Kronikë

Veliaj në akuzë për korrupsion e pastrim parash! SPAK: U dha fonde publike e leje ndërtimi 5 biznesmenëve, paratë përfunduan te bizneset e OJF-të e gruas! Xoxa me Abulen gjeneruan 1.1 mln euro

10 Shkurt, 16:06| Përditesimi: 10 Shkurt, 20:46

  • Share

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka zbardhur akuzat që rëndojnë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i arrestuar rreth orës 14:00 të 10 shkurtit. Zbardhen akuzat edhe për personat e tjerë të përfshirë në këtë hetim, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa (arrest shtëpie), 5 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha (Detyrim paraqitjeje). Arrest me burg është caktuar për Elman Abule, përfaqësues i RAMETAL (ish "METALFORM"), masë që ende nuk është ekzekutuar. 

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Veliaj akuzohet për veprat penale të "korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", në 9 raste si dhe "pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale". Ndaj bashkëshortes së tij, SPAK thotë se rëndojnë akuzat korrupsion pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie. Ndërkohë të 5 biznesmenët akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv, pasi sipas Prokurorisë së Posaç me kanë dhënë ryshfet të Veliaj për të marrë fonde publike dhe leje ndërtimi.. SPAK njofton se po kryen hetime paraprake edhe për deputeten socialsite Klotilda Bushka, që sipas Prokurorisë së Posaçme ka penguar zbulimin e së vërtetës. Dy prokurorët që hetuan çështjen janë Ols Dado dhe Altin Dumani. 

Përmes një njoftimi të gjatë, SPAK flet se deri më tani kur hetimet janë në fazë paraprake dyshon për një skemë korruptive dhe pastrimi parash, të krijuar dhe vënë në zbatim nga Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa. Synimi ishte përvetësimi i fondeve publike të cilat burojnë nga Bashkia Tiranë. 

SPAK thotë se "Veliaj dhe Xoxa kanë krijuar një mekanziëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme."

SPAK thotë se “Veliaj ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek 5 biznesmenët ndaj të cilëve është caktuar masa arrest me burg. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetasja Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.”

SPAK thotë se ka prova se këto para përfundonin te Veliaj dhe Xoxa dhe rrethi i saj familjar përmes sponsorizimeve; likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve; si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme si për shembull një vilë në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”; financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj.

SPAK thotë se përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules u gjeneruan 1.1 mln euro. Të gjitha këto biznese dhe OJF, tashmë të futura në regjistrin e veprave penale, përdoreshin sipas SPAK që përmes transaksioneve të ndryshme të futnin në sistemin bankar paratë e fituara. Ky qëllim sipas SPAK do të ishte i pamundur pa bashkëpunimin e Elman Abules dhe familjarëve të tij.

Sipas SPAK, “Xoxa në një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.”

SPAK sekuestroi vilën 494 m2 në Qerret, e ndërtuar nga kompania Agi Kons e ndërtuesit Gentian Sula, 2 llogari bankare të Ajola Xoxës me vlerë 869,149  Euro dhe para të valutave të ndryshme me vlerë 115 mijë euro, të gjetura në një kasafortë, gjatë kontrolleve në një prej bizneseve të Xoxës.

Njoftimi i plotë i SPAK 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024, që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme  përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”,  parashikuar nga neni 260, 245, 287/2, 257/a/2, 305/b e 301 i Kodit Penal. 

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më datë 24.01.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 7 Akti/datë 09.02.2025 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim Erion Veliaj, me detyrë, Kryetar i Bashkisë Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 260 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal;

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasen nën hetim Ajola Xoxa, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal;

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale, për një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “……..” shpk;

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Gentin Sula, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “A. K.” shpk;

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Meriman Palushi, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “P.” shpk;

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Fatmir Bektashi, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “K.” shpk;

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Sokol Kryeziu si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “G.-A” shpk;

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Shkëlqim Fusha, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “F.” shpk.

Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga shtetasit nën hetim, specifikisht Erion Veliaj (me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë) si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, Ajola Xoxa, është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme. Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, nisur nga provat e administruara në fashikull, në të paktën 10 raste, krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi Erion Veliaj, përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur më lart. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.

Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, i) kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë shtetasi nën hetim Erion Veliaj) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de  facto nga kjo shtetase; ii) kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iii) kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht  një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur  në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iv) janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë. Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, shtetasit Erion Veliaj.

Faktet dhe provat e grumbulluara, edhe pse i referohen episodeve konkrete të evidentuara deri në këtë fazë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se në rastin konkret bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve  publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj  skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt.

Organi procedues ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF, “E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe “R.” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim Elman Abule, kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë.

Më pas, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, të cilat konsistojnë në integrimin në sistemin bankar të këtyre shumave monetare, të siguruara si përfitime të parregullta, por edhe të fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë së pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale sipas nenit 260 të ligjit material, shtetasit nën  hetim dyshohet se kanë përmbushur elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të nenit 287 të Kodit Penal (“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose  veprimtarisë kriminale”).

Qëllimi kriminal i shtetasve nën hetim për integrimin në sistemin bankar të shumave monetare të cilat janë rezultat i përfitimeve të parregullta, do të ishte i pamundur të përmbushej pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF, të identifikuar deri tani në regjistrin e njoftimit të veprave penale. OJF-të “H.”, “E.”,  “M.” dhe “B.-A”, të kontrolluara plotësisht nga shtetësja nën hetim A. X., deri në këtë fazë të hetimit paraprak dyshohet të kenë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale, nëpërmjet transferimit të pasurive me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, duke ditur se këto pasuri janë produkt i veprës penale sipas nenit 260 të Kodit Penal. Në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale edhe emrat tregëtarë të këtyre OJF – ve.

Po kështu, ky qëllim kriminal për pastrimin e produkteve të veprës penale, që i referohet rastit të kalimit të të hollave nga shoqëritë e administruara nga shtetasi nën hetim …. dhe familjarë të tij, do të ishte i pamundur të realizohej pa bashkëpunimin e këtij të fundit në kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, të cilat kanë kulmuar në pagesat e bëra për shoqëritë tregtare si edhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga shtetësja Ajola Xoxa.

Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.

Po kështu, kjo shtetase në asnjë rast nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 9049 datë 10.04.2023, në lidhje me deklarimin e pjesëmarrjes së saj në bordin e një organizate jofitimprurëse, e cila provohet të ketë gjeneruar të ardhura të  shumta, por edhe njëkohësisht pronare (organizata) e një subjekti tregtar me natyrë fitimprurëse (shpk). Fshehja e këtyre fakteve nga shtetësja nën hetim A. X., ka pamundësuar organet ligjzbatuese për të patur një panoramë të plotë dhe të qartë sa  i takon, jo vetëm pjesëmarrjes së kësaj shtetase në borde organizatash, të cilat nga ana e tyre zotërojnë shpk, por çfarë është më e rëndësishme, ka pamundësuar “konstatimin” dhe “gjurmimin” e një sasie të konsiderueshme të hollash, të cilat kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre subjekteve të kontrolluara faktikisht nga shtetësja nën hetim. Pikërisht, mungesa e plotë e kësaj transparence ka bërë të mundur më pas edhe funksionimin e një skeme kaq të organizuar të lëvizjes së shumave monetare, nga, dhe nëpërmjet këtyre OJF-ve dhe shpk-ve.

Në lidhje me shtetasit nën hetim, përfaqësues të subjekteve tregtare cituar më lart, organi procedues ka grumbulluar prova të cilat të çojnë në konkluzionin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se ata, me veprime aktive të kundërligjshme kanë konsumuar elementë të veprës penale“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

Këta shtetas, dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj. Të gjithë subjektet tregtare që shtetasit nën hetim Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, SHkëlqim Fusha dhe Meriman Palushi përfaqësojnë, gjatë kohës që korrespondon me periudhën e dhënies së përfitimeve të parregullta, por jo vetëm, kanë përfituar nga Bashkia Tiranë, me firmën e titullarit të saj, fonde të konsiderueshme publike si edhe leje ndërtimi.

Në lidhje me këto pasuri, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur me vendimin nr. 84 Akti datë 10.02.2025, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, në lidhje me pasurinë e paluajtshme:

Pasuria numër 1/647, Vol. 29, Faqe 103, ZK.  3101, sipas certifikatës për vërtetim pronësie nr. 1456523, ndodhur në Zonën e Stimuluar “Ardian Çarçani”, Qerret, lloji “truall”, sipërfaqe trualli të objektit 494 m2, sipërfaqe të bazës së njësisë 82 m2, leja e legalizimit nr. 705199, datë 31.01.2020, regjistruar në ASHK në emër të “Agi Kons” shpk.

Po kështu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 98 Akti /datë 10.02.2025 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare të ndodhura në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, ne emër të shtetasës Ajola Xoxa dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën totale prej 869,149.78 Euro.

Nga ana tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar  pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja Ajola Xoxa., e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000 Lekë.

Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë.

Ora 16:24
Arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, në hetim dhe deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, SPAK: Tentoi të pengojë zbulimin e së vërtetës

Foto: Erion Veliaj dhe Klotilda Bushka
 

SPAK njofton se po kryen hetime paraprake ndaj një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë si person i dyshuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Mësohet se bëhet fjalë për deputeten e PS-së, Klotilda Bushka.

“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Njoni: 10/02/2025 20:44

    Tani I erdhi fundi PS. U qelb nga koka .un besoj a ke ky velija mendova se do bohet kryeminister. Ky paska qen me keq se kacelja e fiqeve. Te shkoj ti boj Pa shoqeri metes. Ja dhe ky do e ndaj gruan tani.

    Përgjigju
    • Aha: 11/02/2025 00:22

      Prit e do e shohesh.

  • Gjergj: 10/02/2025 19:34

    Tek shohèm ato pamjet vizive se si z.Veliaj "arrestohej", me urdhèr tè SPAK,,unè personalisht kam hallin e atij me duar nè xhepa, qè nè vènd tè bènte detyrèn,,sa nuk qante i gjori. Njèherè mendova se Veliaj ishte ai qè e kishte lidhur si lopè dhe e tèrhiqte pas,,e atij nuk i bènin kèmbèt tè ecte pèrpara. A ka ndonjè informacion pèr gjèndjen shèndetèsore tè zotèrisè? Ai njeri "zemèrmirè", qè vajtonte fatin e tij tè zi qè kèrkoji prej tij, atè qè ai nuk e bènte dot,,,,punè me dinjitet Kur tè kthehet znj Xoxa nga kurimi i sèmundjeve qè i pushton gjithè hijenat kur dègjojnè prangat, zotèria do shkojè me siguri tek vila tek kodra e diellit dhe do vajtojnè sè bashku kètè tragjedi èngjèjsh. I keni parè arrestimet qè bèhen me bekimin e politikès? Janè skena qè tè kujtojnè komisar Katanin. Kur arreston SPAK,,,,shoqèruesit e tè pandehurit duken sikur po shkojnè pas arkivolit tè tè ndjerit.!!!

    Përgjigju
    • Lodí: 10/02/2025 20:53

      Po pse more gjergji ai range roveri qe doli nga skytoweri do ta shpetoje ajolen

  • Niku: 10/02/2025 18:08

    Sekuestro 983 mije euro, pa me sa te tjera jane neper banka e kushedi ku tjeter. Kam 24 vjet qe po punoj dhe s’i kam bere dot akoma 1 milion dollare. Duhet te isha martuar me lali Erin. Une s’jam gay po 1 milion euro eshte 1 milion euro, e hame turpin me buke.

    Përgjigju
  • Drejtoria: 10/02/2025 17:56

    I shkreti. E cuditshme gjithe velia 5d burg vec kacidhja shpeto

    Përgjigju
  • Burreli: 10/02/2025 17:26

    Veliaj tashi do flasi si bilbil, nuk ja mban te bej burg Erionit si te tjeret edhe ishalla fillo e flet qe te bie piramida e hajdutve.

    Përgjigju
  • tex: 10/02/2025 17:25

    Nje milion bizhuteri paskan qene te babzitur e kokrrat e idioteve duke ditur qe jane ne politik aktive..ky lumadhi ka qene i paditur per vete e per familjen e vet,si do bej te ec perpara tirana..apo fshati ne fest e deti u be kos..i doli bacja mbrapa shtepise plot me dardha e kumbulla aguridhe rames..shpresoj qe te rinjte qe do vijne ne politike dicka te mesojn e uroj qe ndonje prej tyre ngelet njeri

    Përgjigju
  • Vlora: 10/02/2025 16:26

    Tani eshte rradha e ballukut

    Përgjigju
    • @Anonim: 10/02/2025 19:52

      Ke shumë të drejt por më mirë është ti arrestojnë bashkë o Anonim. Si vrasësit ashtu edhe hajdutet. Vrasësit si Taulant encrochati duhen arrestuar edhe ata. Po ashtu edhe edvini që bëri dëm në Fushë Kuqe. Por edhe Bela etj,etj

    • Anonim: 10/02/2025 16:52

      Po te arrestojne njehere vrasesit, pastaj hadutet... per parlamentaret flas gjithmone

  • Anna: 10/02/2025 16:21

    Gjyshja ime thoshte: "Nje shtame qe shkon shpesh per uje, nje dite do te thyhet". Terheqsh kemben zvarre o Veliaj, per te gjithe ata qe e rropen kete popull!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A është veprim i duhur nga SPAK arrestimi i Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?