SPAK përgatit dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit! Brenda së martës dosja i kalon Ministrisë së Drejtësisë! Eksperti: Shkoi në Turqi për zgjerim të tregut të kokainës

14 Nëntor 2023, 13:21| Përditesimi: 14 Nëntor 2023, 15:46

  • Share

Prokuroria e Posaçme ka përgatitur dosjen me të cilën do të kërkohet ekstradimi i Dritan Rexhepit nga Turqia, pas arrestimit më 8 nëntor. Materiali do t’i kalojë ministrisë së Drejtësisë për tu nisur në rrugë zyrtare për në Turqi, pasi të përkthehet në gjuhën turke. Pjesë e dosjes do të jenë të gjitha vendimet në ngarkim të Dritan Rexhepit, të dhëna nga gjykatat shqiptare, dënimi për vrasjen e 2 policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1998, bashkëngjitur provat konkrete edhe për porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës me porosi të bosit të kokainës nga burgu ku ndodhej në Ekuador. Në garë me Shqipërinë për ta ekstraduar “mbretin e arratisjeve” është edhe Italia, e cila ndihmoi autoritetet turke në gjurmimin e Rexhepit dhe më pas në arrestimin e tij në një vilë në periferi të Stambollit.

Prangosja e “Escobarit shqiptar” ka tërhequr vëmendjen e mediave turke dhe ndërkombëtare teksa Ruggero Scaturro, ekspert i lartë i organizatës Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, duke folur për BBC Turkish, thotë se historitë e arratisjes së Dritan Rexhepit nuk mund të ndodhin pa ndihmë: “Rexhepi di të japë shuma të mëdha parash për njerëzit e duhur në vendin e duhur”.

Sipas Scatturo, këto histori arratisjeje zbulojnë se sa e madhe është kjo perandori dhe se organizata “Kompania Bello” e krijuar dhe drejtuar nga 43-vjeçari Rexhepi, nuk ka një model organizativ në formë piramide. Rrjete të ndryshme punojnë në koordinim brenda grupit dhe kjo pengon që organizata të shembet plotësisht kur kapet drejtuesi i saj.

Pasi arriti të largohej nga Ekuadori në 2019, edhe pse ishte dënuar me 13 vjet burg atje për trafik droge, Dritan Rexhepi mendohet se shkoi në Turqi për ta zhvendosur aktivitetin e tij atje. Turqia si një vend i madh me porte në Mesdhe dhe Detin e Zi mund të jetë parë nga Rexhepi si terren për aktivitetin e tij kriminal në një kohë që vendet e BE shtrënguan gjithnjë e më shumë masat dhe kontrollet kundër trafikut të drogës. Eksperti i organizatës Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar thotë se nëse Rexhepi ka shkuar në Turqi, kjo do të thotë se ekziston një rrjet në këtë vend, të cilit ai mund ti besojë.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?