SPAK

Kronikë

Arrestimi i babait të kandidates së PSD në Fier, SPAK: I dha para një personi dhe një fletë të ngjashme votimi ku shënohej emri i së bijës

12 Maj, 13:40| Përditesimi: 12 Maj, 14:28

  • Share

SPAK ka bërë një reagim zyrtar lidhur me arrestimin e Pandeli Bozhës, babait të kandidates së PSD në Fier, Limonera Bozha, për të cilin ka nisur procedimi penal me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Sipas Prokurorisë, më datë 8 maj, Pandeli Bozha i ka kërkuar një personi mbështetje për vajzën e tij. Ai i ka ofruar një shumë parash dhe një fletë votimi të ngjashme të votimit, ku me ngjyrë portokalli ishte shënuar emri i së bijës. Në gjendje të lirë është proceduar edhe personi me të cilin ka kontaktuar Bozha, ndërkohë që për këtë të fundit po hetohet nëse ka pasur shkelje të tjera të shitblerjes së votës.

Më herët, kandidatja e PSD pretendoi se nuk kanë kryer asnjë shkelje ndërsa e cilësoi ngjarjen si tendencioze, duke thënë se edhe më parë është intimiduar dhe ushtruar presion për t’u dorëhequr nga gara. 

Njoftimi i SPAK: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 08.05.2025 ka regjistruar procedimin penal nr.60/2025 për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal.
Procedimi është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ndërsa hetimet janë zhvilluar me metoda proaktive të hetimit.

Mbi bazën e hetimeve të kryera, deri tani është krijuar dyshimi i arsyeshëm, se më datë 08.05.2025, rreth orës 10:00,  shtetasi me inicialet P.B. është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij – kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

Në këmbim të mbështetjes, shtetasi P.B i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej.

Gjatë kontrolleve të kryera është sekuestruar fleta e ngjashme me atë të votimit dhe një kartmonedhë.

Nga hetimi rezulton se shtetasi V.L. ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa shtetasi P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Më datë 12.05.2025, në orën 02:00 është ekzekutuar urdhri i prokurorit të posaçëm për ndalimin e shtetasit, P.B, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi, V.L.

Hetimet vijojnë për të verifikuar raste të tjera të shitblerjes së votës nga shtetasi, P.B.

Prokuroria e Posaçme falenderon Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në kryerjen e hetimeve lidhur me këtë procedim penal.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?