Në kërkim për drogë e vrasje në Shqipëri, 22 u arrestuan jashtë gjatë 2023, 11 u ekstraduan! Lista kryesohet nga Dritan Rexhepi e Laert Haxhiu

14 Nëntor 2023, 15:04| Përditesimi: 14 Nëntor 2023, 15:37

  • Share

Dritan Rexhepi është i shumëkërkuari i fundit i arrestuar jashtë vendit, por jo i vetmi i kapur këtë periudhë. 22 shqiptarë që kanë kryer krime brenda vendit janë arrestuar gjatë vitit 2023 nga partnerët ndërkombëtarë.

Por megjithëse janë kapur nga policitë e huaja, sjellja e tyre në Shqipëri duket e vështirë pasi burime të Policisë së Shtetit thanë për Report Tv se vetëm gjysma e tyre janë ekstraduar deri më tani në Tiranë.

Pjesa tjetër aktualisht janë në fazë të shqyrtimit të kërkesës për ekstradim në gjykatat e vendeve ku janë kapur. Në anën tjetër, Shqipëria përgjatë këtij viti ka arrestuar 45 persona që kërkohen nga autoritetet e huaja dhe deri më tani janë ekstraduar 30 prej tyre.

Vetëm për 1/3-ën po vijojnë procedurat nëpër gjykata për lejimin ose jo të ekstradimeve. Raporti i arrestimeve është dyfish më shumë të kapur brenda vendit se sa jashtë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që kërkohen kryesisht nga Italia, Spanja, Belgjika, Holanda dhe Britania e Madhe janë nën akuzë për trafik droge, por nuk mungojnë edhe ata për vrasje.

Viti 2023 konsiderohet i suksesshëm për policinë, pasi në bashkëpunim me Interpol dhe autoritetet e vendeve partnere janë vënë në pranga eksponentë të rëndësishëm të krimit të organizuar.

Shqipëria është në pritje të disa ekstradimeve “të mëdha” në muajt në vijim. Gjatë këtij muaji në Britani të Madhe vendoset fati i ekstradimeve të grupit të bashkëpunëtorëve të vrasjes së Ardian Nikulajt. Në Marok për të njëjtën ngjarje i arrestuar është Ruben Saraiva, në rolin e ekzekutorit, por deri më tani autoritetet shqiptare asgjë nuk e kanë të qartë nëse do lejohet ekstradimi i tij. Jo më pak i rëndësishëm është vendimi i Gjykatës së Lartë në Greqi për Laert Haxhiu, i kërkuar për dhjetëra ngjarje kriminale.

Në fillim të vitit u arrestua Dritan Shkëmbi në Abu Dhabi, i kërkuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, por në këtë rast pak shpresë u mbeten autoriteteve tona, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe refuzojnë në mënyrë permanente ekstradimet.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?