Politikë

Rama me punonjësit e Bashkisë: Protesta për Veliajn para GJKKO ishte gabim, mos të përsëritet! Lejet e ndërtimit s’janë favore, por e drejtë zhvillimi! Bufi i kënetës kërkon t’i vërë kazmën SPAK-ut

20 Shkurt, 09:48| Përditesimi: 20 Shkurt, 21:36

  • Share

TIRANË - Me premtimin se nuk do i lë pas në punët e bashkisë më të madhe në vend, pavarësisht se kryetari është i arrestuar, punonjësve të të gjitha shërbimeve në Bashkinë e Tiranë, kryeministri Edi Rama, zgjodhi që së pari t’i bëjë një kritikë për grumbullimin e disa prej tyre para SPAK gjatë zhvillimit të seancës për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt.

"Disa nga ju shkuan edhe tek dera e GJKKO për të protestuar ditën që kryetari u la në burg, pa gjyq, nuk dua t’i gjykoj keq përkundrazi e mirëkuptoj emocionin e tyre, por ishte një gabim që sado i pafajshëm nuk duhet të përsëritet më, as nga ju, as nga askush që punon për shtetin shqiptar në çdo institucion", tha Rama.

Teksa i mblodhi në sheshin “Skënderbej”, kreu i qeverisë, i dha arsyen e vërtetë të këtij takimi bashkë me angazhimin se nuk do lë në rrugë asnjë projekt të nisur.

"Deri kur çështja e Erionit të marrë drejtim, vëmendja ime për Tiranën do jetë e pandërprerë. Uroj dhe dua të besoj akoma që përtej asaj çka mendojmë për fajësinë e tij, organet e drejtësisë do ia japin të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz duke i dhënë fund praktikave brutale të prangave pa gjyq", u shpreh Rama. 

Një përgjigje i dha edhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që teksa takimin me të gjithë punonjësit e bashkisë e quajti antimiting, kërcënoi se do regjistronte emër për emër këdo që do merrte pjesë në këtë krim elektoral, siç ai e cilësoi. Po për opozitën u shpreh se kërkojnë t'i vëjnë kazmën reformës në drejtësi e SPAK. 

“Këneta tha që do protestonim për të burgosurin politik Veliaj. Në Shqipëri s’ka më të burgosuri politik që në ‘97 kur doli i fundit nga burgu që kishte mbyllur këneta, ndërkohë që qeveritë që bënin anti-mitingje, kanë vdekur, fiks në vitin 2013”, theksoi Kryeministri.

Përballë sulmeve që i është dashur të përballet që kur mori frerët e bashkisë së Tiranës në vitin 2000 e deri më sot që drejton qeverinë prej 3 mandatesh, Rama kujtoi 2 momente të shënjuara, pse i hyri politikës, e përse nuk del prej saj.

“Nuk iki se kam një luftë për të mbaruar. Mua më ka futur në këtë luftë shiu dhe balta e varrezave të sharrës, kur erdha nga Franca për të përcjellë tim atë dhe u kthyem në shtëpi nga varrimi sikur ishim kthyer nga lufta me baltën deri afër gjunjëve. Aty nuk i ika dot tundimit që ti thoja po thirrjes së Fatos Nanos për tu përfshirë në qeveri. 

Do ta bëj Albanian shtetin e ri të BE në 2030, kjo e imja është një luftë me historinë dhe për historinë”, vijoi Rama.

Derisa drejtësia të flasë për Erion Veliajn, me gjithë kritikat për arrestimin e tij pa prova, Rama apeloi për një proces të drejtë.

“Nuk më takon mua të them nëse Lali Eri është i pafajshëm apo fajtor. Uroj dhe dua të besoj akoma që përtej asaj çka mendojmë për fajësinë e tij, organet e drejtësisë do ia japin të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz duke i dhënë fund praktikave brutale të prangave pa gjyq”, u shpreh kreu i qeverisë.

Megjithatë, me siguri tha se lejet e ndërtimit nuk janë  favore që i bën kryetari i bashkisë, dhe i dha një mesazh prokurorit të posaçëm Ols Dado që po heton çiftin Veliaj dhe 6 biznesmenë.

“Lejet e ndërtimi nuk janë privilegje, favore që i bën kryetari i bashkisë, janë të drejta zhvillimi të pronarëve e investitorëve së bashku. Cilido që akuzon për ryshfet në dhënien e lejeve të ndërtimit pa prova, thjesht ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë po ta kishte në dorë”, tha Rama.

Për korrupsionin e pretenduar me lejet e ndërtimit, kryeministri zgjodhi të bëjë ironi kur si kryetar bashkie u kërkoi biznesmenëve të Tiranës, të transformojnë Lanën.

“Ju kam thënë a keni dhënë lekë për lejen e ndërtimit. Asnjë jooo... Ju thash.... ka ardhur koha që t’ju paguanin ryshfetin qytetarëve dhe i dërgova të bënin Lanën se përndryshe s’do merrnin më leje ndërtimi. Këtë e kam bërë shumë herë dhe jam gati ti dorëzohem drejtësisë”, tha Rama.

Për të treguar se lejet e ndërtimit i sollën zhvillim Tiranës, tashmë me miliona turistë, kryeministri foli me shifra, kur tha se vetëm nga vendosja e taksës për ndërtuesit bashkia ka fituar në 6 vite, 500 milionë dollarë.

Pas fjalimit i cili nisi me një dokumentar të ndryshimit të Tiranës nga ’90 deri më sot, kryeministri Rama iu drejtua bashkisë së Tiranës, në një takim që zgjati pak,  me këshilltarët e majtë.

Ora 19:16
Rama me punonjësit e Bashkisë: Do hakmerremi ndaj bufave e m***ave, duke e futur Shqipërinë në BE! Të zgjoheni më herët e të flini më vonë

 

Kryeministri Edi Rama në takimin me punonjësit e Bashkisë së Tiranës tha se synimi i tij është që ta integrojë Shqipërinë në BE brenda 2030. Kjo është hakmarrja sipas tij, për të gjitha poshtërimet që na kanë bërë të huajt dhe për të gjithë vetë-poshtërimet që na kanë bërë bufat dhe m**rat e kënetës në shekuj dhe që nga viti 1912.

Për kreun e qeverisë, derisa anëtarësimi i Shqipërisë në BE kalon nga Tirana, duke e clësuar si lokomotivën e transformimit historik. Me arrestimin e Veliajt, Rama u shpreh se Tirana duhet të vijojë punën dhe të gjithë punonjësit duhet të zgjohen më herët dhe të flejë më vonë sesa ishin mësuar.

"Por sot, që ka shumë më shumë se aq për të parë, Tirana është për mua prova se siç kjo luftë e pafundme përballë gjithfarë horrash nga të katërt anët, nga ata horrash që nuk e lanë këtë vend të ngrinte kokë, as kur u ngrit flamuri i Pavarësisë, që nuk iu ndanë këtij vendi që nga viti 1912, sot e ka bërë qytet europian ‘Kandaharin’ e vitit 2000.

Fiks si ajo luftë, ashtu edhe lufta e llumit e një kënete mediatike, do ta bëjë Shqipërinë shtetin e ri të Bashkimit Europian në 2030-ën.

Kjo e imja është një luftë për Shqipërinë. Na takon ne që këtë moment ta kthejmë si një shenjë të përhershme në flamurin e BE-së, duke i bërë të gjitha gjërat e duhura me kohën që kemi në dispozicion deri në ditën e anëtarësimi.

Anëtarësimi në atë familje është një shenjë dinjiteti. Dinjiteti që na nëpërkëmb me qindra vite. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ai emri ‘Albania’ aty, në tryezën e atyre që i kemi parë me dylbi dhe që na ka parë nga lartë-poshtë, është hakmarrja për të gjitha poshtërimet që na kanë bërë të huajt dhe për të gjithë vetë-poshtërimet që na kanë bërë bufat dhe mutrat e kënetës në shekuj dhe që nga viti 1912.

Kjo është e vërteta dhe e vërteta duhet thënë në gjuhën e bukur dhe kuptimplotë shqipe. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE kalon nga Tirana, që është lokomotiva e transformimit historik, që duhet të vazhdojë me ju.

Që nga skuadra e zv.kryetarja këtu, deri te fishtarët dhe punonjësit e bashkisë së Tiranës. Kësaj radhe bashkia e Tiranës duhet të zgjohet më herët dhe të flejë më vonë sesa ishte mësuar", tha ai.

Ora 18:20
Dorëheqje? Rama: Kam një luftë për të mbaruar, iu futa politikës nga balta e varrezave të Sharrës pasi përcolla tim atë

 

Thirrjeve të opozitës për dorëheqje pas arrestimit të Erion Veliajt, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe njëherë duke thënë se nuk ikën pasi ka një luftë për të mbaruar. Rama tregoi edhe si iu fut politikës.

“Disa më pyesin ça duan unë akoma që nuk iki? Ngandonjëherë kur llumi, helmi bëhen një potere e madhe dhe e pyes dhe unë veten ore ça dua akoma që rri dhe mbaj gjithë këto jashtëqitje gojësh të shthurura mbi fytyrë dhe pse familja ime duhet të durojë këtë qenëri mesjetare? Përgjigjja është: Nuk iki se kam një luftë për të mbaruar. Nuk e kam thënë ndonjëherë, mua më ka futur në këtë luftë shiu dhe balta e varrezave të sharrës, kur erdha nga Franca për të përcjellë tim atë dhe u kthyem në shtëpi nga varrimi sikur ishim kthyer nga lufta me baltën deri afër gjunjëve. Aty nuk i ika dot tundimit që ti thoja po thirrjes së Fatos Nanos për tu përfshirë në qeveri. Rruga e jetës politike, besoj më shumë tek fati i shkruar, më nxori në krye te bashkisë dhe të një qyteti që ishte kthyer në tokë të askujt më bekimin e bufit të kënetës dhe pemët binin përditë si ata njerëzit që i pushkaton, dhe kur i shoh sot ato pemë, them se dhe vetëm për aq do ia kishte vlejtur balta”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se ka një mision për ta integruar Shqipërinë në BE brenda vitit 2030.

Do ta bëj Albanian shtetin e ri të BE në 2030, kjo e imja është një luftë me historinë dhe për historinë. Çfarë nuk të vret të forcon, ditët më të mira janë të gjitha para.

Ora 18:02
Pas fjalimit, kryeministri Rama mban takim të shkurtër me këshilltarët e majtë në Bashkinë e Tiranës

 

Pas mbylljes së fjalimit të tij me punonjësit e Bashkisë së Tiranës në “Sheshin Skënderbej”, rreth orës 17:45, kryeministri Edi Rama iu drejtua institucionit, pasi më herët ishte paralajmëruar edhe një takim në godinë me këshilltarët e majtë.

Ky takim nuk ka zgjatur më shumë se njëçerek ore dhe ka qenë i shkurtër. Rama u pa teksa dilte nga Bashkia rreth orës 18:00.

Mbetet i panjohur fjalimi dhe këshillat që kryeministri u ka dhënë drejtuesve dhe këshilltarëve të majtë në institucion.

Ai u pa teksa dilte dhe përshëndetej me drejtuesit e Bashkisë, para se të hipte në makinë.

Ora 17:54
Rama mbyll fjalën: Çfarë s’të vret, të bën më të fortë! Ditët e mira i kemi përpara, më 16 maj Tirana pret miq të mëdhenj

 

Kryeministri Edi Rama në mbyllje të fjalës së tij në “Sheshin Skënderbej” me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, kujtoi takimin e madh që do mbahet në kryeqytet më 16 maj, ku vijnë për Samir 50 liderë të Europës.

“Tirana ka zgjedhje për të mbajtur për të mbajtur më 11 maj, por Tirana ka miq të mëdhenj për të pritur më 16 Maj. Ndaj gjithkush të japë më të mirën e vet, unë do jem këtu, me ju, me kokën lart, me zemër në vendin e duhur dhe bashkë me çdo shqiptar dhe shqiptare, që stadiumin nuk e ka vetëm për flamur, por në zemër e mendje, dritën e sy ve të vetë dhe deri te Shqipëria, që sytë i ka te Tirana”, u shpreh Rama (më 16 maj mbahet Samiti i Komunitetit Politik të Europës).

Teksa i shkoi fundit të fjalimit, ai e mbylli me një citat motivues dhe frymëzues:

“Çfarë nuk të vret, të forcon. Ditët më të mira janë të gjitha përpara”.

Ora 17:38
Rama: Një ministër demokrat më tha dikur se ‘nxënësit mund të ngrohen me frymën e njëri-tjetrit’! Zhurnalistët ulen studiove për ndërtime pa leje

 

Kryeministri Edi Rama duke folur për investimet në shkolla dhe çerdhe, kujtoi një episod nga eksperienca e tij si kryebashkiak gati dy dekada më parë. teksa i kërkoi që të ndërtohej sistemi i ngrohjes në shkolla, një ish-ministër i PD i kohës i ishte përgjigjur se 'nuk kishte nevojë, pasi nxënësit ngroheshin me frymë se ishin me shumë nxënës dhe me turne".

"Kur erdha në Bashki do fusja ngrohjen në shkolla, por vareshin nga qeveria dhe ministri i kohës tha jo, i kemi klasat me shumë nxënës dhe mund të ngrohen me sobë dhe frymën e njëri-tjetrit. Ma gjej një shkollë, një të vetme, që të jetë ndërtuar kur këneta ishte në pushtet, qeveri, Tiranë dhe që sot të mos jetë rindërtuar. U ndërtuan qindra shkolla dhe çerdhe", rrëfeu ai.

Teksa më tej shpjegoi se biznesmenët që marrin leje ndërtimi, investojnë edhe për zhvillimin e Tiranës me banesat sociale, pemët, e ndërtime të tjera.

"Biznesmenët investuan për Tiranën, jo vetëm merrnin lejen, por edhe kontribuonin për kryeqytetin, në ndërtime sociale dhe në mbjellje pemësh. Japin edhe shërbime mbi taksat, për banesat sociale. Nuk ua thonë dot këto zhurnalistët, ata që ulen në studio televizive për ndërtime pa leje. Këta ndërtues paguajnë edhe 3 përqind mbi taksën, që bashkia i jep edhe për strehime sociale. Ndaj kemi në Tiranë numrin më të madh të familjeve që kanë marrë subvencione e strehim, janë 4 mijë familje, që përfitojnë nga kontributi i atyre që bëjnë kulla dhe gjëra të tjera", u shpreh kreu i qeverisë.

Ora 17:31
Arrestimi i Veliajt/ Rama: Lejet e ndërtimit nuk janë favore, por të drejta zhvillimi! Kush akuzon për ryshfet, ose e ka bërë vetë ose do e bënte

 

Kryeministri Rama ndalur tek arrestimi i Erion Veliajt tha se lejet e ndërtimit nuk janë favore as privilegje, por të drejta zhvillimi të pronarëve e investitorëve. Rama tha se kush akuzon për ryshfet për leje ndërtimi pa prova, ose e ka bërë vetë ose do e bënte.

“Lejet e ndërtimi nuk janë privilegje, favore që i bën kryetari i bashkisë, janë të drejta zhvillimi të pronarëve e investitorëve së bashku. Cilido që akuzon për ryshfet në dhënien e lejeve të ndërtimit pa prova, thjesht ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë po ta kishte në dorë”, tha Rama.

Ora 17:31
'Jam gati të dorëzohem, kam bërë korrupsion kur shemba ndërtesat te Lana', Rama tregon çfarë u tha ndërtuesve: S’ka bir k*rve dhe nëne që të më thotë se kam marrë lekë

Kryeministri Rama ka treguar se si u bë pastrimi i bregut të Lumit Lanë në kryeqytet nga kioskat dhe ndërtesat, në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës.

Ai ironikisht tha se ishte i gatshëm të përballet me drejtësinë për këtë mënyrë që zgjodhi për çlirimin e Lanës nga ndërtimet, jashtë çdo vizioni dhe plani urbanistik.

"Ato ndërtimet që u prishën në Lanë e dini si janë prishur dhe si janë pastruar një sasi rrënojash që kapi volumin 138 mijë ton beton. Janë prishur me korrupsion, kam bërë unë korrupsion, i kam thirrur ndërtuesit në zyrë këtu dhe i kam thënë: Keni dhënë ndonjë lek ju për lejet e ndërtimit. Ata shihnin si është punë. Jo, jo, jo – u përgjigjën. Mirë, më dini budalla ju mua? – u thash, që merrni leje dhe s’më jepni mua asgjë. Atëherë, u thash, ka ardhur koha të paguani ryshfetin qytetarëve të Tiranës. Ua ndava segmentin e Lanës me copa, merrni buldozerët, naftën, prishini se përndryshe nuk merrni më leje ndërtimi. Dhe në vijën logjike të hetime intensive, jam gati të dorëzohem para drejtësisë. E kam bërë këtë dhe jo një herë, por shumë herë. Për ata që dje në çdo pallat të ri shikonin % për leje ndërtimi, dhe kur unë i thashë se “nuk ka bir kurve dhe bir nëne” që të dalë dhe të thotë se më ka dhënë mua lekë dhe nxorën një burrë që doli e kërkoi falje 34 herë dhe unë e kam falur 38 herë e vazhdon të më kërkojë falje – edhe kur shohin kulla të njëjtën gjë mendojnë. Vetëm se sa përqindje merret nga këto leje ndërtimi… Ndërkohë që mirë politikanët e kënetës ashtu e kanë kokën, se ai zogu i zi që ta dini ju kishte brenda edhe një pjesë të pjesës kur u sulmua dhe u prish, siç e patë me vlerësimin e ekspertëve më të shkëlqyer të vendit, kështu i quanin, as këta analistët nuk i dëgjova kurrë që të thoshin një gjë të thjeshtë, mirë që nga këot kulla e ndërtime u merrkan para për korrupsion, çfarë është kjo taksë e Bashkisë së Tiranës. Në 10 vitet e fundit, të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, ta dëgjojnë ata që çojnë fëmijët në shkolla, kopshte, kur dalin në parqe, te Liqeni, janë rritur 9-fish. Kanë qenë 30 mln euro kur Bashkia gërhiste, vjet 271 mln euro të ardhura… Sa para ka marrë Bashkia nga të pasurit, nga ata që ndërtojnë, për lejet e ndërtimit. Me taksat e gërhitjes, Bashkia mblidhet 930 mijë euro në vit, pjesën e pjesës nuk e di… Por me propozim të Erionit, taksa u rrit në 2016-ën, filloi që në 2016, 10-fish rritje, 10 mln euro, në 2024, 157-fish, ose 147 mln euro vetëm nga taksa e ndërtimit"

Ora 17:31
Ezani i ndërpret fjalën, Rama ndalon dhe e respekton: E nisëm me kambanën e Kishës Ortodokse dhe e vazhduam me Ezan

 

Teksa po mbante fjalimin e tij, në orën 17:25 nisi të këndohej ezani nga xhamia në qendër të kryeqytetit, te “Sheshi Skënderbej”.

Kryeministri teksa theksoi se e nisën këtë takim me kambanat e kishës Ortodokse dhe e vijuan me ezanin, duke shtuar se “ku ka më mirë”, e respektoi duke ndaluar fjalën e tij.

Kur ezani mbaroi, ai rifilloi fjalën teksa të pranishmit duartrokitën.

“Kur erdha në Bashki do fusja ngrohjen në shkolla, por vareshin nga qeveria dhe ministri i kohës tha jo, i kemi klasat me shumë nxënës dhe mund të ngrohen me sobë dhe frymën e njëri-tjetrit. (dëgjohet ezani) Filloi me kambanën e kishës Katolike dhe vijoi me Ezanin, e ku ka më mirë, kishës Ortodokse, më fal... (kryeministri ndërpret fjalën në shenjë respekti).

Ora 17:21
Rama: S’ka buf kënete që mbulon me blozë transformimin historik të Tiranës! Unë e nxora nga ‘koma’, lali Eri e bëri të vrapojë

 

Kryeministri Edi Rama në takimin me punonjësit e Bashkisë foli për transformimin që ka pësuar Bashkia e Tiranës nën drejtimin e tij dhe të Erion Veliajt ndër vite.

"Përtej kësaj çështje specifike që është e drejtësisë, askush dhe asgjë, as një buf dhe asnjë specie tjetër e kënetës politike dhe mediatike të këtij vendi nuk e mbulon me shishen e blozës diellin e transformimit kolosal dhe historik të Tiranës sonë. Ku pa mua që e nxora nga koma nën rrënoja, e pastrova nga llumi dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pakursyer të popullit të Tiranës dhe PS. Dhe pa lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik, me mbështetjen e gjithëve ne, ky qytet nuk do ishte kurrë vendi ku shëtisin që të gjithë opozita, prokurorë, gjykatës, analistë, qytetarë, gazetarë. Dhe shkojnë e vijnë në punën e tyre duke i çuar fëmijët në çerdhe, shkolla që nuk i lënë asgjë mangët shkollave të BE", tha Rama. 

Ora 17:20
Rama: Tirana ka nisur të marrë erën e sqetullave të këtyre të tjerëve! Kryeqyteti nuk është për ata që dërdëllisin qebaptoreve dhe xhuxhmaxhuxhët mendorë

 

Kryeministri Edi Rama tha sot në fjalën e tij se Tirana në 24 vite u bë nga socialistët, ai, lali Eri, këshilltarët, mbështetësit dhe ata që punojnë natën me turne për ta mbajtur pastër.

Ai i quajti kundërshtarët që po zhurmojnë si "kazanë dhe erë sqetullash" që ka nisur t'i vijë Tiranës që nga momenti i arrestimit pa gjyq të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pjesë nga fjala e Edi Ramës:

“Jo si parku ku u zhvillua lufta gati civile e disa specieve për një park lodrash për fëmijë. Tirana do bëhet vendi i grumbullimit të udhëheqësve të mëdhenj të botës dhe Europës, si dhe përfaqësuesve të lartë të NATO-s (Samiti 2027).

Këneta thotë se Tiranën e bën koha, kurse përmbytjet i bën Bashkia. Tiranën moderne nuk e bëri koha, e bëmë ne, e bëra unë, lali Eri, ju, grupet e këshilltarëve bashkiakë socialistë dhe progresistë. Dhe të gjithë ata që ndërrojnë turnet për 24 vite me radhë dhe mbajnë Tiranën pastër, e gjithë turistët që vijnë thonë “uaaaa, çfarë është ky qytet i pastër”! E bënë ata që na e dhanë me votë, 7 nga shtatë, jo siç e bënë ata më 11 maj 2011, kur e morën siç e morën dhe e bitisën, dhe mori erën e atyre që hapën gropat.

Më kujtohet një herë i them berberit, ore të duket ty sikur ka filluar të marri përsëri erë kazanëve të Tiranës? Jo shef, tha, është era e sqetullës së këtyre të tjerëve!

Kjo e Tiranës nuk është punë e atyre që s’duan, por e atyre që s’dinë, që shajnë dhe sulmojnë. Komisioni Hetimor i 2002 a kur u ngrit erdhi pas një lemerie akuzash. Puna e Tiranës nuk është për ata që nuk dinë ça flasin, ça nuk derdëllisin, ulur qebaptoreve, nuk është për xhuxhmaxhuxhët mendore që kur shohin rrugë mendojnë vjedhje e kur shohin parqe mendojnë korrupsion dhe kur shohin të bukurën ndjejnë urrejtje. Dhe kjo urrejtje i shtyn për të kërkuar qenin e ngordhur.

As politikanëve e zhurnalistëve, zhurmalistëve e analistëve zhurmën e bëjnë se s’duan të paguajnë taksat, apo flasin pse nuk i rrit pensione, që nuk ia rrok mendja se ka biznesmenë që kërkojnë lekë, e kërkojnë pastaj pemë”. 

Ora 17:15
Arrestimi i Veliajt, Rama: S’më takon mua të them nëse është fajtor, vëmendja ime për Tiranën do jetë e pandërprerë! Uroj t’i japin të drejtën e një gjyqi dinjitoz

 

Në takimin me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, kryeministri Rama tha se nuk i takon atij të thotë nëse Erion Veliaj është fajtor ose jo. Derisa çështja e tij të marrë drejtim, Rama tha se vëmendja e tij për Tiranën do jetë e pandërprerë. Kryeministria u shpreh se uron që Veliajt t’i japin të drejtën e një gjyqi dinjitoz.

Nuk më takon mua të them nëse Lali Eri është i pafajshëm apo fajtor. Pavarësisht se ca mendojmë ne, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim dhe t’ia lë drejtësisë të ndajë këtë dilemë duke mbështetur pavarësinë e organeve të drejtësisë. Barra juaj  e përbashkët është që makineria e bashkisë së Tiranës të mos fiket as një minutë po të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Deri kur çështja e Erionit të marrë drejtim, vëmendja ime për Tiranën do jetë e pandërprerë. Uroj dhe dua të besoj akoma që përtej asaj çka mendojmë për fajësinë e tij, organet e drejtësisë do ia japin të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz duke i dhënë fund praktikave brutale të prangave pa gjyq.

Ora 17:10
Rama: Edhe drejtësia e re gabon si ne, por gabimet tona nuk shkatërrojnë jetë njerëzish

 

Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po tenton të hedhë në erë Reformën në drejtësi dhe organet e reja të dalë nga kjo reformë, ndërsa kritikoi SPAK-un dhe GJKKO-n për "gabimet" e tyre, siç i quajti ai.

"Edhe kur nisëm të ndërtonim Sheshin Skënderbej, duke ua vënë kazmën për t’I zëvendesuar me shpifësirat e tyre antiqytet, ashtu duan ti vënë kazmën dhe reformës në drejtësi, dhe SPAK-ut, edhe llogores tonë në luftën kundër korrupsionit."

"Të gjithë bëjnë gabime dhe bën më shumë gabimë ai që punon më shumë se ai që sdi ca është puna. Edhe organet e reja të drejtëisë nuk kanë sit ë jenë të pagabuesme. Gabimet tona nuk shkatrërrojnë jetë njerëzish, familje, sipërmarrje dhe interesa punlikë, siç ndodh kur gabon drejtësia."

Ora 17:08
Report Tv sjell pamjet me dron nga takimi i kryeministrit Rama me punonjësit e bashkisë

 

Report Tv ka sjellë pamjet me dron nga Sheshi Skëderbej ku kryeministri Rama mblodhi rreth 6 mijë punonjës të bashkisë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj më 10 shkurt.

Siç shihet edhe pamjet e publikuara përveç punonjësve të ulur, ka edhe qytetarë të tjerë që janë mbledhur rreth këtij sheshi.

Ora 17:05
Rama: Siç transformuam Tiranën në 25 vite, po reformojmë edhe Drejtësinë! Me Vettingun pastruam pjesën e vjetër dhe të kalbur të saj

 

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga “Sheshi Skënderbej” se ashtu siç transformuan Tiranën në 25 vite, po transformojnë dhe reformojnë Drejtësinë në Shqipëri.

“Secili nga ju përfaqëson një skuadër të madhe që nuk duhet të shfaqet në territorin e një pushteti të pavarur, si pushteti i drejtësisë. Unë nuk mendoj ndryshe nga ju këtu për ndërprerjen e kontratës së kryeqytetit të bashkisë me qytetarët e kryeqytetit, i cili mbahet sot në burg dhe kjo kambanë duhet të bjerë për ata që duhet të dëgjojnë. Me statusin e të dyshuarit e jo më me të pandehurit dhe lërë pastaj për të fajtorit. E papajtueshme logjikisht dhe e papajtueshme për çerek milioni qytetarë që e kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë që të rrijë në zyrë dhe jo të mbyllet brenda qelisë", tha ai.

Dhe më tej këmbënguli te reforma në drejtësi dhe transformimi që është në proces.

"Ashtu siç e transformuam Tiranën nga një ferr në qytet evropian, me vizion kurajo dhe mundime të mëdha, ashtu kemi vendosur të transformojmë edhe drejtësinë në Shqipëri. Ashtu siç shembëm ato ngrehina të shëmtuara që kishin varrosur parqet me ujëra të zeza, ashtu kemi shembur edhe arkitekturën e vjetër të Drejtësisë dhe me Vettingun e kemi pastruar pjesën e vjetër të kalbur të drejtësisë dhe nga ata që trashëguam Tiranën e 25 viteve më parë”, theksoi kryeministri.

Ora 16:34
Nis takimi i thirrur nga Rama me punonjësit e Bashkisë Tiranë, Ristani: Na mungon kryetari të na drejtojë në punët tona! Faleminderit qytetarëve që i besuan Veliajt qytetin 3 herë

1740065242_ediramalive.png

Anuela Ristani

Ka nisur takimi madhor me punonjësit e Bashkisë Tiranë që po mbahet në Sheshin Skënderbej, i thirrur nga kryeministri Edi Rama. E para që mori fjalën ishte nënkryetarja e deleguar e kësaj bashkie, Anuela Ristani. 

“Atij i është ndaluar të na drejtojë në punën tonë, detyrat tona, që e bënte me aq detaje dhe kujdes, gatishmëria jonë për t’u rritur dhe dëshira për të vazhduar përpara misionin tonë na mbledh këtu sot. I detyrohemi jo vetëm kryetarit, por të gjithë qytetarëve të bashkisë Tiranë që i besuan Erion Veliajt 3 herë qytetin e tyre.”

“Puna jonë nuk ka mbaruar ende, Tirana është krenare të mbajë titullin e kryeqytetit mesdhetar. Ka krijuar reputacionin e saj si kryeqyteti europian i rinisë dhe sportit. Puna jonë ende nuk ka mbaruar.

“Pastrimi duhet të vijojë me kujdes dhe sqimë nga të gjithë” thoshte Veliaj. Një merak i kryetarit ishte edhe arsimi dhe ndërtimi i shkollave të reja. Puna do të vijojë me shkolla, ushqimin për shkollat 9-vjeçare dhe ndërtimin e konvikteve të tjera në Qytet Studenti.”

G.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Nadir: 21/02/2025 04:12

    Fatos Lubonja eshte njohesi dhe i vetmi qe i bie ne koke sic thote populli kur e krahason Ramen si HIJE E SHEMTUAR E ENVER HOXHES!

    Përgjigju
  • Iris: 21/02/2025 03:49

    Ja ku i dha shenjat e para./Erjone/ kemi plot edhe po leshuam ndonje,e zevendesojme prape,por Rame vetem nje keni e duhet mbajtur me cdo kusht e cdo cmim.Dhe votem t'a dhame te hiqje kioskat, t'a beje Tiranen te bukur,jo t'a ktheje ne /Mumbaj/betoni me trafik Pakistani.

    Përgjigju
  • jimi: 21/02/2025 03:02

    MOS NA U HIQ SI BURRE I NDERSHEM TI O RAMA SE TI DIME PISLLEQET,,,NUK KE ZBRITUR NGA QIELLI,,,,KE MARRE PARA NGA NDERTUESIT PER CDO LEJE PALLATI NE TIRANE,,,EDHE PER ANTENAT E TELEFONISE CELULARE TEK 15 KATESHI QE KANE RREZATIM TE MADH KE MARRE PARA,,PO RROGEN PSE JA LIJE SHOFERIT TEND,,KUR NUK KE BERE KORRUPSION,,APO TE MBANTE NENA,,,PRANDAJ E MBYTE TIRANEN ME PALLARE SE TE INTERESONTE 20%,,,SI TI SI VELIAJ...PSE NUK KE BERE PLANIN URBANISTIK TE TIRANES,,,PSE PUNON PA PLAN,,,,SEPSE DO TE NDERTOSH KUTURU,,,PA LULISHTE ,,PA FUSHA SPORTIVE,,,,SA LULISHTE KE TANI NE TIRANE ,,PA MI NUMERO,,, KURSE PARKUN E LIQENIT NUK E BERE TI..E BERI RINIA E TIRANRS NE 1960,,TI ME VELIAJN,,E CUNGUAT LIQENIN DUKE LENE NDERTIME HOTELESH TEK KRAHU I ,UNIVERSITETIT TE HISTORISE,,,,NDERTIME PALLATESH TEK ISH -GARDA,,,,,TEK ISH NDERMARRJA PYJORE,,ATY POSHTE DIGES...ATY KA QENE NDERMARRJA PYJORE,,,,KUDO TI RAMA ME VELIAJN KENI MBJELLE VEC BETON....EDHE GJITHE KODRAT DHE ISH FUSHAT E MEDHA TEK KOMUNA E PARISIT I BETONIZUAT....KUDO BETON...NUK JANE MBRAPA EDHE MALOKET E QELBUR TE SALIUT QE PRISHEN FUSHAT ME TE MIRA PER BUJQESINE TE KAMZES ,,,PASKUQANIT,,,PER TE BERE SHTEPI ME BLLOQE... ATO DUHET TE SHEMBEN TE GJITHA......

    Përgjigju
  • koli: 21/02/2025 02:02

    EDHE TI NJESOJ SI BUFI JE,,,Z RAMA,,,,EDHE TI DO TE SUNDOSH SPAKUN,,,,,SIC KE SUNDUAR DHE SHKATARRUAR TIRANEN SOT E 30 VJET PA PLAN URBANISTIK......

    Përgjigju
  • Maks: 20/02/2025 23:08

    Bufi i pazarit

    Përgjigju
  • Qytetari: 20/02/2025 22:13

    Ja pra, tani fole si duhet. E ke voten time, por vazhdo keshtu, mos mbro asnje qe dyshohet si i korruptuar nga drejtesia e re.

    Përgjigju
  • Fshesa politike: 20/02/2025 21:25

    Rama ne bashkine Tiranë e cila nxjerr 38 deputet jep gati sinjalin e fsheses politike dhe presion direkt atyre qe marrin rrogen, kjo po ndodh pas shume vitesh, opzioni i dyte meqe spo behet sekretar NATO po mendon te rikthehet kryetar bashkie vetë Rama ne 2027 sepse mbetet vend vakant , varianti i trete , Rama po tregon muskujt , aktualisht ka 61 bashki dhe 78 deputet ndaj mbetet akoma lojtari fuqishem ne fushen e lojës. Lind pyetja Rama Pse nuk po ben punesime massive ndoshta ska popull dhe Jane vetem pensionist, te punesuar dhe pjesa tjeter poshte 17 vjec , mbetet per tu pare ndoshta keto Zgjedhje dalin Barazim , ose behet gol ne minuta shtese nuk dihet kjo Pune

    Përgjigju
  • Kasem Trebeshina: 20/02/2025 21:22

    O Edi Rama po qē ke gjykatēs tē korruptuar deri nē palc si Durim Hajdut Bami si i Bohet o zoti Edi. U komentua u komentua

    Përgjigju
  • Kim Jong Un: 20/02/2025 10:22

    Lart me lart o shoke flamujt e kongreseve, beteja fitore perpara na presin !!! Kryeminister qe mbledh administraten si dhe kur ti doje nock rocku vetem ne Shqiperi mund te ndodhi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mandarina me pesticide, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?