Kronikë
Top 24

Arrestohet në Vlorë krahu i djathtë i Met Kananit, 'Eskobarit shqiptar' të drogës në Turqi

13 Shtator 2018, 17:21| Përditesimi: 13 Shtator 2018, 20:01

  • Share

VLORE - Arrestohet në Vlorë gjatë një operacioni të madh antidrogë krahu i djathtë i Met Kananit, i njohur si "Eskobari" shqiptar i trafikut të drogës, i arrestuar në Turqi në maj të këtij viti. Në prangat e policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Preçizioni”, ka rënë Besmir Lupi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Lupi njihet si bashkëpunëtor i Met Kananit, i cili u arrestua në mars të këtij viti në Turqi, teksa priste një ngarkesë prej 1.1 ton lëndë narkotike të llojit kanabis, e cila vinte nga Shqipëria. 

Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë Nr.96 datë 11.05.2018, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/2, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Besmir Lupi, bashkëpunëtori i Met Kananit, i arrestuar sot në Vlorë

Në kuadër të këtij operacioni, njofton policia, është arrestuar më parë nga Policia turke edhe kreu i grupit të strukturuar kriminal Met Kanani, i quajtur nga mediat turke "Met shqiptari" apo dhe "Eskobari" shqiptar, i cili kontrollonte rrugët e trafikut të heroinës nga Afganistani, Irani dhe Turqia drejt Europës. Met Kanani dhe Bilbil Heqimi ishin dy drejtuesit e grupit kriminal. Grupi funksiononte në formë hierarkie siç duket edhe nga skema e mëposhtme, në krye të bandës ishte Met Xhevahir Kanani dhe më pas ndaheshin detyrat te anëtarët e tjerë. Kanani dhe Heqimi kishin investuar në biznese në Fier paratë e fituara nga trafiku i drogave të forta.

Skema si Met Kanani trafikonte kanabis nga Shqipëria 

Si funksiononte banda, Met Kanani koka i grupit kriminal

Besmir Lupi ishte një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Met Kananit dhe një personazh i njohur për policinë. Ai ishte skafisti i grupit kriminal i cili transportonte kanabisin në drejtim të Turqisë por edhe Italisë. Lupi u arrestua në Turqi si pjesëtar i grupit kriminal të Kananit, por u la i lirë për mungesë provash. Ndërsa në Shqipëri Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë "arrest me burg". Pasi qëndroi tre muaj në burg në Turqi, Lupi u lirua dhe prej atëherë mendohet se udhëtoi në drejtim të Shqipërisë, ndërsa dyshohet se ka kaluar kufirin ilegalisht. 

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush, a mund të integrohet Shqipëria në BE brenda 2030-ës?