Sot, në ambientet e teatrit “Petro Marko”, u zhvillua ceremonia mortore për akademiken e njohur Arta Musaraj, ish-zv.ministre e Mbrojtjes në vitin 2013. Homazhe për ndarjen e saj nga jeta bëri edhe kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, i cili u paraqit në sallën e teatrit i shoqëruar nga truprojat që vendosën lule mbi arkëmortin e të ndjerës. Familjarët morën mesazhe të shumta ngushëllimi dhe nderimi për figurën e profesoreshës. Më pas, trupi i saj u përcoll për në varrezat e qytetit, të ndodhura në pjesën e sipërme të Vlorës.
Kush ishte Arta Musaraj?
Arta Musaraj ka qenë akademike, studiuese, pedagoge, dekane, zv.rektore dhe rektore, gruaja e parë që ka mbajtur postin e Rektorit Themelues të një universiteti në Shqipëri. Ka pasur përvoja të shumta në universitete prestigjioze të botës dhe ka qenë lektore në universitetin “La Sapienza” të Romës. Gjithashtu ka bashkëpunuar ngushtë si koordinatore shkencore me revista të ndryshme akademike ndërkombëtare.
Është themeluese dhe kryeredaktore e Academicus International Scientific Journal, e cila botohet në gjuhën angleze dhe konsiderohet si revista akademike më e rëndësishme shqiptare, pjesë e bibliotekave më të mëdha elektronike në botë.
E nderuar me titullin “Qytetare Nderi e Qarkut”, dhënë nga Qarku i Vlorës, Musaraj mbante edhe tituj të tjerë nderi si: “Mirënjohja e Qytetit” dhe “Protagoniste e Vitit”, dhënë nga Bashkia e Vlorës, si dhe “Qytetare Nderi” nga Komuna Brataj.
Komente
