Një operacion i rrallë dhe tepër i ndërlikuar u krye për herë të parë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku mjekët okulistë arritën t’i rikthejnë shikimin një pacienti 59-vjeçar, i cili e kishte humbur thuajse plotësisht për shkak të komplikacioneve nga diabeti.
Ndërhyrja u realizua nga ekipi i mjekëve Dilaver Haskaj, Edmond Isufaj dhe Odela Risilia, me asistencën e specialistit turk Kemal Ylsek. Nderhyrja e njohur me emrin “vitrektomia” është nder më të vështirat në fushën e oftalmologjisë.
Mjekët tregojnë se operacioni zgjati rreth 90 minuta dhe u fokusua në pjesën e pasme të retinës, e dëmtuar rëndë pasi pacienti vuante prej 20 vitesh nga diabeti.
“Ishte një ndërhyrje shumë e vështirë, por u realizua me sukses. Rezultati është një arritje e madhe për mjekësinë”, tha mjeku Edmond Isufaj.
Pas ndërhyrjes, 59-vjecariqë jetonte prej kohësh në errësirë, arriti të rifitojë shikimin dhe të rikthehet në një jetë normale.
“Falë teknologjisë moderne, ne mund të shohim me qartësi shkallën e dëmtimit të syrit edhe pas retinës, duke na mundësuar të ndërhyjmë në zona ku më parë ishte e pamundur,” – u shpreh mjeku Dilaver Haskaj.
Sipas mjekëve, nga muaji shkurt deri më sot në këtë spital janë kryer 15 ndërhyrje të ngjashme, por kjo ishte më e ndërlikuara, pasi pacienti e kishte humbur tërësisht shikimin. Ky shërbim i ri ofrohet falas për pacientët, ndërsa deri pak kohë më parë ndërhyrje të tilla kryheshin vetëm në spitale private dhe me kosto të lartë.
Komente

Arritje e madhe per mjeksine shqiptare do te ishte qe keta doktore te mos punonin edhe ne shtet edhe ne privat.
Përgjigju