Autoritetet shqiptare ende nuk kanë bërë asnjë deklaratë në lidhje me arratisjen më 20 prill të bosit turk të kriptomonedhës Faruk Fatih Özer dhe strehimin e tij në vendin tonë. Por mediat turke shkruajnë se është arritur që policia shqiptare të vë në pranga bashkëpunëtorin që ndihmoi turkun në arratisjen dhe strehimin në Shqipëri.
Sipas mediave turke, i arrestuari është Altjan Canaj, ndërsa kontaktuar nga Report Tv, autoritetet shqiptare nuk e pohojnë vënien e tij në pranga.
Mediat turke rrëfejnë se pas arrestimit Canaj pranoi se ai e kishte ndihmuar Faruk Fatih Özer në bashkëpunimin me një tjetër shqiptar të quajtur Edevaldo Haxhiu, i cili kishte pjesën kryesore në arratisje.
Canaj, deklaroi se e kishte kuptuar se ishte fajtor vetëm pas lajmeve në media. Para hetuesve ai ka deklaruar se bashkë me shqiptarin tjeter e pritën themeluesin Thodex në aeroport me kërkesë të një shoku të tij të njohur dhe e çuan në hotel.
Canaj tha se kur mësoi nga shtypi se Özer ishte i përfshirë në një mashtrim të jashtëzakonshëm të 391 mijë investitorëve, është takuar përsëri me shqiptarin tashmë në kërkim sipas mediave turke, Edevaldo Haxhiun dhe më pas Cana i është fshehur policisë për 15 ditë nga frika e arrestimit.
Altjan Canaj u identifikua nga autoritetet përmes pamjeve të kamerave të sigurisë teksa shfaqej në krah të Özer në recepsionin e një hoteli në Tiranë.
Sipas informacionit të marrë nga burimet e policisë turku, Faruk Fatih Özer është fshehur me menaxherin e një kompanie furnizuese të produkteve ushqimore në Shqipëri.
Autoritetet turke vijonë operacionet intensive për kapjen e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex”që dyshohet se ka me vete edhe një server, brenda të cilit mbahen 108 milion dollarë në kriptomonedha