Dritan Rexhepi

Arrestimi i ‘mbretit’ shqiptar të kokainës, mediat ekuadoriane zbulojnë lidhjet e biznesit të Dritan Rexhepit në Ekuador

12 Nëntor 2023, 10:52| Përditesimi: 12 Nëntor 2023, 15:41

  • Share

Arrestimi në Stamboll 4 ditë më parë i ‘mbretit’ shqiptar të kokainës, Dritan Rexhepi, ka ‘ndezur’ zhvillimet në Ekuador, shtetin e Amerikës Latine, nga prej ku 43 vjeçari akuzohej se kontrollonte trafikun e drogës edhe pse ishte i arrestuar që nga viti 2014.

Mediat ekuadoriane kanë shkruar së fundmi për Dritan Rexhepin, duke zbuluar lidhjet e tij me biznesmenë vendas dhe sesi shqiptari u lirua nga burgu para kohe me pretendimin e problemeve shëndetësore.

“Rexhepi u zhduk nga radarët e autoriteteve ekuadoriane në fillim të vitit 2022, kur nuk respektoi masat e urdhëruara nga gjyqtari i garancive të burgut të Guayas, Diego Poma, në kuadër të një miratimi të kërkesës para lirimit të kërkuar nga i huaji për arsye shëndetësore. Në vend të burgut, ai është urdhëruar të përdorë pranga elektronike dhe masa të raportimit periodik dhe ndalimit të daljes jashtë vendit. Shqiptari ishte i ndaluar që nga viti 2014, pasi ishte një nga njëmbëdhjetë të kapurit në operacionin Ballkanik të kryer në Ekuador. Për krimin e trafikut të drogës, njeriu i njohur si Car ose Mbreti i kokainës u dënua në Ekuador me trembëdhjetë vjet burg, nga të cilat kreu vetëm shtatë. Përfitimi i burgut para lirimit u dha në vitin 2021, pavarësisht se kërkesat për ekstradim të bëra nga Italia dhe Shqipëria po rëndonin mbi të huajin” thuhet në artikullin e ‘El Universo’.

Ndër të tjera media ekuadoriane zbulon lidhjen mes Dritan Rexhepit dhe Rubén Cherres i cili njihej si ortak i Dritan Gjikës, një prej bashkëpunëtorëve të Rexhepit. Rubén Cherres që u ekzekutua në prill të këtij viti, raportohej se kishte lidhje biznesi me kunatin e presidentit të Ekuadorit Guillermo Lasso. Cherres dhe Rexhepi themeluan 13 kompani të lidhur me kompanitë e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme.

“Raportet nga Operacioni ‘León de Troya’ raportonin, ndër të tjera, se Rexhepi mbante një marrëdhënie biznesi me Rubén Cherres. Midis tyre ata themeluan të paktën trembëdhjetë kompani, shumica e tyre të lidhura me kompanitë e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme. Vëzhgimi i policisë brenda operacionit zbuloi takime dhe biseda të panumërta mes Cherres, Rexhepit apo Gjikës dhe individëve që do të ishin pjesë e asaj që njihej si mafia shqiptare”- shkruan media ekuadoriane.

Dritan Rexhepi u arrestua në 8 nëntor në një vilë në lagjen luksoze Beylikdüzü, të Stambollit. Forcat policore turke shqyen derën e banesës ku brenda saj ishte fshehur Dritan Rexhepi, i cili më pas shfaqet i shtrirë për tokë dhe më pas i vihen prangat. Atij iu gjetën edhe pistoletë, euro dhe bizhuteri në një kasafortë.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?