Politikë

Arrestimet e SPAK, Kryeministri Rama: Duhet durim i madh strategjik, jemi e vetmja garanci për institucionet e drejtësisë

11 Shtator, 11:15| Përditesimi: 11 Shtator, 11:35

  • Share

 

Në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama shprehu dhe kritika për punën e SPAK dhe të GJKKO.

Edhe pse SPAK ka arrestuar eksponentë të vetë socialistëve, Rama tha se duhet të durojnë për hir të formimit të një drejtësie europiane.

Kryeministri u shpreh se PS-ja është e vetmja garanci për institucionet e reja të drejtësisë dhe se çdo sulm ndaj SPAK apo GJKKO, do të ishte kthim pas në kohë.

“Kura në këto sëmundje nuk është kurrsesi kthimi mbrapa, duhet durim i madh strategjik. Duhet largpamësi për të mos bërë asnjë hap pas në raport me drejtësinë dhe pavarësinë e saj sepse çdo hap i tillë sot do kishte si pasojë nesër kush e di sa më shumë hapa larg nga drejtësia europiane e gjeneratës së vjetër.

Mua më pyesin shokë e shoqe këtu si mund të durohen padrejtësitë e organeve të drejtësisë kur bien deri dhe tek dikush që kemi ndarë ditë të mira e të këqija, edhe kur padrejtësia në trajtimin e rastit duket ku e ku më e trashë së filli i drejtësisë, u dashka të durojmë. Unë nuk e gjej dot një përgjigje më të lehtë. Sipas meje, pikërisht pse ne kemi hyrë jo me zor por me dëshirë në këtë llogore të përbashkët të politikës me flamurin e PS nuk kemi asnjë mundësi e asnjë të drejtë ta kthejmë llogoren e përbashkët në një rifuxho për të marrë në mbrojtje këdoqoftë dhe as të nxjerrim artilerinë tonë kundër SPAK dhe GJKKO.

Sado e padrejtë, madje ndoshta absurde mund të duket kjo që thashë. Do të ishte i pariparueshme për më shumë se 1 dekadë dëmi që artileria jonë do t’i bënte Shqipërisë së nesërme, kauzës së madhe epokale të pavarësisë së drejtësisë.

Deri kur institucionet e reja të drejtësisë do qëndrojnë fort mbi këmbët e veta, kjo parti është i vetmi garant. Po nuk u dhamë atyre institucioneve të dobëta kohën që u duhet të rriten, gjithë kjo përpjekje do shkojë dëm. Më keq akoma, do shkojë dëm gjithë ëndrra dhe pritja e shqiptarëve për të pasur një drejtësi të pavarur nga pushteti politik.

Koha që ju duhet institucioneve që të rriten përfshin edhe kurimin me kosto shumë të larta njerëzore të atyre sëmundjeve të trashëguara. Këto kosto janë në lëkurën tonë dhe ky është guri më i madh mbi kurrizin tonë”, tha ndër të tjera Edi Rama.


Lajmi kryesor:

Asambleja e PS/ Zgjedhje të parakohshme në Tiranë, pritet shkarkimi i Veliajt, Rama: Manastirliu kandidate! Reformë administrative dhe territoriale


V.GJ /r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?