Tirane- Armando Sulejmani po lëvizte me një makinë me targa të vjedhura kur në Spitallë të Durrësit i kanë vënë prangat. Policia publikoi pamjet e arrestimit të ‘Çipurit’, ish anëtari i bandës së Gaxhait në Vlorë i cili më parë ka qenë i dënuar për vrasje.
48 vjeçari ka qenë në timon kur policia i ka bërë thirrje të ndalojë por ai nuk ka pranuar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi.
Po kush është 'Çipuri'?
Armando Sulejmani njihet si ish anëtar i bandës së Gaxhait në Vlorë, një grup kriminal që veproi në qytetin e Vlorës gjatë vitit 1997, kur sundonte anarkia. Pjesë e bandës, herët ai dhe anëtarët e tjerë u akuzuan për krijim të grupit kriminal, mbajtje të mjeteve luftarake, vrasje, pengmarrje dhe gjobëvënie. Nën drejtimin e Gazmir Brakës ishte në luftë me bandën e Çoles në Vlorë. “Çipuri”, ishte shpallur në kërkim më herët, megjithatë, ai kishte gjetur, forma për të qarkulluar i maskuar në qytete të ndryshme të vendit.
Në 17 shkurt të vitit 2019, ai u plagos në një atentat në zonën e “Ujit të Ftohtë” në qytetin e Vlorës. Në atë ngjarje mbetën të vrarë kunati i Çipurit, Orest Rexho dhe shoku i tij Arjan Hasani. Të tre ndodheshin në një automjet, kur u qelluan me breshëri kallashnikovi nga një tjetër automjet.
Në atë kohë policia konfirmoi se objektiv i atentatit ishte pikërisht Sulejmani dhe se kishte lidhje me një histori hakmarrjeje nisur vite më parë. Sulejmani sapo kishte dalë nga burgu dhe ishte përfolur për sulmin ndaj Ferdinand Llanajt, pjestar i fisit që njihen për masakrën e Çolës, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj.
Në 2002 Sulejmani, apo Çipuri, u dënua me 20 vite burg për vrasje. Në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Vlorës caktoi masën “arrest me burg” për armëmbajtje pa leje.
Lajmi kryesor:
Arrestohet në Durrës ‘Çipuri’, ish anëtari i bandës së Gaxhait në Vlorë tentoi t'i ikte policisë! Në kërkim bashkëpunëtori
S.G//ReportTv.al