DOSJA K/ Arratisja e 17 anëtarëve të një familje në gusht 1987, Hekuran Isai shkoi urgjent me helikopter në Vermosh

3 Tetor 2023, 20:39| Përditesimi: 3 Tetor 2023, 21:26

  • Share

Mbrëmja e 9 gushtit 1987, duke u gdhirë data 10, do të shënonte një prej ngjarjeve më të bujshme, në Shqipërinë e diktaturës, arratisjen e dy familjeve me 17 anëtarë, duke kaluar kufirin në Vermosh. Ishte një prej rasteve të rralla kur realizohej me sukses një arratisje kaq masive. Iniciatori dhe ideuesi i kësaj arratisje Gjiovalin Vushaj ka dëshmuar për ‘Dosjen K’, gjithë detajet e kësaj arratisjeje, shkaqet që e i detyruan për ta ndërmarrin këtë hap dhe çfarë ndodhi me ta menjëherë sapo kaluan në tokën jugosllave, gjyqi që ju bë 17 anëtarëve të dy familjeve të arratisura në ish Jugosllavi, dhe ditët e burgut në Beograd.

Ndërkohë në Tiranë, arratisja kishte shkaktuar alarm, në kupolën e lartë të regjimit.  Një telefonatë në Komitetin Qendror, kishte ndezur sinjalin e alarmit. Dita e  10 gushtit 1987, ishte një ditë që do ta mbanin mend gjatë sidomos krerët e Ministrisë së Brendshme dhe gjithë strukturat e tjera nën varësi. Do të jepnin llogari për arratisjen që kishte ndodhur mu nën hundët  e ushtarëve të armatosur…

Kryehetuesi Qemal Lame, që do të dërgohej në terren për të hetuar këtë ngjarje, në një shkrim të tijin, kujton:

“Udhëheqja e partisë-shtet u vu menjëherë në lëvizje, për ta mbajtur ngjarjen të fshehtë dhe duke iu paraprirë interpretimeve në popull, me idenë e veprimtarisë armiqësore. Pa u hetuar rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes, vetëm duke u bazuar në të dhënat e para të radiogramit të Degës së Punëve të Brendshme dhe interpretimit nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, u vlerësua se; arratisja kishte ndodhur, si pasojë e veprimtarisë armiqësore, e nxitur nga Zbulimi jugosllav

Ndryshe nga herët e tjera që priteshin raportet nga Dega e Punëve të Brendshme, komanda e Kufirit e Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, u urdhërua të shkonin menjëherë në vendin e ngjarjes. Po ashtu edhe drejtuesit e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, Xhemal Dymylja. Nga Tirana, u nisën me helikopterin e Ministrisë së Brendshme, ministri Hekuran Isai dhe sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së  Simon Stefani”.

Ndërkohë, në tokën jugosllave për dy familjet shqiptare do të vijonin andrrallat. I priste një gjyq fillimisht e mandej disa javë në burgun e Beogradit, derisa aventura e tyre e arratisjes të përfundonte në Amerikë.

Kjo është pjesa e dytë e historisë së kësaj arratisjeje të bujshme të gushtit të 1987, me rrëfimin ekskluziv të Gjovalin Vushajt duke i bashkangjitur edhe dokumentet arkivore  të  Ministrisë së Brendshme.

KLIKO KËTU PËR PJESËN E PARË TË HISTORISË

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?