SARANDË- Pandi Zhonga, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës është arrestuar nga policia, së bashku me juristen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj si dhe Aleko Anagnostin, noter.
Ndalimi i tre zyrtarëve publikë është kryer nga prokuroria e Sarandës, e cila gjatë hetimeve të kryera ka konstatuar se personat e arrestuar tashmë dyshohet se kanë kryer tjetërsimin e një sipërfaqe prej 10 mijë metra katror tokë, duke e ndarë tek persona të tjerë, të cilët më pas kanë ndërtuar. Përfituesit e tokave përmes dokumenteve të falsifikuar janë Fredi Merkuri, Valter Llomi dhe Argonida Canaj, ndaj të cilëve janë ekzekutuar urdhër arrestet.
Sipërfaqja tokësore e tjetërsuar ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (Lulishte), për qytetin e Sarandës.
Por përmes falsifikimit të dokumentave, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrës e ASHK-së Sarandë, kjo tokë prej 10 mijë metra katror, është tjetërsuar tashmë te persona të tretë, të cilët tashmë janë në prangat e policisë.