Polic i Kosovës pranë kanalit të ujit Ibër-Lepenc
Policia e Kosovës ka njoftuar arrestimin edhe të një personi tjetër - pas njoftimit për 8 të arrestuar më parë - i cili dyshohet të jetë i lidhur me sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 26 nëntor.
Personi i dyshuar, i identifikuar me iniciale J.V., u arrestua mbrëmjen e 1 dhjetorit, “nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”.
Autoritetet gjyqësore ndaj të dyshuarit kanë caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.
Policia tha se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar edhe armë, përfshirë dhe pajisje ushtarake, përfshirë katër granata dore, një pushkë gjuetie, 500 copë municione të kalibrave të ndryshëm, karikatorë të ndryshëm, radiolidhje, dylbi, një kamerë kamoflueuse, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.
“Situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së”,- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Lajmi kryesor:
Kurti dhe Vuçiç takohen nesër me shefen e diplomacisë së BE-së! Ambasadori Hovenier: S'mund të themi ende kush qëndron pas sulmit në Zubin Potok! Kurti: Zbatimi i ligjit në Veri ka acaruar Beogradin
K.M/ReportTv.al