Avokati i Vangjush Dakos, Petrit Ismaili e ka konsideruar si të panevojshme masën e arrestit me burg ndaj ish kryebashkiakut të Durrësit. Duke dhënë detaje për arrestimin e klientit të tij, Ismaili tha se ndaj Dakos ka patur kallëzim nga një grup banorësh lidhur me kolaudimin e një pallati, leja për të cilin është dhënë që në vitin 2011 si dhe për një kallëzim të bërë nga deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj në vitin 2021. Mes të tjerash, avokati i ish kryebashkiakut të Durrësit tha se për këtë zhvillim, SPAK ka patur trysni të lartë nga mediat dhe ndërkombëtarët.
“Sapo u ekzekutua vendimi i GJKKO e cila ka vendosur arrest me burg për Dakon. Akuza, është një shpërdorim detyre në dy raste. Një rast është kallëzim i një grupi banorësh të një pallati që pretendojnë se ka patur shkelje në kolaudim. Një kallëzim është nga Ferdinand Xhaferri në prag të zgjedhjeve 2021.
SPAK nuk po mban dot ekuilibër nën trysninë mediatike dhe të politikës dhe të ndërkombëtarëve. Në këtë trysni po merr masa të nxituara. Gjykoj se nuk ka qenë e nevojshme masa e arrestit me burg. Nuk ka shkuar policia në banesën e Dakos, ai ishte në Tiranë. Jemi në kushtet e vetëdorëzimit. Bëhet fjalë për vendime kolegjiale jo vendime vetëm të Dakos. Unë di se bëhet fjalë për një pallat me leje ndërtimi të rregullt të dhënë nga bashkia.”- tha Ismaili.
Lajmi kryesor:
Arrestohet Vangjush Dako, akuzohet për leje ndërtimi për pallatin e dëmtuar dhe tenderin e shëtitores! SPAK urdhër arrest dhe për 8 ish-zyrtarë e 1 ndërtues
B.V/ReportTv.al