Janë publikuar të dhënat e Censit 2023, në lidhje me arsimimin e popullsisë. Nga të dhënat ka rezultuar se mbi 200 mijë shqiptarë rezultojnë me nivelin arsimor të diplomimit me ‘Master’.
Të dhënat e censit tregojnë se 96,8 përqind e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar ose janë duke ndjekur shkollën, 97,2 përqind meshkuj dhe 96,4 përqind femra. Përqindja e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart që nuk ka ndjekur asnjëherë shkollën ka rënë nga 4,1 përqind në Censin e vitit 2011 në 3,2 përqind në Censin e vitit 2023.
Më shumë se gjysma (55,0 përqind) e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar arsimin e mesëm ose arsimin e lartë6 . Për popullsitë përkatëse meshkuj dhe femra, kjo shifër është 57,9 përqind dhe 52,1 përqind. 38,8 përqind e popullsisë 15 vjeç e lart ka përfunduar arsimin e mesëm të ulët, dhe 34,8 përqind kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, i konsideruar dhe si niveli minimal që ndihmon individët të kenë një pjesëmarrje të plotë në shoqëri dhe për të jetuar një jetë të plotë. Rreth 0,6 përqind e popullsisë 15 vjeç e lart nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor. Vërehet një rritje në përqindjen e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart me arsim të lartë të përfunduar (universitar dhe pasuniversitar) nga 10,7 përqind në Censin e vitit 2011 në 20,2 përqind në Censin e vitit 2023.
Nga popullsia gjithsej me arsim të lartë të përfunduar, 55,7 përqind janë femra dhe 44,3 janë meshkuj. Përqindja e femrave me arsim të lartë ka ardhur vazhdimisht në rritje, nga 41,1 përqind në Censin e 2001 në 51,0 në Censin e 2011 dhe 55,7 përqind në Censin e 2023. Për grupmoshën 25-34 vjeç, 43,2 përqind e tyre kanë përfunduar arsimin universitar dhe pasuniversitar, pothuajse e njëjta përqindje me popullsinë e BE-së të së njëjtës grupmoshë (43,1 përqind) dhe vetëm 1,8 pikë përqindje më pak se targeti i BE-së prej 45 përqind për 2030.
Lajmi kryesor:
Publikohen të dhënat e Censit 2023: Në Shqipëri 2 milionë e 402 mijë e 113 banorë! Popullsia tkurret me 419 mijë në krahasim me 2011
M.Q./ReportTv.al