Politikë

Asambleja e PS/ Zgjedhje të parakohshme në Tiranë, pritet shkarkimi i Veliajt, Rama: Manastirliu kandidate! Reformë administrative dhe territoriale

11 Shtator, 07:29| Përditesimi: 11 Shtator, 14:41

  • Share

TIRANË- Asamblenë e shumëpritur për shpalljen e kabinetit të tij në mandatin e katërt qeverisës, kryeministri Edi Rama e çeli me një emergjencë. “Duhet të adresojmë këtu edhe emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht”, tha Rama.

Arsyeja në fakt, është qëndrimi në izolim i Erion Veliajt prej 12 shkurtit të këtij viti, në pritje të gjykimit. Me vlerësim për punën në 7 muaj të të deleguarës Anula Ristani dhe me kritika mbi kuadrin ligjor që lë për të dëshiruar sipas tij në rastin kur kryetari pengohet të vijë në punë jo nga dëshira e tij, por nga paraburgosja, kreu i qeverisë i kërkoi këshillit bashkiak, shkarkimin e Veliajt.

“Sot ne duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar bashkie të ri në Tiranë. Përfaqësuesit tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në punë mekanizmin e shkarkimit të kryetarit të zgjedhur. Nuk është një propozim që unë e bëj me zemër të lehtë, prandaj i kuptoj të gjithë ata që mund të mos ndihen mirë nga një vendim i tillë",- tha Rama.

Bashkë me vendimin për të çuar bashkinë më të madhe në vend në zgjedhje të parakohshme, kritikat për drejtësinë në rastin “Veliaj”, megjithatë nuk i ndali.

“I janë nxjerrë edhe biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Diktatorial, jo e jo. Është shkelja më e hapur dhe më flagrante në shpërdorim të detyrës, nga ana e tyre që duhet të mbajë nën kontroll hetimet”, tha Rama.

Anëtarëve të Asamblesë, por dhe qytetarëve që tha se mund të mund të preken nga ky vendim, Rama i pohoi: “S’është propozim që e bëj me zemër të lehtë, por Tirana s’mund të gdhihet e ngryset si trup pa kokë.”

Emrin e së parës grua që synon të vë në drejtimin e bashkisë së Tiranës, Rama e shpalli surprizë edhe për vetë kandidaten Ogerta Manastirliu. Kandidimi i saj për kryebashkiake, dikur drejtuese e QSUT, ministre e Shëndetësisë, e në mandatin e fundit, e Arsimit dhe Sportit, i hap rrugën drejt kuvendit, Blerina Gjylametit si më e votuara e listës së hapur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit.

“E di që nuk do ma falësh kollaj në një kohë më të gjatë mbase kësaj here këtë bombë të palajmëruar, por Shqipëria ka nevojë për Tiranën si treni për lokomotivën. Prandaj PS nuk ka më as çfarë pret për ta vënë lokomotivën në lëvizje me ritmin e saj më të lartë, duke ngritur në kabinën e drejtimit makinistin e duhur”, tha Rama.

Tirana nuk është e vetmja bashki me zgjedhjet e parakohshme në horizont, të cilat do të presin edhe dekretin e presidentit. Pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, zgjedhje priten edhe në Bashkinë e Vlorës, ndërsa si rezultat i kandidimit të kryebashkiakëve më 11 maj, edhe Mati, Berati dhe Tepelena pritet të shkojnë në zgjedhje, sapo qeveria të shpallë vakancën. Emërimi surprizë i Andis Sallës në ministrinë e Bujqësisë, hap garën për zgjedhje edhe në Bashkinë e Cërrikut.

Kritikat për drejtësinë

Ndërsa adresoi kritika në drejtim të drejtësisë, për të cilën thotë se po cakton në pazar fatin e të hetuarve, shefi i qeverisë tha se asesi nuk do të nxjerrin artilerinë kundër SPAK dhe çdo ndryshim në legjislacionin e drejtësisë do bëhet vetëm vulën nga KE.

“Pjesë e jona është ta mbështesim përmirësimin e sistemit të drejtësisë me ligje të reja, por ka edhe një por tjetër, sepse asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë, sado i nevojshëm të duket këtu për ne, nuk ka për të ndodhur me votat tona pa marrë dritën jeshile nga KE”, tha Rama.

Reformë administrative dhe territoriale

Gjithashtu, Kryeministri Rama kërkoi rishikimin e ndarjes administrative territoriale. Rama përmendi nevojë për të bërë Reformën Zgjedhore, duke ftuar në këtë proces edhe opozitën, por siç tha ai, pa penguar punën.

Rama propozoi Niko Peleshin kryetari të ri i Kuvendit. Deputeten e Durrësit, Klodjana Spahiun e propozoi për nënkryetare të parlamentin, ndërsa riktheu Taulant Ballën në rolin e kryetarin të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Kreu i qeverisë propozoi edhe ndryshimin e komisioneve të përhershme parlamentare. 7 prej tyre do të drejtohen nga maxhoranca dhe 4 nga opozita. 

Ndiqni në zhvillime të gjitha lajmet nga Asambleja e PS

Ora 14:12
Rama kërkon afrimin e demokratëve brenda rrethit socialist: Mos të sillemi sikur jemi në tavolinën e byrekut dhe ju mbyllim derën

1757592919_1757586350edirama.jpg

Nga Asambleja e Partisë Socialiste, Edi Rama ftoi demokratët për të bashkëpunuar në këto 4 vite qeverisës.

Gjatë fjalës së tij, Rama u bëri thirrje të vetëve dhe strukturave të PS-së që të mos u mbyllin dyert demokratëve dhe njerëzve të punës.

“Duke filluar nga demokratët, ku ka më shumë njerëz që duan të na bashkohen. Nuk na duhen më votat e tyre, por dëshira e tyre për të punuar për të dhënë kontribut sado të vogël dhe duke mbajtur ndershmërisht në punë veten dhe pastaj ushqyer familjen e tyre në këtë kalim historik. Ne do ta ndjejmë sinqerisht dobinë e kësaj hapje. Nuk duhet të sillemi me këtë parti si njerëzit që janë ulur në tavolinën e byrekut dhe mbyllin derën se mos vijnë të tjerët dhe kërkojnë byrek, që ndodh shpesh në shumë territore dhe shumë organizata. Duhet ta ndjejmë si afrim dhe bashkim patriotik, me demokratë apo çfarëdoqofshin. Aftësinë e hapjes, fuqinë e integrimit përtej rrethit, do ta vendosim në kriteret me të cilat do të vlerësojmë kandidatët e kryetarëve të bashkisë pas 2 vjetësh. Prandaj drejtuesit e partisë duhet ta marrin si mision integrimin e demokratëve dhe gjithë të tjerëve që përfaqësojnë burime të mira njerëzore në rrethin e bashkëjetesës tonë politike. Ne nuk bashkëqeverisim dot me një grusht të harruarish nga koha në drejtimin e opozitës”, theksoi kryesocialisti Edi Rama.

Ora 14:00
‘Nuk duhet të sillemi si në tavolinë byreku’, Rama i hap dyert demokratëve: Nuk e kemi luksin të mos shfrytëzojmë burimet e mira njerëzore

1757585553_edirama.jpg

Gjatë fjalës së tij në asamblenë e PS-së, Kryeministri Rama, i ka hapur demokratëve, duke u shprehur se qeverisja nuk duhet konceptuar si një tryezë byreku, ku të ruhemi se mo vijnë të tjerët e na hanë byrekun. Rama shtoi gjithashtu se Shqipëria është e vogël për të pasur luksin e mosshfrytëzimit të burimeve njerëzore.

“Nuk duhet të sillemi me këtë parti si në tavolinën e byrekut dhe të mbyllin derën se mos vinë të tjerët dhe të vijnë të tjerët se mo kërkojnë byrek, gjë që ndodh shpesh për fat të keq në shumë territore dhe në shumë organizata , ku partia trajtohet si byrek, por duhet ta ndiejmë si një afrim dhe si një bashkim patriotik me sa më shumë njerëz të zakonshëm, qytetarë dhe profesionistë, demokratë apo çfarëdoqofshin. Kjo është pjesë kuptimplotë e asaj që thashë më parë, detyrimit strategjik të Partisë Socialiste për t’igarantuar sot vetes që qëndrueshmërinë e vet afatgjatë. Shqipëria është shumë e vogël për të pasur luksin e mosshfrytëzimit të burimeve të mira njerëzore.”

Ora 13:28
Do të drejtojë ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu: Mirënjohës dhe përgjegjësi e madhe

 

Toni Gogu, i cili do të mbajë postin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, i vetmi nga radhët e deputetëve që nuk mund të siguronin dot një tjetër mandat, tha për mediat se ndihet mirënjohës.

“Mirënjohës ndaj kryetarit të partisë dhe Asamblesë. Përgjegjësi e madhe sidomos në këtë kapitull të rëndësishëm të bashkëpunimit të ekzekutivit me parlamentin. Për shkarkimin e zyrtarëve të caktuar ishte vendim i asamblesë. I privilegjuar që ka marrë një detyrë”, tha shkurt ai për mediat.

Gogu do të zëvendësojë Taulant Ballën, i cili do të bëhet kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së.

Ora 12:30
Rama: PS duhet të udhëheqë vendin deri në 2050! Qasje e re ndaj ndërtimeve, rilindjen urbane 2.0 ta jetësojmë në çdo sektor

 

PS duhet të udhëheqë vendin edhe për shumë vjet të tjera dhe këtë duhet ta kemi në kokë. Këtë mesazh u dha Edi Rama socialistëve, sipas të cilit kjo forcë politike duhet të udhëheqë vendin deri në vitin 2050.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, Rama u shpreh se do të ketë qasje të re ndaj ndërtimeve, me përparësi zhvillimin e turizmit, teksa shtoi se rilindja urbane 2.0 duhet të jetësohet në çdo sektor.

“PS duhet të udhëheqë edhe për shumë e shumë vjet të tjera. Përrallat që në një demokraci duhen ndërruar partitë çdo 4 vjet, lëruani atyre që tregojnë përralla. Është detyrium që ta shohim PS në krye edhe në 2030, 2040, edhe 2050 në krye. Ne ta shohim, domethënë ju ta shihni.

Shihni garantimin e kësaj qëndrueshmërie si një investim i të gjithëve këtu. Të marrim turizmin dhe imazhin e Shqipërisë. Ndryshim historik, nuk diskutohet. Është rritur dhe po rritet industria e ndërtimit. Por duhet ta pyesim veten? Krahas një nevoje për një ofertë, garë sfidash të reja sjell kërkesa për leje ndërtimi? Si duhet t’i trajtojmë pa krijuar të tjera rrjedhoja negative?

Sot na duhet të jemi në alert gjithë kohës. Fjala vjen, ne do ndërtojmë, në zonat me përparësi, me zhvillim turizmin, por duhet të jemi gati për qasje të re, me intensitete ndërtimi më të ulëta jashtë qyteteve kontrolle të reja dhe të rrepta, sanksione të rënda për zinxhirin e zbatimit. Rilindja urbane 2.0 është pjesë e një mozaiku të një rilindjeje që duhet ta rijetësojmë në çdo sektor”, theksoi ai.

Ora 12:24
Dorëheqja e Dredhës nga drejtimi i Vlorës, Rama: Si diplomat, u 'zbut' më shumë se ç’duhet

 

Kryeministri Edi Rama flet për dorëheqjen e Ermal Dredhës nga drejtimi i Vlorës.

"Nga gjithë sa pashë, dëgjova dhe kuptova dhe vajtova mbi situatën e qytetit dhe shërbimin e drejtorive qendrore në atë territor. Vetëkënaqësi labe e mbingarkuar me re në pantallonat e pushtetit, dembelizëm dhe karshillëk ndaj popullit të Vlorës nga njerëz pa fe, atdhe pa din e iman me mandatin e drejtorit. Të tërë hipur mbi shpatullat e qeverisë, në kuptimin që qeveria investo për Vlorën, këta shkel me këmbë hipur si pasagjerët e kuçit. Dua të bëj të qartë që kjo situatë do ishte gabim i madh sikur të lidhej me kryetarin e bashkisë, i cili në të gjithë atë situatë është më i miri. Se nëse lidhet me kryetarin e bashkisë bëhet gabimi tjetër që ia lëmë vetëm Vlorës. Nuk është vetëm Vlora dhe dorëheqja e Ermalit, është treguesi i asaj që thashë i një njeriu që e ndjen, e do Vlorën dhe që i vetmi problem që ka është se duke nejt për një kohë të gjatë larg Vlorës e Shqipërisë, u zbut më shumë se çfarë duhet për të përballuar aradhenë", tha Rama. 

Ora 12:22
Mandati i 4/ Rama: Barrë e jashtëzakonshme, ky është rasti i jetës tonë

 

Mandati i Shqipërisë europiane e ka cilësuar Edi Rama këtë mandat të katërt qeverisës radhazi.

Një barrë të rëndë e konsideron besimin e qytetarëve, Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Asamblenë e PS ditën e sotme.

Kryeministri u shpreh se mandati i 4 është rasti i jetës së socialistëve.

“Ky është rasti i jetës tonë, e solli fati të jemi ne. Dhe askush më mirë se sa ne, 12 vjet eksperiencë në qeveri rresht janë aset unikal. Teorikisht askush nuk i adreson dot më shumë e më shpejt se ne të metat që duhen ndrequr. Por kjo është teorike pa kushtin që ne këtu të jemi të vetëdijshëm të shqetësuar për barrën e jashtëzakonshme që ka ky mandat i ri e të shkundim fort veten, njëri-tjetrin e PS”, u shpreh Rama.

Ora 12:16
Rama: Do ngremë komision etike për të luftuar nepotizmin në bashkitë e vendit

 

 

Kryeministri dhe kreu i PS, Edi Rama, njoftoi para Asamblesë Kombëtare të forcës politike që drejton se do të ngrihet një komision etike për të luftuar nepotizmin në pushtetin vendor, me përbërje deputetët përkatës të qarkut.

“Ka ardhur koha të ngremë komision etike me deputetë të PS në çdo bashki, i cili duhet të trajtojë një fenomen shkurajues për njerëzit, që duhet sulmuar agresivisht në çdo territor, duke filluar nga qeveria dhe grupi parlamentar, nepotizmin, lidhjet e gjakut në pozicione drejtuese, familjarët e një pjese këtu, kanë meritën e madhe që na mbështesin pa kushte, duke marrë dhe baltë përhatrin tonë”,- tha Rama

Ora 12:08
Rama propozon Niko Peleshin për kryetar Kuvendi, deputeten Spahiu nënkryetare! Balla rikthehet si kreu i grupit

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama propozoi Niko Peleshin për kryetar të Kuvendit, duke zëvendësuar në këtë post Elisa Spiropalin, në legjislaturën e re që nis të premten.

Deputeten e Durrësit, Klodiana Spahiun, e propozoi për nënkryetare të parlamentit, ndërsa riktheu Taulant Ballën në rolin e kryetarin të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke e lëvizur nga detyra e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Niko Peleshi foli për gazetarët dhe se në krye të Kuvendit, pasi të betohet, do të mundohet t’u japë hapësirën e duhur të gjitha palëve politike.

“Opozita, mazhoranca, çdo deputet, do të mundohem të ketë hapësirën e vetë. Folëm për modernizim, teknologjia, do mundohem të bëj më të mirën time për të patur sa më shumë ndihmën e teknologjisë. Qeveria Shqiptare është një nga qeveritë më avangard në drejtim të përqafimit të teknologjive të reja inteligjencës artificiale, por dhe kuvendi. Sfida kryesore për mendimin tim është të ruajmë balancat, të kalojmë në një vetëdije të re, në vetëdijen që Shqipëria sot hyn në një segment të paimagjinueshëm për nga volumi i punës që ka".

Ai vlerësoi gjithashtu se opozita duhet të jetë e kënaqur me komisionet parlamentare që i janë lënë në drejtim, duke theksuar se ka një më shumë në krahasim me vitin e kaluar.

“Mendoj që opozita duhet të jetë e kënaqur me atë që u prezantua sepse do të ketë një komision më shumë në drejtim. Unë kam patur rolin tim modest në këtë dizejnim të komisioneve. E kemi bashkuar me politikën e jashtme, nuk ja kemi hequr opozitës".

Ora 12:04
‘Qokat, thika pas shpine për ata që na kanë dhënë votën’, Rama: Kush është bërë deputet për të sistemuar familjarët, s’do të mirëpritet në grupin parlamentar

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi deputetët se do të mbeten jashtë grupit parlamentar i PS-së nëse do të sillen neopotikë dhe do të funksionojnë vetëm për interesa personale e punësime me qoka. Kreu i qeverisë theksoi se qokat janë një thike pas shpine për të gjithë ata që kanë votuar për Partinë Socialiste.

“Jo vetëm në raport me ata qindra mijëra anëtarë mbështetës të kësaj familje politike që janë arsyeja pse jemi këtu se nuk janë krushqit, por as në raport me çdo njeri të këtij vendi, që duhet të vlerësohen sipas meritës dhe jo sipas mbiemrit, jo sipas largësisë, interesit privat apo politik, gjithsesi personal të deputetëve që bëjnë qoka në mënyrë të papërgjegjshme dhe se sa duan t’ja dinë fare se çfarë pasojash ka sistemimi i të paaftëve dhe dallkaukëve në cilësinë e punës së një institucioni. Ata qoka janë thika pas shpina e prindërve, dhe gjyshërve që çohen të parët për të votuar PS, dhe që betohen për nipërit e mbesat e tyre që PS t’i trajtojë si fëmijët e vet. E di se të përpiqesh të zbusësh efektet e nepotizmit në administratës shqiptare është si t’i hysh një rrjetet më të shpifur se të merimangës. Por duhet t’i hyjmë kësaj përpjekje në emër të atyre që thashë dhe bijave e nipërve e mbesave të tyre që na dhanë votën, duke shpresuar se ne do t’i trajtojmë fëmijët e tyre në mënyrë të barabartë me tanët, ku fëmijët e tyre kërkojnë që të vlerësohen sipas meritës. Kush jemi ne që i privojmë ata nga kjo kërkesë krejt legjitime në këmbim të besimit e mbështetjes që na kanë dhënë. E di që do të jetë e vështirë, por vija e sjelljes është e thjeshtë. Kush është bërë deputet për të sistemuar në punë shteti familjarë nuk do të jetë i mirëpritur në grupin parlamentar nëse do të shfaqet si personaszh nepotik i pakorrugjushëm, dhe Komisioni i Etikës do të caktojë kornizën dhe kufijtë, çfarë është ajo jo e mundur. Nëse një deputet thotë se familjarët e mi, janë të aftë, duhet të lërë mandatin dhe t’u japë mundësinë atyre të tregojnë aftësinë e tyre në punët e shtetit si drejtues. Kjo punë është sakrificë, jo privilegj. Kur të shkojmë te Shën Pjetri, kur nuk pranohen as cash apo kartat e kreditit apo lidhet fare fisnore, të kemi mundësi të mos na trajtojnë si legena.”, tha Rama.

Ora 12:03
Rama njofton 11 komisionet e përhershme parlamentare, 7 do drejtohen nga maxhoranca, 4 nga opozita

 

Kryeministri Edi Rama njoftoi 11 komisionet e përhershme të kuvendit të ri. Në përbërje do të ketë më pak anëtarë, tha kreu i qeverisë. 7 prej tyre do të drejtohen nga maxhoranca dhe 4 nga opozita. 

1.    Komisioni për Ekonominë, punësimin dhe financat ( Shumica )
2.    Komisioni për Çështjet ligjore dhe Administratën publike ( Shumica )
3.    Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ( Shumica )
4.    Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet ( Opozita )
5.    Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale ( opozita )
6.    Komisioni për Burimet Natyrore, infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm ( Shumica )
7.    Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ( opozita )
8.    Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural ( Shumica )
9.    Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën  ( opozita )
10.    Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme ( shumica )
11.     Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale ( shumica )

Ora 11:52
Parlament me 101 deputetë, reformë zgjedhore e territoriale! Cilat janë 5 riorganizimet që kërkoi Rama në Asamblenë e PS

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që në 4 vitet e ardhshme për Shqipërinë 2030, të ketë riorganizim dhe reformim të disa institucioneve, përfshirë dhe Kuvendin.

Kryeministri tha se Kuvendi duhet të ketë më pak deputetë.

“Elisa, Niko, Taulanti me Majlindën, Ardean e disa deputetë të tjerë kishin për detyrën hartimin e një projekti për ndërtimin e komisioneve të reja parlamentare. Ata kanë analizuar ecurinë, strukturën dhe programin e kuvendit ndër vite. Si dhe kanë vlerësuar nevojën e harmonizimit të strukturës së Kuvendit me strukturën e procesit të negociatave. Paraprakisht dua të mbroj disa mendime. Së pari në më shumë se 3 dekada, na duhet një cikël i ri reformimi dhe riorganizimi për disa institucione, ndër të cilat edhe për Kuvendin e Shqipërisë. Tepria e numrit të deputetëve. Zbritja e numrit të deputetëve të Kuvendit në të paktën 101 deputetë, edhe më pak bujrum, do kishte vetëm impakt pozitiv. Prandaj ky ndryshim duhet të jetë objektiv i yni që përkon me vullnetin e zgjedhësve tanë”.

Një tjetër çështje është ligji për Kuvendin.

“Së dyti, kuvendi miraton e nxjerr ligje për të gjithë, por nuk ka ende ligjin e vetë, nuk ka pavarësinë e vetë financiare, nuk ka status të deputetëve të vetë, dhe madje kuvendi është pa shtëpi”.

Gjithashtu, Kryeministri Rama kërkoi rishikimin e ndarjes administrative territoriale.

“Së treti, koha ka sjellë në rendin e ditës nevojën e një rishikimi të ndarjes administrative territoriale. Prandaj duhet të ngremë komisionin për të nisur nga puna analitike në funksion të thellimit të kësaj reforme duke reflektuar ndryshimet domethënëse të këtyre viteve me fokus kryesor mirëpërgatitjen në nivelin vendor për Shqipërinë 2030 në BE. Duhet të kemi një cilësi të re të qeverisjes së vendore, komisioni i kësaj reforme duhet të punojë si komisionet e përhershme duke filluar nga organizimi dhe konsultimi i gjerë publik, duke ftuar dhe forcat e tjera parlamentare për të dhënë kontributin e tyre”.

Së katërti, Rama përmendi nevojë për të bërë Reformën Zgjedhore, duke ftuar në këtë proces edhe opozitën, por siç tha ai, pa penguar punën.

“Ne do të jemi gjithmonë gati t’i dëgjojmë të gjithë në respekt të atyre që i kanë zgjedhur, por nuk do të presim asnjë minutë ata që nuk do të punojnë së bashku në këtë reformë, apo asnjë reformë. Ka ardhur koha për depolitizim të administratës zgjedhore. Qoftë për komisionet qendrore zgjedhore, qoftë për vonesën në rezultatin zgjedhor, jemi specie unikale në botë”.

Një tjetër pikë është harmonizimi i ligjit për komisionet hetimore.

“Një tjetër nevojë thelbësore që duhet adresuar pa humbur kohë është harmonizimi i ligjit të komisionit hetimor me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.

Ora 11:39
Rama propozon Kuvend me më pak ligjvënës: Ta ulim në 101 numrin e deputetëve

 

Kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama ka propozuar se tashmë është koha për të patur një Parlament me më pak deputetë.

Në fjalën e tij në Asamblenë e PS, Rama tha se është koha që Parlamenti të ketë 101 deputetë, madje edhe më pak sipas tij, nëse është e mundur.

“Elisa, Niko, Taulanti me Majlindën, Ardean e disa deputetë të tjerë kishin për detyrën hartimin e një projekti për ndërtimin e komisioneve të reja parlamentare. Ata kanë analizuar ecurinë, strukturën dhe programin e kuvendit ndër vite. Si dhe kanë vlerësuar nevojën e harmonizimit të strukturës së Kuvendit me strukturën e procesit të negociatave. Paraprakisht dua të mbroj disa mendime. Së pari në më shumë se 3 dekada, na duhet një cikël i ri reformimi dhe riorganizimi për disa institucione, ndër të cilat edhe për Kuvendin e Shqipërisë. Tepria e numrit të deputetëve. Zbritja e numrit të deputetëve të Kuvendit në të paktën 101 deputetë, edhe më pak bujrum, do kishte vetëm impakt pozitiv. Prandaj ky ndryshim duhet të jetë objektiv i yni që përkon me vullnetin e zgjedhësve tanë”, u shpreh Rama.

 

Ora 11:35
Rama ironi me PD: kemi më shumë deputetë të rinj, sa çka në total trupa madhështore e humbësve fitimtarë të 11 majit

 

Kryeministri Edi Rama ironizon PD gjatë fjalës në Asamblenë e PS.

“53 nga 83 anëtarët e grupit tonë futen për herë të parë në Kuvend. Ne kemi më shumë deputetë dhe deputete të reja që futen për herë të parë sa çka deputetë trupa madhështore e humbësve fitimtarë të 11 majit. Të rinjtë e të rejat duhet të vazhdojnë të përgatiten me të njëjtin seriozisht gjatë akademisë politike, ndërsa ne do ti ndihmojmë të përshtaten”, tha Rama.

Ora 11:25
VIDEOLAJM/ Edi Rama kap në befasi Ogerta Manastirliun: Do jesh kandidate për Bashkinë Tiranë, e di që të ra si bombë!

Pasi kërkoi nga Këshilli Bashkiak i Tiranës shkarkimin e Erion Veliajt dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja për bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama ka propozuar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryebashkiake.

Aktualisht Manastirliu mban detyrën e ministres së Arsimit, por ky vendim i Ramës duket se e kapi në befasi.

Lajmi për kandidimin që u njoftua në Asamblenë e PS, ishte i papritur për të gjithë. Këtë e tha edhe Rama, që e konsideroi “bombë të palajmëruar”.

Ndërkohë, kryeministri i shprehu mbështetjen Manastirliut dhe tha se është figura e përshtatshme për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.

“E di që nuk do ma falësh kollaj në një kohë më të gjatë mbase kësaj here këtë bombë të palajmëruar, por Shqipëria ka nevojë për Tiranën si treni për lokomotivën. Prandaj PS nuk ka më as çfarë pret për ta vënë lokomotivën në lëvizje me ritmin e saj më të lartë, duke ngritur në kabinën e drejtimit makinistin e duhur. Duhet të më besosh ti e të gjithë. Nuk kemi pse kërkojmë një person më të përshtatshëm. Është radha jote ta udhëheqësh Tiranë me ambicien, qetësinë që të karakterizon në të gjitha detyrat sfiduese. Ndërsa detyra jonë është të të mbështesim duke u bënë në rresht pas teje”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Ora 11:20
'T'i hapim rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri', Rama porosi anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës: Shkarkoni Erion Veliajn

 

Kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama shpalli sot vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, ai i kërkoi anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit të aktivizojnë mekanizmin e shkarkimit të kryebashkiakut Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej shkurtit të këtij viti.

"Vijmë te emergjencat e Tiranës. Pas 7 muajsh nuk ka kryetar, asnjë kryetar të votuar në krye të detyrës, asnjë kryetar të dënuar nga drejtësia, kemi një kryetar të zgjedhur nga populli, të cilit i është mohuar e drejta e gjykimit në liri, i është bërë një gjyq i gjatë pasqyrat e pazarit mediatik, dhe një shkelje e hapur e ligjit dhe çdo zakoni i atij xhevahiri nga brenda atij tezge dhe biseda me familjarë nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend, në asnjë vend demokratik, diktatorial jo e jo, shkelja ka qenë më e hapur, më brutale, në shpërdorim total të detyrës, nga ata të tre që duhet të mbajnë nën kontroll materialet hetimore, por kjo është temë tjetër.

Askush nuk di ta thotë sa mund të zgjasë kjo histori, ndërkohë që asnjë zëvendës i pavotuar i popullit, i kryetarit të bashkisë, nuk mund ta ketë legjitimitetin demokratik dhe forcën e brendshme, për ta udhëhequr 2 vjet bashkinë e kryeqytetit të vendit. Tirana ka punë të mëdha, të panumërta, ditë dhe natë. Nuk i heq asnjë meritë kryetarit në detyrë për çfarë ka bërë në këto 7 muaj. E falënderoj. Por sot ne duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar bashkie të ri në Tiranë. Përfaqësuesit tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në punë mekanizmin e shkarkimit të kryetarit të zgjedhur. Nuk është një propozim që unë e bëj me zemër të lehtë, prandaj i kuptoj të gjithë ata që mund të mos ndihen mirë nga një vendim i tillë",- tha Rama.

Ora 11:20
‘Duhen fuqi për të drejtuar si në mandatin e parë’, Rama-deputetëve të rinj: Doni të rrini vërdallë 4 vjet apo që kjo rrugë t’ju zgjatet?

Kryeministri Edi Rama iu kërkoi deputetëve që të punojnë me një qasje dhe energji të re sikur të ishin në mandatin e parë të qeverisë. Një mesazh përcolli edhe për të rinjtë e PS-së, që hyjnë për herë të parë në parlament teksa tha se duhet ta vlerësojnë mandatin si një gjë që duhet ta fitojnë përditë. Nuk kurseu as thumbat për opozitën, teksa e cilësoi si një opozitë të pasuksesshme ndaj tyre.

“Dua të ndaj me ju mendimin tim se me 83 mandatët që na dhanë shqiptarët, nuk kemi asgjë zgjedhje tjetër përveçse të prodhojmë në fuqi për të drejtuar si të ishim në mandatin e parë, me energji, ide dhe aftësi të reja por jo vetëm kaq. Duhet të kërkojmë te vetja një domosdoshmëri të brendshme, një shtysë, një forcë nxitëse për ta parë çdo gjë që keni bërë jo me syrin e kënaqur të atij që ka bërë vetë por me sy tjetër. Na duhet syri i atij që e ka ngarkuar për ta bërë si duhet një punë të mirë jo mirë, jo mjaftueshëm nga dikush tjetër. Na duhet një vullnet i ri për të sjellë në mandatin e 4 një qasje, një forcë, një aftësi si të ishte i pari. Duke nxjerë nga vetja një vete të re. Nuk na mjafton një grup i ri parlamentar për të bërë ca ligje të reja apo një qeveri e re, na duhet një qasje e re ndaj problemeve të vjetra dhe sfidave të reja. Një forcë kompakte, vëllazëri politike, e cila funksionon me të njëjtën ambicie dhe disiplinën e një skuadre kampione. Skuadrat kampione janë fuqia e talentit dhe disiplinës, që ushqehet çdo ditë nga ambicia për t’u bërë më të fortë. Na duhet kjo mendësi në çdo fushë, qeverisim parlament e çdo bashki. Makineri e pandalshme reformash, projektesh, punësh, inovacionesh, thithje burimesh njerëzore brenda dhe jashtë vendit. Kjo është si unë po e stërvis veten time për këtë mandat, po mësoj dhe është e vështirë t’i shoh dhe po mundohem të gjykoj arritjet e derisotme nga një kënd i kundërt me ku i kam parë tërë këto vite. Po të thosha nga këndvështrimi i një opozitari, krejt ndryshe nga ata që bëjnë opozitën e pasukseshme ndaj nesh, që as nuk ka ardhur nga hëna të shpëtojë Shqipërinë nga  ne, as nuk ka qylyma fluturues për t’u shitur shqiptarëve që të shkojnë në hënë. Këtu ka shokë e shoqe të një rrugë të gjatë, që dua t’ju them që kush nuk është gati ta përdorë me një sy të ri kritik, kërkues e sfidues pasqyrën ku shikon veten si pjesë e familjes tonë, dhe  më  pas punët e përbashkëta të familjes tonë duhet të stërvitet fort, pa humbur kohë se nga të gjitha gjërat më kryesore, ajo që nuk kemi është koha. Ndërsa shokëve dhe shoqeve që vijnë këtu për herë të parë si pjesë e rrugës së udhëheqjes së vendit, u them që zgjedhja juaj është e thjeshtë: Doni të rrini vërdallë 4 vjet apo që kjo rrugë të zgjatet përtej një mandati. Nëse doni të dytën gjëja e parë është të ruheni nga tarbiatet e vjetra që gjeni këtu, të vlerësoni mandatin e parë si një gjë që duhet ta fitoni përditë dhe të jeni të parët kudo ku është detyra. Të gjithë bashkë, program ynë qeverisës s’ka qenë kurrë më i qartë se më konkret se këtë radhë. “, u shpreh Rama.

Ora 11:19
‘Drejtësia, ende larg asaj që i duhet Shqipërisë për në BE’, Rama: Asnjë ndryshim në legjislacion pa miratimin e KE

Kryeministri Edi Rama tha se ndonëse janë bërë hapa përpara, është i vetëdijshëm që drejtësia që kemi është ende larg asaj që i duhet vendit për në BE. Nga Asambleja e PS-së, Rama tha se asnjë ndryshim në legjislacion për drejtësinë, nuk do të bëhet pa marrë "vulën" dhe miratimin e KE-së. 

Kreu i qeverisë tha se duhet durim heroik dhe kujdes prej okulisti për të pastruar "ujin e pistë" edhe nga vetë institucionet e veta të qeverisjes së gjyqësorit. 

“Këto janë shenjat e dhimbshme të sëmundjes të trashëguara në trupin prej fëmije të drejtësisë së re. Kostoja njerëzore e kurimit të tyre është e lartë. Në radhë të parë për këdo që i bjer për hise të jetë një kavje eksperimentale e procesit të pavarësisë, më pas edhe për ne që kemi hisen të qëndrojmë pa zë apo të flasim duke qëndruar larg dhe me duart pas edhe kur ato sëmundje godasin befasisht, vrazësisht jetë dhe dinjitetin njerëzor. Por, kush nuk është dakord me këtë qasje të dhimbshme nuk është për këtë punë dhe nuk duhet të merret me politikë. Ka të drejtën të ketë qasje tjetër, por jo në radhët e udhëheqësve të PS. 

Bebja nuk hidhet poshtë bashkë me ujin e pistë thotë një fjalë e mençur e fqinjëve tanë matanë Adriatikut,  dhe në këtë rast duhet durim heroik, dhe kujdes prej okulisti që uji i pistë të pastrohet ngadalë dhe nga vetë institucionet e vetë qeverisjes së gjyqësorit në radhë të parë se pastrimi i atij uji të pistë është pjesë e misionit të tyre publik e ligjor. Pjesë e jona është ta mbështesim përmirësimin e sistemit të drejtësisë me ligje të reja, por ka edhe një por tjetër, sepse asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë, sado i nevojshëm të duket këtu për ne, nuk ka për të ndodhur me votat tona pa marrë dritën jeshile nga KE. 

Jam i vetëdijshëm se kjo që kemi është ende larg nga drejtësia që i duhet Shqipërisë 2030 në BE. Dhe që meritojnë njerëzit e këtij vendi të sakatuar në shekuj nga padrejtësia por nuk duhet të kemi asnjë iluzion dhe askush në këtë sallë asnjë iluzion se nuk ka asnjë rrugë tjetër përvec asaj të durimit dhe vendoshmërisë shtetbërëse, të gjitha rrugat e tjerë të nxjerrin pas te gropa e vjetër thithëse e historisë”, u shpreh Rama.

Ora 11:15
Arrestimet e SPAK, Kryeministri Rama: Duhet durim i madh strategjik, jemi e vetmja garanci për institucionet e drejtësisë

 

Në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama shprehu dhe kritika për punën e SPAK dhe të GJKKO.

Edhe pse SPAK ka arrestuar eksponentë të vetë socialistëve, Rama tha se duhet të durojnë për hir të formimit të një drejtësie europiane.

Kryeministri u shpreh se PS-ja është e vetmja garanci për institucionet e reja të drejtësisë dhe se çdo sulm ndaj SPAK apo GJKKO, do të ishte kthim pas në kohë.

“Kura në këto sëmundje nuk është kurrsesi kthimi mbrapa, duhet durim i madh strategjik. Duhet largpamësi për të mos bërë asnjë hap pas në raport me drejtësinë dhe pavarësinë e saj sepse çdo hap i tillë sot do kishte si pasojë nesër kush e di sa më shumë hapa larg nga drejtësia europiane e gjeneratës së vjetër.

Mua më pyesin shokë e shoqe këtu si mund të durohen padrejtësitë e organeve të drejtësisë kur bien deri dhe tek dikush që kemi ndarë ditë të mira e të këqija, edhe kur padrejtësia në trajtimin e rastit duket ku e ku më e trashë së filli i drejtësisë, u dashka të durojmë. Unë nuk e gjej dot një përgjigje më të lehtë. Sipas meje, pikërisht pse ne kemi hyrë jo me zor por me dëshirë në këtë llogore të përbashkët të politikës me flamurin e PS nuk kemi asnjë mundësi e asnjë të drejtë ta kthejmë llogoren e përbashkët në një rifuxho për të marrë në mbrojtje këdoqoftë dhe as të nxjerrim artilerinë tonë kundër SPAK dhe GJKKO.

Sado e padrejtë, madje ndoshta absurde mund të duket kjo që thashë. Do të ishte i pariparueshme për më shumë se 1 dekadë dëmi që artileria jonë do t’i bënte Shqipërisë së nesërme, kauzës së madhe epokale të pavarësisë së drejtësisë.

Deri kur institucionet e reja të drejtësisë do qëndrojnë fort mbi këmbët e veta, kjo parti është i vetmi garant. Po nuk u dhamë atyre institucioneve të dobëta kohën që u duhet të rriten, gjithë kjo përpjekje do shkojë dëm. Më keq akoma, do shkojë dëm gjithë ëndrra dhe pritja e shqiptarëve për të pasur një drejtësi të pavarur nga pushteti politik.

Koha që ju duhet institucioneve që të rriten përfshin edhe kurimin me kosto shumë të larta njerëzore të atyre sëmundjeve të trashëguara. Këto kosto janë në lëkurën tonë dhe ky është guri më i madh mbi kurrizin tonë”, tha ndër të tjera Edi Rama.

Ora 11:14
Rama: Drejtësia presione psikologjike, njerëz të llahtarisur në dyer të saj! Më kujton hetuesit injorantë të Maks Velos

 

Kryeministri Edi Rama flet për drejtësinë në Asamblenë e PS.

"Koha që u duhet institucioneve që të rriten përfshin detyrimisht edhe kurimin me kosto shumë të larta njerëzore të atyre sëmundjeve të trashëguara që përmenda më lart. Këto kosto janë në lëkurën tonë dhe ky është guri më i madh mbi kurrizin tonë. Është shumë e vështirë ta ruash durimin deri edhe kur njerëz të zakonshëm krejt të pafajshëm të thirrur si persona që janë në dijeni, të vijnë në derë të llahtarisur nga ca presioni psikologjike që mua më kujton hetuesit injorantë të Maks Velos, apo kur dikujt puna delikate e të cilit në një sektor të caktuar flet me rezultate kuptimplota, i nxirret vendimi për ta pezulluar nga çdo funksion publik, mbi bazën e një hipoteze kreative se ky njeri paska pasur në mend diçka penalisht të hetueshme dhe duhet të pezullohet nga çdo funksion publik, ti ngrihet akuzë në gjykatë dhe kismet se kur gjykata bashkë me prokuroin do ta gjejnë se çafër kishte në mendje", tha Rama.

Ora 11:09
Rama: GJKKO nuk po del nga hija e SPAK-ut! Prokuroria e Posaçme, pazare për fatin e personave nën hetim

 

Në fjalën e tij para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Soclalisti, Edi Rama nuk kurseu kritikat për sistemit e drejtëisë, përfshirë dhe SPAK-un e GJKKO-n. Për këtë të fundit tha se ka mbetur mashë e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa për organin e akuzës shprehu revoltimin për mënyrën e trajtimit dhe hetimit të rasteve të ndryshme.

“Nuk jemi lëkundur në këtë rrugë, nuk do të lëkundemi as sot, pavarësisht fakteve që, përveç arritjeve të padiskutueshme, pushteti i ri i drejtësisë shfaq hera herës shenja të sëmundjes së vjetër. Pushteti i ri i drejtësisë mban ende në radhët e veta, lart e poshtë, nëpër Shqipëri, prokurorë e gjyqtarë, dritshkurtër, mendjengushtë e me mungesë integriteti, që e bëjnë të bardhën të zezë, ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemit reagon sikur fle në këmbë. Rastet e fundit, kur disa prokurorë dhe gjyqtarë i kanë rënë ndesh ligjit duke mbajtur krahun e zbatuesve të tij.

E vërteta e madhe është se nuk përjashtim as SPAKU, krenaria e vetme e reformës në drejtësi, as Gjykata Speciale që nuk po del nga hija e SPAK-ut. Edhe këto institucione kanë na dhënë arsye dhe për t’u habitur dhe shqetësuar shumë seriozisht, mosrespektimi i prezumimit të pafajësisë, intimidimi i personave në liri, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve për paracaktruar në pazare fatin e personave të hetuar",- tha Rama ndër të tjera.

Ora 11:04
‘Gjyqësori po qeveris vetë’, Rama: Kush thotë kapje e kontroll, s’do të pranojë të vërtetën e madhe të ndryshimit! E dinim se do sillte dhimbje

 

Kryeministri Edi Rama thotë se pushteti gjyqësor tashmë po qeveris vetë përmes reformës në drejtësi dhe se ata që flasin për kapje apo kontroll të këtij sistemi, nuk do të pranojë të vërtetën e madhe të këtij ndryshimi. Sipas kreut të qeverisë, e dinte se ky proces historik do të sillte dhimbje në politikë, edhe mes rradhëve të PS.

“I dhamë pushtetit gjyqësor të qeverisë vetë, punët e veta përmes organeve të parashikuara nga reforma në drejtësi dhe të zgjedhura jashtë vullnetit të partive politike. Kush flet për kapje, kontroll apo ushtrim të pushtetit të drejtësisë nga ana jonë, me urdhra nga lart apo me presione rreth e rrotull ose nuk di ça flet ose nuk do të pranojë të vërtetën e madhe të një ndryshimi që në historinë e këtij vendi do të shënohet si epokal për një vend kur kurrë, asnjëherë nuk ka pasur pavarësisë të prokurorëve dhe gjykatësve nga cilido pushtet politik. E kam ditur, dhe të tjerë këtu, që kjo tërheqje e plotë nga fusha e gjyqësorit do të sillte dhimbje dhe do të na bënte edhe dëshmitarë të një lindjeje dhe rritjeje të vështirë të krijesës së një drejtësie të pavarur në shtratin e përgjakur dhe të pistë të drejtësisë që për 100 e kusur vjet nuk qe kurrë as e lirë, as e pavarur dhe e paanshme.Ne do t’i durojmë të gjitha dhimbjet e këtij procesi historik pavarësimi të drejtësisë qoftë kur vijë nga rënia e atryre mes nesh në mëkatin e përfitimit të paligjshëm apo rënia e atyre që hetojnë dhe gjykon të pavarur prej nesh në mëkatin e forcës dispropocionale do të durojmë. Do të durojmë edhe kur ato dhimbje vijnë nga helmi i atyre të tjerëve që na akuzojnë se kemi kapur drejtësinë e cila po godet njerëz me pushtet politik.”, tha Rama.

Ora 10:56
Veliaj në qeli, Rama nga Asambleja e PS: Na duhet të adresojmë emergjencën në drejtimin e Tiranës

 

Teksa kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ndodhet në paraburgim, Kryeministri Edi Rama ka thënë se sot në Asamblenë e PS do të adresohet problemi për drejtimin e kryeqytetit.

Në fjalën e tij, Rama tha se kjo çështje “nuk mban më” dhe duhet të marrë zgjidhje.

“Jemi mbledhur në këtë takim te parë të 4-vjeçarit tonë më sfidues për të çelur kapitullin e mandatit tonë të katërt i cili nis zyrtarisht pas pak ditësh me betimin e kuvendit dhe votëbesimin e qeverisë së re. Do na duhet të adresojmë këtu edhe emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht. Nuk mban më, ama duhet të them që në fillim sa më qartë atë që besoj e ndajmë të gjithë së bashku.. nuk kemi pasur dhe nuk do kemi asnjë pendesë për lirinë dhe pavarësinë që i kemi dhënë drejtësinë me reformën në drejtësi dhe mbi të gjitha me tërheqjen historike të pushtetit të shumicës nga fusha e pushtetit gjyqësor”, tha Kryeministri Edi Rama.

Një ditë më parë, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim ndaj Erjon Veliaj, të cilin e akuzonte për 13 vepra penale, prej të cilave 9 raste korrupsioni.

Kujtojmë se Bashkia e Tiranës po drejtohet nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani.

Ora 10:52
Pasi dha dorëheqjen nga Bashkia Vlorë, Ermal Dredha shkon në Asamblenë e PS: Socialist kam lindur dhe kështu do jem

Një ditë pasi dha dorëheqjen si kryebashkiak i Vlorës, Ermal Dredha ka shkuar në Asamblenë Kombëtare të PS që po mbahet në Pallatin e Kongreseve.

Ai u pyet nga gazetarët të cilët patën interesim të shtuar për arsyet e dorëheqjes së tij.

Dredha u shpreh se do të vazhdojë të jetë socialist.

“Unë socialist kam lindur dhe socialist do jem gjithë kohën”, tha Dredha.

 

/Lajmi në përditësim...  

 

Ora 10:49
Pritet prezantimi i qeverisë së re, kryeministri Rama mbërrin në Pallatin e Kongreseve për Asamblenë e PS-së

 

Kryeministri Edi Rama sapo ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve ku do të mbahet edhe Asambleja e PS-së, për prezantimin e kabinetit të ri qeveritar. Krah tij shihet edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi. 

Ora 10:31
Sot shpallet qeveria e re, anëtarët e Asamblesë Kombëtarë të PS fillojnë të mblidhen në Pallatin e Kongreseve

 

Delegatët e Partisë Socialiste kanë filluar të mblidhen në Pallatin e Kongreseve për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku pritet që kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama të shpallë kabinetin e ri qeveritar.

Ora 08:04
Sot shpall qeverinë e re, Rama: Shihemi në orën 11:00

1757570734_54561420513360690878887496741712283495434542n.jpg

Kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar orën 11:00 për shpalljen e kabintetit të ri qeveritar, i cili pritet të bëhet me dije pas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Socialiste, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.

K.M/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • MUL GJUZI: 11/09/2025 11:54

    SHKARKO KRYETAREN E DURRESIT SE PO MBYTEMI NE UJE

    Përgjigju
  • Vlora: 11/09/2025 11:45

    Une kur linda e kisha mendjen te cica ky paska lind socialist...aman servilizem sa hap gojen

    Përgjigju
  • Suksese Noizy: 11/09/2025 10:54

    Suksese Noizy , urime!!

    Përgjigju
  • Elisabetacanalis: 11/09/2025 08:26

    Sa i bukur paska dal mer aman, tja haj veshin

    Përgjigju
  • Ben: 11/09/2025 08:05

    U çel qe dje sezoni i mashtrimeve,nga Pd-ja,sot e ka Ps-ja,e neser te dyja bashke.Lum si ne.

    Përgjigju
    • aleks: 11/09/2025 12:24

      Pasneser Edua do shpallet mbret. Saliu Princi i demokracise.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?