TIRANË- Personi më i kërkuar i dy ditëve të fundit nga policia e Shtetit, Daut Laze, i arratisur në mënyrë spektakolare duke kapërcyer murin e burgut për të dënuar me probleme të shëndetit mendor në Shënkoll të Lezhës, është praktikant i besimit islam. Ky detaj nuk u anashkalua nga uniformat blu, që zbarkuan edhe nëpër xhamitë e Tiranës, në përpjekje të lokalizimit të tij, konsideruar person i rrezikshëm, por deri tani pa rezultat. Kontrolle të shumta po zhvillohen edhe në Lezhë dhe Berat, sidomos në vendlindjen e tij në Çorovodë.
Burime i thanë Report Tv se 49-vjeçari kishte kërkuar më herët të qëndronte i vetëm në qeli, ndoshta edhe për të praktikuar ritet e besimit, po nuk i ishte mundësuar nga burgjet.
Familja e Duat Lazes jeton në zonën e Astirit në Tiranë, në këtë shtëpi 3 katëshe. Nëna e tij, në një prononcim të shkurtër për Report Tv, thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt prej momentit që mori vesh se djali i dënuar për dhunë në familje është arratisur nga burgu.
"Nuk jemi lidhur me djalin, s’ka telefonuar. Nuk kemi asnjë haber fare, po të kisha do thosha", thotë nëna e tij për Report Tv.
Për arratisjen e Daut Lazes u arrestuan të mërkurën e 5 shkurtit 3 punonjës të institucionit, në akuzë për shpërdorim detyre, Gjin Ndoka, punonjës shërbimi në kupolë, Mark Nikollin, grup sigurie dhe Zhaneta Mellën, operatore e survejimit të kamerave, të cilët kanë qenë në shërbim në momentin e largimit të 49-vjeçarit, por nuk e kanë konstatuar.
Ai mendohet të ketë dalë në ajrim, aty ka marrë një llamarinë të cilën e ka mbështetur te muri mbi 4 metra i lartë, duke e kapërcyer.
Për çdo informacion që ndihmon në lokalizimin e të arratisurit, policia ka vënë 10 mijë euro shpërblim. Daut Lace ishte dënuar me mjekim të detyruar, ndërsa në planin e arratisë e realizoi nga dhoma e mjekimeve në institucionin e shndërruar prej më shumë se 2 vitesh, në strehën e përkohshme të të burgosurve me probleme të shëndetit mendor, ku aktualisht janë 470 persona, me një staf prej 180 punonjësish.
Prej 4 vitesh, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve insistojnë që kjo kategori të kalojë në administrim të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi autoritetet europiane konsiderojnë se pas mbylljes së Zaharisë, as Shënkolli nuk plotëson standardet.