracione të njëjta me Serbinë edhe në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike.
Ndërkaq thuhet se ata i raportonin informacione një oficeri të Shërbimit Sekret Serb me emrin Srdjan Rosiç.